Panik katër orë, gruaja në ballkon: Do të vetëflijohem!

Gjatë operacionit për shpëtimin e 44-vjeçares
FIER/ Kërkonte vajzën e martuar: E kanë rrëmbyer.
Dhjetëra qytetarë përjetuan momente paniku në Fier, kur një grua kërcënonte se do të vetëhidhej nga ballkoni i katit të pestë. Për afro 4 orë, 44-vjeçarja Eli Myrtellari thërriste e alarmuar se i kishin rrëmbyer vajzën. Sipas fqinjëve, sjelljet e saj kanë qenë të çuditshme. Kur e kanë pyetur se çfarë kishte, ajo u është përgjigjur se i kishin rrëmbyer vajzën. Duke parë gjendjen, fqinjët kanë tentuar të hyjnë nga dera, por 44-vjeçarja e kishte të mbyllur atë. Ne e njohim pak Elin, pasi ajo ka jetuar në Greqi për shumë vite. U kthye një vit më parë pasi i vdiq i shoqi. Meqenëse e njohim pak, nuk kishim dijeni për vajzën e saj. Menduam se ishte e vërtetë që ia kishin rrëmbyer dhe lajmëruam policinë. Edhe kur erdhi policia, ajo nuk bindej që të hapte derën, u shpreh F.M, fqinje e gruas. Myrtellari hidhte sende nga ballkoni apo godiste me to dyert e fqinjëve. Ajo kërcënonte se do të hidhej nga ballkoni nëse nuk i gjendej vajza.
Duke parë gjendjen e rënduar psikologjike të saj, policia shkoi dhe i mori të bijën që ishte e martuar prej dy vjetësh në një fshat të Fierit. Vajza i ka folur së ëmës duke i thënë se është shëndoshë e mirë, por ajo vijonte të mos e hapte derën

Eli Myrtellari
dhe hidhte nga ballkoni sende, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve. Më ktheni vajzën që ma kanë grabitur, vazhdonte të fliste ajo, ndonëse të bijën e kishte aty. Edhe 17-vjeçarja i kërkoi nënës të mos ndërmerrte asnjë masë ekstreme për jetën, pasi ajo ishte shëndoshë e mirë. Në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policore dhe zjarrfikëse, të cilat tentuan disa herë të negocionin me gruan. Por vetëm rreth 4 orë më pas, në çastin kur ajo ka pushuar së hedhuri sende, kanë mundur të hyjnë nga dritarja e njërës prej dhomave dy efektivë të Ndërhyrjes së Shpejtë. Në këtë mënyrë ata kanë siguruar edhe jetën e gruas. Pas këtij operacioni, 44-vjeçarja u dërgua në spitalin e Fierit në gjendje të rënduar psikologjike.
FIER/ MAJLINDA RAMA