E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, deputetët PS, Doshi e Sterkaj thirren në Prokurori

TIRANE- Tom Doshi dhe Paulin Sterkaj janë dy deputetët e parë, të cilët pritet që sot të paraqiten në prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar lidhur me demonstratën e dhunshme të 21 janarit, ku u vranë katër civilë. Sipas prokurorisë, deputetët do të pyeten si personat që kanë dijeni për rrethanat e hetimit. Doshi dhe Sterkaj janë ftuar edhe më parë për t'u paraqitur në organin e akuzës, por për shkak të axhendës nuk kanë arritur të japin dëshminë e tyre

Gazeta Shqiptare citon një burim zyrtar të prokurorisë i cili ka thënë se sot janë ftuar për të dhënë dëshminë e tyre deputetët Tom Doshi dhe Paulin Sterkaj, të cilët do të pyeten për demonstratën e 21 janarit, ndërsa në ditët në vazhdim do të pyeten edhe deputetë të tjerë të PS-së dhe krerë të partive të vogla opozitare.

Gjithashtu, para prokurorisë do të japë dëshminë e tij dhe kreu i PS-së për Tiranën, Pjerin Ndreu. Prokuroria ka vendosur të nisë me marrjen në pyetje të organizatorëve të demonstratës, që janë deputetët e PS-së dhe krerë të partive të vogla opozitare, të cilët nuk kanë pasur mundësinë të hyjnë në parlament. Më pas do të vijohet me pyetjen e demonstruesve, disa prej të cilëve ndodhen në burg, ndërsa të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Para prokurorëve do të rrëfehen dhe gardistët, mbi të cilët bien dyshimet se janë përgjegjësit për vrasjen e katër civilëve, njëri prej tyre Aleks Nika, që ndërroi jetë dy ditë më parë në një spital në Turqi.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›