Nxjerrja e pllakave dekorative turbullon çezmat e Beratit
BERAT – Prej disa ditësh, në çezmat e familjeve beratase rrjedh ujë i turbullt për shkak të ndotjes në basenin e Bogovës. Ujësjellësi i Bogovës është i vetmi që furnizon me ujë të pijshëm Beratin, Poliçanin e fshatrat përgjatë rrugës ku kalon. Banorët pohojnë se për shkak të ndotjes, uji ka marrë ngjyrë të kuqërremtë dhe është i papërdorshëm jo vetëm për tu pirë, por edhe për të gatuar e larë enët. Përfaqësues të Inspektoratit Higjieno-Sanitar në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Beratit bënë të ditur se uji i Bogovës është turbulluar e ndotur si rezultat i reshjeve të dendura të shiut gjatë ditëve të fundit. Pas shumë analizave të kryera në kampionet e ujit të pijshëm në qytet dhe fshatrat që furnizohen nga ky basen, ka rezultuar se uji ka ndotje të lartë për shkak të depërtimit të shiut brenda në burimin e ujësjellësit. Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Berat, Fatmir Shehu, deklaroi se në periudha reshjesh intensive dhe kur prurjet e burimeve janë në minimum e shkojnë në maksimum, e gjithë kjo situatë shoqërohet me turbullimin e ujit të pijshëm. Shehu sqaron se ndotja e ujësjellësit të Bogovës ka ardhur jo vetëm për shkak të fenomeneve natyrore, por edhe për shkak të dëmtimit të basenit ujëmbledhës të burimit të këtij ujësjellësi nga shfrytëzimi i pakontrolluar i malit të Tomorit, për nxjerrjen e pllakave dekorative. Edhe pse situata e nxjerrjes së pllakave të gurit pranë basenit ka ndryshuar, kjo nuk mjafton për të penguar turbullimin e ujit të këtij ujësjellësi. Uji nuk ka ndotje kimiko-bakteriologjike. Turbullira dhe ngjyra e tij e kuqërremtë është ndotje fizike, por gjithsesi, kjo bën që ky ujë të mos rekomandohet për tu pirë. Kjo situatë e rënduar e ndotjes së ujësjellësit të Bogovës krijohet gjithmonë kur bien reshje të dendura e të pandërprera shiu, pasi burimi i ujësjellësit është dëmtuar së tepërmi gjatë viteve të fundit, si rezultat i nxjerrjes së pllakave të gurit në basenin e këtij ujësjellësi, në malin e Tomorit. Nuk janë të pakta rastet kur ky proces pune është kryer nga firmat edhe me eksploziv, shprehet kreu i Ujësjellësit. d.xh