Merrnin ryshfete nga tregtarët, pranga doganierëve të Tushemishtit
POGRADEC – Dy doganierë të pikës së kalimit kufitar të Tushemishtit janë vënë në pranga nga policia pasi kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar kalimin e mallrave kontrabandë. Së bashku me ta është arrestuar edhe një tregtar nga Pogradeci, i cili pasi u ka dhënë ryshfet dy doganierëve. Sipas të dhënave të policisë, Dëfrim Selko dhe Ardian Dhami, punonjës të kësaj dogane, prej një viti merrnin ryshfet nga tregtarët e mallrave ushqimorë, duke lejuar kalimin e mallrave të ndryshme të blera në shtetin maqedonas pa shlyer detyrimet përkatëse. E njëjta skemë është përdorur dhe nga tregtari Arshim Malçellari. Pasi blinte vazhdimisht produkte ushqimore në Maqedoni, tregtari i kalonte ato në këtë doganë përgjatë kohës kur dy doganierët ishin duke kryer turnin e tyre, duke i shpërblyer me shumë të varijueshme të hollash. Policia bëri të ditur se ka qenë një operacion i koduar Liqeni ai që ka bërë të mundur arrestimin e dy personave si dhe është bërë bllokimi i mjetit të Malçellari, ku ndodheshin 400 kg djathë, 43 litra vaj, 137 kg kërpudha. dh.d