Falsifikuan zgjedhjet, Prokuroria çon në gjyq 8 komisionerë
LEZHE/ Firmosën edhe në emër të emigrantëve. I djathti fitoi komunën me 216 vota më tepër.
Prokuroria zbardh abuzimet në një qendër votimi të Dajçit.
Abuzimet me zgjedhjet e 8 majit të shkuar çojnë në gjyq 8 komisionerë. Disa muaj hetime kanë bërë që Prokuroria e Lezhës të shpallë të pandehur drejtuesit dhe anëtarët e qendrës së votimit nr.0699 të ndodhur në fshatin Dragushë, komuna Dajç në Lezhë. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve të kryer në bashkëpunim, edhe pse i përkasin katër PD-së dhe LSI-së dhe 4 të tjerë PS-së e PBDNJ-së. Denoncimin ndaj tyre e ka bërë kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Rrok Rroku, i cili humbi zgjedhjet për kreun e komunës Dajç përballë Gjergj Doçit. Para trupit gjykues do të dalin: kryetari i QV-së, Lulzim Paloka, nënkryetari Ndoc Marku, si dhe anëtarët Mark Kola, Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi si dhe Gent Marku, të gjithë të hetuar në gjendje të lirë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë nënshkruar vetë në listën e zgjedhësve; kanë plotësuar fletë votimi e kanë votuar në emër të zgjedhësve që nuk janë paraqitur për të votuar e që nuk kanë qenë as në Shqipëri. Në këtë mënyrë ata kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, të kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, këta të pandehur duke qenë me detyrën e përpilimit, vlerësimit dhe ruajtjes së dokumenteve zgjedhore, kanë paraqitur në to të dhëna të pasakta e të pavërteta para qendrës së votimit me numër 0699. Prokuroria ka vërtetuar se kanë deklaruar sikur në këtë qendër, më 8 maj 2011 janë paraqitur shtetas të cilët në fakt nuk janë paraqitur; kanë shkruar në dokumentet zgjedhore numra pasaportash dhe kartash identiteti që nuk ekzistojnë ose nuk janë në emër të shtetasve, të cilët rezultojnë të kenë votuar në këtë qendër votimi, si dhe kanë hedhur fletë votimi për shtetas të cilët nuk janë paraqitur për të votuar. Në këtë mënyrë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve, të kryer në bashkëpunim. Mësohet se ndaj tetë komisionerëve më 14 qershor ka bërë kallëzim penal kandidati humbës, Rrok Rroku. Sipas kallëzimit penal rezulton se në këtë qendër votimi gjatë zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 kanë votuar 264 votues, nga 300 votues të regjistruar në listat e zgjedhësve, ndërsa përfundimi ishte 86% pro kandidatit të djathtë. Nga verifikimet që kishte bërë vetë kandidati për kryetar komune, Rrok Rroku, rezultonte se një numër më i madh personash, rreth 66 persona të cilët ishin emigrantë dhe nuk ndodheshin fare në Shqipëri, rezultonin se kishin votuar më 8 maj. Gjithashtu, edhe nënshkrimet, si dhe numrat e identifikimit në listën e zgjedhësve për këta shtetas ishin të falsifikuara. Për se ishin shkelur nenet e Kodit Zgjedhor, Rroku kërkoi procedimin penal ndaj komisionerëve të qendrës së votimit në Dragushë. Në muajin tetor, Prokuroria e Lezhës sekuestroi pranë KQZ-së kutinë e materialeve zgjedhore të qendrës së Dragushës, ku ndodhej dhe lista përfundimtare e zgjedhësve. Sipas saj rezultonte se nuk kishin votuar vetëm 36 veta. Nga ana e Policisë së Shtetit është konfirmuar se 62 banorë të zonës kanë qenë jashtë Shqipërisë më 8 maj, duke mbështetur kallëzimin e Rrokut. Akti i ekspertimit mbi listën përfundimtare të zgjedhësve konstatoi se janë 109 nënshkrime votuesish, të cilët rezultojnë të jenë shkruar nga të njëjtat persona. Po nga ky akt ekspertimi rezulton se 43 nënshkrime votuesish janë shkruar ose mund të jenë shkruar nga anëtarët e komisionit të qendrës së votimit. Nga ky akt ekspertimi rezulton se disa nga anëtarët e qendrës së votimit kanë votuar edhe për familjarët e tyre.
Të pandehur
Lulzim Paloka, kryetar i QV (PD)
Ndoc Marku, nënkryetar i QV (PS)
Mark Kola, anëtar i QV (PS)
Zef Gjoni, anëtar i QV (PBDNJ)
Pjetër Marku, anëtar i QV (LSI)
Pal Prendi, anëtar i QV (PD)
Gentian Kovaçi, anëtar i QV (PD)
Gent Marku, anëtar i QV (PS)
Zgjedhjet, dy ankesa të PS-së u rrëzuan
Më 13 maj 2011, komisioni zonal i administrimit të zgjedhjeve Nr.37, qarku Lezhë, vendosi shpalljen fitues të zgjedhjeve në komunën Dajç të Gjergj Doçit, i koalicionit Aleanca për qytetarin. Menjëherë kundër këtij vendimi ka ushtruar ankim subjekti i interesuar (Partia Socialiste) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili me vendimin e saj me Nr.727, datë 26.05.2011, ka vendosur Lënien në fuqi të vendimit me Nr.471, datë 13.05.2011, të KZAZ Nr.37, Për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për kryetarin e komunës Dajç. Edhe kundër këtij vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është ushtruar ankim pranë Kolegjit Zgjedhur. Pasi është shqyrtuar ankimimi i subjektit të interesuar, është vendosur me vendimin e saj me Nr.54 akti, datë 08.06.2011 për Rrëzimin e kërkesë-padisë së paditësit Partia Socialiste.
Dajçin e fitoi i djathti me 216 vota plus
LEZHE – Zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 shpallën fitues për kreun e komunës Dajç kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Gjergj Doçin. Ai mori 1438 vota, kundrejt rivalit të tij të Aleancës për të Ardhmen, Rrok Rroku, i cili fitoi 1222 vota. Diferenca e votimeve të përgjithshme në komunës është 216 vota, ndërsa në Qendrën e Votimit të Dragushës votuan 264 votues. Nuk dihet nëse do të ndikojë procesi hetimor për abuzimet në QV-në 0699 të Dragushës në tërësinë e zgjedhjeve në komunën Dajç.
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI