E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhomat e izolimit, kushte të tmerrshme

Këshilli i Europës

Një raport i Këshillit të Europës për kushtet e burgjeve dhe të paraburgimit në Shqipëri gjatë vitit 2010 thekson se në shumë qendra të izolimit, për personat e arrestuar, kushtet janë të tmerrshme.
Komiteti i Parandalimit të Torturës ka vizituar në mënyrë të paparalajmëruar qendrat e paraburgimit dhe burgjet në Shqipëri dhe së fundi ka publikuar një raport mbi gjendjen në këto institucione. Ekspertët që kanë hartuar raportin theksojnë se qendrat e izolimit në polici, ku të ndaluarit mbahen deri në 96 orë, ishin në kushte të tmerrshme në Burrel, Durrës, Elbasan, Fushë-Krujë, Pogradec dhe Shkodër. Ambientet ishin rrënuar, kishte qasje të kufizuar në dritën natyrore dhe sisteme të dobëta ajrosjeje. Ambientet e izolimit ishin mobiluar në mënyrë të pamjaftueshme, pasi nuk ka shtretër në shumicën e tyre. Ambientet janë të pista, dyshekët dhe batanijet janë të shkatërruara, thuhet në raport. Sipas tij, këto ambiente nuk kanë as ngrohje gjatë kohës së dimrit. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës u vu re se mbaheshin dy persona në një hapësirë prej 3.5 metrash katrorë. Me përjashtim të stacionit policor të Burrelit, asnjë nga qendrat e vizituara nuk është e pajisur me dush dhe personat e paraburgosur nuk kishin mundësi për të larë vetveten. Personave nuk u janë dhënë produkte higjiene, ndërsa në disa prej stacioneve policore të vizituara, si Durrës, Elbasan, Pogradec dhe Shkodër, personave të paraburgosur u është mohuar qasja në tualet gjatë natës, thuhet në raport. Kushtet materiale ishin të varfra edhe në shumë qeli të Burgut të Burrelit dhe disa njësi në Burgun Nr. 313 në Tiranë ishin të mbipopulluara rëndë (deri në katër persona në qelitë me sipërfaqe 9 m²). Në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare informojnë KPT-në se në të ardhmen e afërt do të fillojë ndërtimi i një qendre të re të paraburgimit në Kukës, si dhe dhomat e reja të shoqërimit në Tiranë, thuhet në deklaratën e publikuar në Strasburg për Shqipërinë.
RASTET E DHUNËS
Në deklaratën shoqëruese të raportit thuhet se përsa u përket burgjeve, marrëdhëniet personel-të burgosur në tërësi u dukën se ishin mjaft të qeta dhe dhuna ndërmjet të burgosurve nuk dukej të ishte një problem i madh. Megjithatë, në Burgun e Korçës, Burgu Nr. 313 i Tiranës dhe në Qendrën e Paraburgimit në Durrës, disa të burgosur pretenduan se ishin keqtrajtuar fizikisht nga anëtarët e grupeve të ndërhyrjes speciale në këto objekte. Vetë raporti i Këshillit të Europës thekson se nuk u konstatuan raste të dhunës së qëllimshme ndaj të burgosurve. Në raport thuhet, megjithatë, se në Burgun e Korçës, në Burgun 313 në Tiranë, si dhe në paraburgimin e Durrësit, delegacioni ka marrë disa pohime për keqtrajtim fizik (shuplakë, rrahje me shkop etj.). Të arrestuarit kanë akuzuar për këto akte anëtarët e grupeve të ndërhyrjes policore, duke përmendur si raste tipike ato të transferimit nga qelitë për në dhomat e izolimit si masë ndëshkimore. Në Korçë, delegacioni ka dëgjuar akuzat e disa të miturve që mbaheshin në qelitë e burgut, të cilët thanë se ishin qëlluar me grushte nga zyrtarët e burgut, pasi ata kishin kërkuar vazhdimisht që të lejoheshin për të shkuar në tualet. Në fund të vizitës, gjatë bisedimeve me autoritetet shqiptare, delegacioni shprehu shqetësimin në lidhje me këto pohime. Më 17 gusht 2010, autoritetet shqiptare informuan Komisionin e Parandalimit të Torturës (KPT) se kanë nisur hetimet për evidentimin e rasteve të dhunës dhe marrjen e masave për personat përgjegjës. KPT-ja, thuhet në raport, thekson faktin se autoritetet shqiptare kanë dështuar për të ndërmarrë veprim të menjëhershme për siguruar që akuzat e lartpërmendura të hetohen në mënyrë efektive.

Burgu i Burrelit që nga 1930, me lagështirë
Duke analizuar kushtet e godinave të burgjeve, raporti i Këshillit të Europës thekson se disa objekte të tilla datojnë që nga vitet 1930. Duke përmendur në këtë rast Burgun e Burrelit, për shkak të vjetërsisë, ambientet e burgut ishin dukshëm të ndikuara nga lagështira. Shumica e dhomave janë në një gjendje të mjerueshme dhe në nevojë për riparim. Shumica e dhomave janë përgjithësisht të pastra, megjithatë, qasja në dritën natyrore ishte e varfër. Në shumë qeli kjo ishte joekzistente për shkak të mungesës së një dritareje. KPT-ja rekomandon që të ndërmerren hapa urgjentë për të korrigjuar këtë mangësi serioze. Të gjitha qelitë e burgut duhet të jetë e pajisura me një dritare. Dizajni i dritareve duhet të lejojë qasje adekuate në dritën natyrore, thuhet në raportin e Këshillit të Europës për Shqipërinë.

Riintegrimi i të rinjve të arrestuar për krime
Raporti i ekspertëve të Këshillit të Europës verën se në burgjet e Korçës, Fushë-Krujës dhe qendrën e rehabilitimit të të miturve në Kavajë, aplikohen kushte të mira për të rinjtë e arrestuar. Veç mobilimit adekuat të qelive dhe ambienteve që kanë qasje të mjaftueshme në dritë, sipas raportit, në qendrën e riintegrimit në Kavajë personat me liri të kufizuar kanë akses në TV ashtu si në Burgun e Korçës, ku veç kësaj, janë aplikuar edhe mundësitë e ushtrimit të besimeve fetare nga të ndaluarit. Po kështu, në Burgun e Fushë-Krujës janë aplikuar metoda mësimdhënieje për të plotësuar të drejtat arsimore të të ndaluarve. Në këto raste, raporti verën se kushtet e trajtimit të personave që mbahen të ndaluar apo nën arrest kanë qenë të lavdërueshme. Inspektimi kontrollues i KIE-së duket se veç mangësive, vlerëson edhe rastet e trajtimit të mirë të personave me liri të kufizuar.

POLICIA
Në lidhje me Policinë, raporti vëren se që nga viti 2010, me urdhër të Ministrisë së Brendshme, ka nisur mbajtja e një regjistri të përgjithshëm ndalimesh. Mirëpo ky regjistër nuk përmban të dhënat e nevojshme për të mësuar nëse janë respektuar të gjitha liritë e personave të ndaluar dhe arrestuar. Sipas raportit, monitorimi me regjistrime filmike i ambienteve të izolimit dhe marrjes në pyetje e personave të ndaluar do të ndihmonte në rritjen e transparencës dhe të kujdesit për trajtimin e personave të ndaluar apo të dyshuar nga efektivat e Policisë.

SPITALET
Sipas raportit të KiE-së, kushtet e jetesës së pacientëve në Spitalin e Burgut në Tiranë janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit. KPT ka shprehur shqetësim serioz në lidhje me praktikën e vazhdueshme të përdorimit të zinxhirëve metalikë për të kufizuar në shtretërit e tyre pacientët vetëvrasës apo të shqetësuar. Në reagimin e tyre, autoritetet e shtetit shqiptar deklaruan se në të ardhmen, në raste të tilla, do të përdoren vetëm rripa lëkure. Kushtet materiale në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës ishin përgjithësisht të dobëta dhe mungesat në furnizimin me ilaçe kishin ndodhur në mënyrë të përsëritur.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›