Banda e Durrësit pa gjyqtarë

Banda e Durrësit në gjyq
Apeli i Krimeve të Rënda: KLD të komandojë toga të tjera të zeza për çështjen.
Dorëhiqet trupi gjykues në Apel: Kemi papajtueshmëri.
Bllokohet në Gjykatën e Apelit shqyrtimi i dosjes ndaj 16 të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit. Apeli i Krimeve të Rënda nuk mundet të plotësojë një trupë gjykuese me pesë anëtarë për shkak të konsumimit të trupës gjyqësore gjatë kohës që dosja në fjalë ndodhej në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda. Vetëm tri ditë më parë, një pesëshe e kësaj gjykate përfundoi gjykimin e dosjes në ngarkim të Bujar Gashit, një prej të akuzuarve si anëtar i bandës, i gjykuar veçmas. Dorëheqja e trupit gjykues të Apelit u njoftua në seancën e djeshme në këtë gjykatë, e dyta në radhë nga fillimi i procesit. Seanca e zgjati vetëm pak minuta. Pasi verifikoi praninë e palëve në proces, kryesuesja e seancës, gjyqtarja Nure Dreni, relatoi faktin se trupa gjykuese nuk mund të vazhdonte më gjykimin për shkak të papajtueshmërive. Sipas gjyqtares, pak ditë më parë, anëtarët e trupës i kishin paraqitur kërkesë për dorëheqjen e tyre nga procesi te kryetari i Apelit, gjyqtari Gjovalin Përnoca. Kërkesa ishte pranuar nga titullari. Njëkohësisht u bë e ditur se i është kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë delegim i gjyqtarëve për këtë proces. Në këto kushte, seanca e ardhme e kësaj dosjeje u caktua për tu zhvilluar më 28 mars. Gjatë kësaj kohe pritet që të zhvillohet mbledhja e KLD-së, ku do të vendosen emrat e gjyqtarëve të gjykatave të tjera që do të delegohen në Apel për këtë dosje. Përjashtimi i trupës gjykuese u paralajmërua nga ana e avokatëve mbrojtës të të pandehurve që në seancën e parë të procesit, më 29 shkurt 2012. Në atë seancë, disa prej avokatëve mbrojtës kërkuan përjashtimin e trupës duke pretenduar papajtueshmëri. Për shkak të numrit të lartë të të pandehurve të dosjes së bandës së Durrësit gjyqtarët e Gjykatës së Apelit kanë shqyrtuar ankimet mbi masat e sigurisë të anëtarëve të bandës. Po ashtu, gjatë gjykimit, i cili zgjati më shumë se tre vjet në Shkallën e Parë, gjyqtarët e Apelit në vijimësi kanë shqyrtuar ankimet mbi vendime të tjera të ndërmjetme të marra nga ajo gjykatë.
DËNIMI
Më 16 janar 2012, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i dha fund shqyrtimit të dosjes ndaj bandës së Durrësit duke i shpallur fajtorë të gjithë të pandehurit. Në vendimin e saj përfundimtar, gjykata dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai dhe Endrit Dokle. Për të pandehurit e tjerë, gjykata vendosi një total prej 235 vitesh burg. Me burgim të përjetshëm u dënua edhe i pandehuri Adriatik Coli, por për shkak të statusit të të penduarit dhe bashkëpunëtorit të Drejtësisë, dënimi i tij përfundimtar shkoi në 10 vjet burg.
Trupi gjykues në Apel
Fehmi PetkuNure Dreni
Dhimitër Lara
Dhurata Haveri
Amarildo Laçi