21 janari, gjykata, masa sigurie për komandantin e Gardës dhe 2 të tjerë

Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë për 3 persona në lidhje me vrasjet e 21 janarit të vitit të shkuar.
Sipas burimeve të Shekullit, gjykata ka dhënë masën arrest shtëpie për komandantin e Gardës së Republikës, gjeneral Ndrea Prendi, shoferin e tij dhe inxhinierin e IT të Kryeministrisë, Armando Kasa.
Masa e sigurisë është dhënë nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa, ndërsa organi i akuzës është përfaqësuar nga prokurori Ervin Karanxha.
Masa e sigurisë është marrë në mungesë të 2 efektivëve të gardës dhe punonjësit të Kryeministrisë. Ndërkohë, nuk bëhen të ditura detaje të tjera rreth kësaj çështjeje, por pritet që në orët në vijim, Prokuroria e Përgjithshme të dalë në një konferencë shtypi.
Ky zhvillim vjen pas ekspertizës që FBI-së kreu në serverin qendror të Kryeministrisë.
Protesta e 21 janarit të një viti më parë përfundoi me vrasjen e katër qytetarëve në bulevardin Dëshmorët e kombit.