Kakavijë, riatdhesohen 16 emigrantë ilegalë

Foto Ilustruese
KAKAVIJE- Operacioni Fshesa në Greqi, ka dhënë rezultatet e para si pasojë e kontrolleve të befasishme në qendrat urbane në shtetin fqinj.
Janë 16 emigrantë shqiptarë të cilët janë riatdhesuar mëngjesin e sotëm përmes stacionit Kufitar të Kakavijës. Policia greke, është vënë në gjah të emigrantëve ilegalë që qarkullojnë në Athinë, Patra, Selanik dhe Janinë.
Policia e Athinës, në tre ditët e fundit ka mundur të kapë 12 emigrantë të paligjshëm shqiptarë të cilët qarkullonin pa dokumentacionin e duhur dhe pa leje pune dhe qëndrimi në shtetin grek.
Mes tyre, ka pasur edhe mjaft shqiptarë që kanë qenë të pajisur me pasaporta biometrike por që u kishte kaluar afati i qëndrimit në shtetin grek duke plotësuar 90 ditëshin e nevojshëm. Në tre muajt e fundit, autoritetet greke, kanë riatdhesuar përmes Stacionit Kufitar të Kakavijes, rreth 87 shtetas shqiptarë të papajisur me dokumentacion pune dhe lejeqëndrimi në shtetin grek.
Piro Nase