E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohet ambulanca, vdes pacientja gjatë transportimit

Foto Ilustruese

TIRANE Një paciente 60-vjeçare, nga Fushë-Kruja, ka humbur jetën teksa transportohej me ambulancë, nga një spital privat në Tiranë, drejt banesës së saj. Ambulanca që po transportonte pacienten drejt komunës Nikël të Krujës është aksidentuar, duke u goditur nga prapa në afërsi të kthesës së Valiasit në Kamzë, të kryeqytetit. Policia e Tiranës tha dje se ka nisur procedim penal ndaj Hydajet Gashit, 50 vjeç, i cili është drejtuesi i mjetit tip Benz, me targë KR 4637 A, që ka goditur ambulancën. Sipas burimeve nga Policia, rreth orës 02:00, në rrugën Kamëz-Fushë-Krujë, te kryqëzimi i Valiasit, Gashi duke drejtuar makinën tip Benz, ka përplasur nga mbrapa mjetin ambulancë, tip Benz me targë TR 6027 R, që drejtohej nga 28-vjeçari Admir Kacani. Ai po qarkullonte nga Kamza në drejtim të Fushë-Krujës, me automjetin e një spitali privat në Tiranë. Burime nga Policia thanë se në momentin e përplasjes, në ambulancë bashkë me ekipin mjekësor ka qenë edhe pacientja Xhixhe Begdeshi, 60 vjeçe, nga fshati Kucaj, i Komunës Nikël të Krujës. Pas aksidentit, ekipi mjekësor ka vazhduar të reanimojë me tuba aspirimi pacienten, por rreth orës 02:20, mjekët që ndodheshin në ambulancë kanë deklaruar se 60-vjeçarja ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Njësisë së Qarkullimit Rrugor të Tiranës, që kanë bërë matjet e nevojshme dhe kanë shoqëruar 51-vjeçarin Hydajet Gashi, i akuzuar si shkaktar i aksidentit. Ndërsa pacientja që kishte ndërruar jetë në ambulancë, u transportua drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e autopsisë. Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur nga mosfunksionimi i frenave dhe lëvizja me shpejtësi tej normave të lejuara e drejtuesit të mjetit Benz.

Pacientja
Viktima, Xhixhe Begdeshi, 60 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në ambulancë 20 minuta pas aksidentit, ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore që në momentin kur është nisur nga spitali drejt banesës së saj. Kanë qenë të afërmit e pacientes, ata që kanë kërkuar nxjerrjen e saj nga spitali privat në Tiranë, ku mbahej e shtruar prej disa ditësh, duke qenë se gjendja e saj shëndetësore ishte e rëndë. Sipas mjekëve ligjorë, që kanë kryer ekspertizën e viktimës, mësohet se pacientes i kishin mbetur vetëm pak ditë jetë nga sëmundja e rëndë që vuante prej kohësh, por shkak për vdekjen e saj është bërë edhe tronditja e madhe e shkaktuar nga aksidenti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›