21 janari do zbardhet, pavarësisht problematikës
TIRANE- Lufta kundër korrupsionit, çështja e 21 janarit si dhe marrëdhëniet midis institucionit të akuzës me gjykatat dhe ekzekutivin ishin në qendër të bisedës mes bashkëreporterëve të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco dhe kryeprokurores, Ina Rama.
Duke i cilësuar si dy fenomenet më shqetësuese për shoqërinë shqiptare luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kryeprokurorja Ina Rama i ka shprehur misionit të BE-së, vendosmërinë e e institucionit që drejton për zbardhjen e 21 janarit, pavarësisht problematikës me të cilën është ndeshur gjatë hetimit institucioni i akuzës.
Duke ndarë qëndrime të përbashkëta me Prokurorin e Përgjithshëm, bashkëreporterët theksuan rëndësinë që ka konsolidimi i institucioneve të pavaruara të drejtësisë, jo vetëm për imazhin e Shqipërisë në BE, por edhe për mirëfunksionimin e demokracisë në vend.