E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, atentat 35-vjeçarit nga Saranda, dyshohet hasmëri

Viktima Dhimitër Gjika, vrarë mbrëmë në Fier

Katër plumba pistolete i marrin jetën Dhimitër Gjikës.

I merret jeta në një atentat mafioz 35-vjeçarit Dhimitër Gjika. Viktima, me origjinë nga Saranda, jetonte prej 1 viti në qytetin e Fierit, në një banesë me qira. Persona ende të paidentifikuar e kanë qëlluar për vdekje me 4 plumba pistolete në momentin kur ai kishte parkuar makinën dhe po ecte në trotuar. Krimi u shënua rreth orës 21:30 të mbrëmjes në lagjen 29 Nëntori, në afërsi të qendrës së qytetit të Fierit. Ndonëse një zonë tejet e frekuentuar gjatë ditës, në ato momente kanë munguar dëshmitarët, moment që u shfrytëzua nga autorët e krimit. Sipas Policisë së Fierit, viktima Gjika ka qenë i vetëm duke ecur në rrugë kur i është afruar një makinë me ekzekutorin brenda. Ndaj 35-vjeçarit janë qëlluar 4 plumba nga një pistoletë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Krismat e armës së zjarrit kanë nxjerrë jashtë banorët e zonës, të cilët lajmëruan policinë me shpejtësi. Nga të dhënat e para rezulton se Dhimitër Gjika ishte nga Saranda, i shpërngulur në qytetin e Fierit pak muaj më parë. Banorët e lagjes 29 Nëntori, e njihnin vetëm si pamje, por nuk kishin të dhëna për të. Policia ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes, por nisur nga rrethanat e kryerjes së ekzekutimit, sipas saj bëhet fjalë për një krim mafioz. Fakti që Gjika ishte banor i ri i qytetit, ka bërë që Policia e Fierit të mos kishte shumë të dhëna për të. Dyshimet e para lidhen me ndonjë hasmëri të vjetër, prej së cilës 35-vjeçari ka dashur të shmanget, duke u transferuar në një tjetër qytet. Gjithsesi, këto janë të dhënat e para të mbledhura deri afër mesnatës, të cilat pritet të sqarohen nga policia gjatë ditës së sotme.
Brenda tri ditësh, vrasja e Dhimtër Gjikës shënon viktimën e tretë në vend. Një i ri u qëllua të shtunën në mbrëmje në qytetin e Vlorës nga shoku i tij, ndërsa disa orë më vonë në Elbasan u ekzekutua një tjetër 20-vjeçar.

Një në pranga për vrasjen e Donald Lamçes
ELBASAN – Një sherr i çastit, para se 20-vjeçari Donald Lamçja të niste darkën me shokët në fshatin Bujqës ka qenë dhe shkaku që solli ekzekutimin e tij mbrëmjen e së shtunës. Sipas Policisë së Elbasanit, autori është identifikuar si 18-vjeçari R.Lleshanaku, banues në të njëjtin fshat ku ndodhi krimi. Në pranga ka rënë kushëriri i parë i tij, Gentian Lleshanaku, i cili sipas policisë shoqëroi autorin dhe më pas e largoi atë nga vendi i krimit. Gjatë një kontrolli të kryer në banesën e Lleshanakut, policia ka sekuestruar armën me të cilën është kryer krimi. Sipas Policisë, mes autorit dhe viktimës, para se të ndodhte krimi, ka pasur një debat, motivi i të cilit pohohet se ishte i rëndomtë. Duket se autori, banor i fshatit Bujqës nuk e ka duruar dot konfliktin me të riun nga Elbasanin, çka ka sjellë dhe agravimin e situatës. R.Lleshanaku mësohet se ka shkuar në banesën e tij në fshatin Bujqës prej nga është kthyer me një kallashnikov, duke e qëlluar për vdekje.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›