Ruçi dhe Luiza Xhuvani, kryetari dhe nënkryetarja e Asamblesë Socialiste, të familjarizuar me precedentët penalë

Përfundimi i skicimit të hierarkisë së Asamblesë Socialiste, ka evidentuar një qasje të rëndë përfaqësimi. Kryetari i përjetshëm Gramoz Ruçi si dhe nënkryetarja Luiza Xhuvani janë nga politikanët më të njohur majtistë, të cilët janë të familjarizuar me precedentët penalë
Jo pak surpriza dolën nga mbledhja e asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste. Krahas degdisjes së deputetëve në qarqe të ndryshme dhe zona të panjohura për ta, Edi Rama s’ngurroi që në grupin e menaxhimit politik të fushatës zgjedhore të 2013-ës (në rolin administrativ) të angazhojë dy eksponentë me precedentë penal. Në fakt, ata mbeten në pozitat e mëparshme dhe kanë jo pak ndikim në vendimmarrjen e aksioneve politike.
S’është dëgjuar ndonjëherë që Edi Rama t’i përmendë dy bashkëpunëtorët e tij në fjalë, për problemet e rënda që kanë patur me ligjin edhe pse ai është koshient që familjarët e Gramoz Ruçit dhe Luiza Xhuvanit, i kanë duart të lyera me gjak.
Për mbarë opinionin publik shqiptar është i njohur fakti se familjet Ruçi dhe Xhuvani kanë probleme me drejtësinë. Por nuk është vetëm ky problemi, problemi më i madh është se, secila prej dy familjeve ka mbi supe peshën e madhe të përgjegjësisë, pasi kanë marrë dy jetë njerëzish në rrethana sa misterioze aq edhe të mefshta.
Djali i Gramoz Ruçit, Ledio Ruçi, aksidentoi për vdekje një 25 vjeçare jo më larg se dy muaj më parë në mes të Tiranës. E njëjta gjë vlen dhe për familjen Xhuvani, pasi djali i deputetes socialiste, Luiza Xhuvani (Konstandin Xhuvani) qëlloi për vdekje shokun e tij të ngushtë. Të dy rastet shkuan para drejtësisë, por akuza e lehtësoi fajin si për Ruçin ashtu dhe për Xhuvanin, edhe pse duart e tyre janë të lyera me gjakun e dy të rinjve. Të ndjerës Brunilda Pinderi, (28 vjeç) iu hapën trutë në asfalt nga përplasja fatale e X 6-ës (tip i fundit) të Ledio Ruçit dhe tjetrit Alfred Musabelliun, (26-vjeç) nga fisheku i dalë nga pistoleta që mbahej pa leje nga Kostandin Xhuvani.
Megjithëse kjo çështje i takon drejtësisë dhe është vetë sistemi që jep masën ndëshkimore për “vrasësin”, pavarësisht formës apo llojit të ushtruar, morali i këtij shkrimi është më tepër i natyrës politike. Gramoz Ruçi dhe Luiza Xhuvani nuk u besuan në rolin e të deleguarve në qarqe, por iu la hapësirë e konsiderueshme në aspektin administrativ, pasi Gramoz Ruçi u konfirmua si kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS dhe Luiza Xhuvani u emërua nënkryetare e Asamblesë.
Në këto dy funksione nuk u ushtrua trysnia e duhur politike, pasi siç kuptohet si Ruçi ashtu dhe Xhuvani janë në dorë të Ramës. Ruçi dhe Xhuvani kanë jo pak peshë presioni, pasi etika morale të imponon barrën e përgjegjësisë, të mendosh se dy jetë njerëzish janë shuar nga dora vrasëse se tërhoqi këmbëzën pa dashje, apo X 6-a luksoze që s’i punonin frenat...apo merr gaz “vetvetiu”.