E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rrugë e shqiptarëve, integrimi evropian

Kreu i LSI, Ilir Metda dhe ambasadori i Kosoves, Sylejman Selimi

TIRANE- E vetmja rrugë për prosperitetin e qytetarëve tanë, por edhe të vendeve të tjera të rajonit, është rruga e integrimit evropian. Kështu u shpreh kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta gjatë një takimi që pati me ambasadorin e Kosovës, Sylejman Selimi.

Gjatë takimit Meta theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të forcojnë bashkëpunimin ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare, eliminimin e të gjitha barrierave dhe politikës konstruktive në rajon, në shërbim të interesave dhe të ardhmes së përbashkët.

Të gjithë shqiptarët, kudo qofshin, u janë mirënjohës partnerëve euro-atlantikë për kontributin e tyre të fuqishëm për pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, vazhdoi më tej Meta, duke nënvizuar se kjo mirënjohje duhet shprehur përmes punës, realizimit sa më të shpejtë të reformave dhe ecjes përpara drejt integrimit evropian.

Kreu i LSI-së rikonfirmoi mbështetjen e plotë për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe arritjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Nga ana e tij, ambasadori Selimi shprehu një vlerësim të veçantë për rolin personal dhe kontributin e Metës për afirmimin e Kosovës, si dhe vlerësoi asistencën e Shqipërisë në mbarëvajtjen e procesit integrues të shtetit të ri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›