22 mars 2008- Topalli: Shteti, angazhim maksimal që të rinisë jeta dhe të kthejmë besimin ndër banorët e dëmtuar nga shpërthimi.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli vizitoi paraditen e së shtunës fshatin Gërdec, për të takuar banorët e për të ndjekur nga afër zbatimin e masave të ndërmarra për normalizimin sa më të shpejtë të situatës.
Ajo u takua dhe bisedoi me banorë të zonës, të prekur nga tragjedia të cilët e falënderuan Kryetaren e Kuvendit dhe i kërkuan asaj mbështetje për të rinisur sa më shpejt ndërtimin e shtëpive të tyre.
Zonja Topalli i siguroi edhe një herë banorët e Gërdecit se Qeveria dhe i gjithë shteti është i angazhuar plotësisht në menaxhimin sa më efikas dhe të shpejtë të situatës, për energjinë, ujin, rindërtimin e shtëpive, për të bërë kompensimin sipas faktimeve të kryera nga grupet e vlerësimit, të ngritura në zonë.
Ne po veprojmë shumë shpejt që të rinisë jeta dhe të kthejmë besimin tuaj
tek ajo, tha zonja Topalli, duke shtuar se kjo kërkon një kurajo të madhe.
Mua më vjen shumë mirë, që ju keni filluar rindërtimin e shtëpive tuaja, aty ku kjo gjë ka mundësi të bëhet, dhe kjo më bind se ju, jeni njerëz me kurajo të madhe.
Zonja Topalli u njoh me propozime të banorëve të dëmtuar, mbi mënyrat më efikase të marrjes së dëmshpërblimit dhe siguroi se Qeveria nuk do të kursehet në mbështetjen financiare e do të vazhdojë tu qëndrojë pranë banorëve, si deri më tani, në mënyrë që në një kohë sa më të shpejtë të fillojë rikuperimi i dëmeve materiale, gjë që natyrisht kërkon mendimin e të gjithë komunitetit.