21 janari, në hetim katër gardistët që morën filmimet
Nga demonstrata e 21 janarit
Zhdukja e pamjeve, Prokuroria: 4 oficerët qëndruan në dhomën e serverit.
Katër efektiva të Gardës së Republikës janë marrë në hetim nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me fshirjen dhe dëmtimin e filmimeve të 21 janarit nga serveri i ruajtjes së pamjeve të marra nga sistemi i kamerave të Kryeministrisë. Burimet e Prokurorisë kanë thënë se shtetasit Arben Shkodra, Ervin Lelaj, Ilir Dervishi dhe Ervina Osmani, janë persona në hetim në lidhje me zhdukjen e filmimeve që mund të ndihmonin zbardhjen e shumë detajeve në lidhje me vrasjen e katër personave më 21 janar. Organi i akuzës thekson se marrja në hetim e këtyre gardistëve është bërë pas deklarimeve të shtetasit Armando Kasaj, ish-shef i IT-së në Kryeministri, i akuzuar nga Prokuroria për shpërdorim detyre nën dyshimin se ka kryer tri ndërhyrje në server më 21 janar, duke kopjuar e më pas fshirë pamjet e filmuara nga kamerat e vëzhgimit të Kryeministrisë. Armando Kasaj, i cili është akuzuar nga Prokuroria për shpërdorim detyre, ka pohuar sipas burimeve nga grupi i hetimit se më 21 janar i është kërkuar të hapë zyrën ku ndodheshin monitorët e kamerave, pasi aty do të qëndronin katër gardistë para, gjatë dhe pas demonstratës që do të zhvillohej para Kryeministrisë. Sipas dëshmisë së Kasajt, ai ka bërë vetëm kopjimin e materialeve nga serveri me kërkesë të katër gardistëve dhe ua ka vënë atyre në dispozicion një kopje të materialit të kopjuar. Veç 11 kamerave statike të vëzhgimit anembanë Kryeministrisë, gardistët mësohet se kishin vendosur në çatinë e institucionit një kamera të fiksuar në një shinë lëvizëse, e cila endej nga njëri cep i Kryeministrisë në tjetrin, duke mbuluar kështu me vëzhgim gjithë perimetrin e institucionit. Imazhet filmike dërgoheshin nga të gjitha kamerat në dhomën e katit të parë në Kryeministri, ku veç shfaqjes së pamjeve, bëhej edhe ruajtja e tyre në serverin ku dyshohet se ka ndodhur fshirja. Disa orë para demonstratës së 21 janarit, serveri në fjalë ishte boshatisur në mënyrë që gjatë demonstratës të kishte gjithë kapacitetin e mundshëm mbajtës për të ruajtur imazhet që vinin nga kamerat. Prokuroria i kërkoi këto pamje pas ngjarjeve të 21 janarit, por fillimisht nga Kryeministria u dha përgjigja se kamerat nuk punonin që nga viti 2009. Më pas, Prokuroria dërgoi disa pamje të kamerave lëvizëse, por jo imazhet e sistemit të kamerave që kërkoheshin nga Prokuroria. Sipas hetimeve, dy nga kamerat kanë qenë të fiksuara mbi kokën e efektivave të Gardës që dyshohet se kanë qitur me armë në drejtim të turmës, duke vrarë edhe katër personat që gjetën vdekjen në këtë ngjarje, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
Trazhgim Sokolaj