4 prill 2008 Topalli: Të krijohet Network-u Atlantik i të Rinjve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mori sot pjesë në një takim me studentë, nxënës, shoqata rinore, dhe anëtarë të Parlamentit Rinor.
Në takim ishin të ftuar Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, zëvendësiministra dhe deputetë.
Në fjalën përshëndetëse Kryetarja Topalli vlerësoi dhe përgëzoi pjesëmarrjen e të rinjve, në proceset integruese. Duke i cilësuar si pjesë shumë e rëndësishme e këtyre proceseve, znj. Topalli tha:
Në fakt sot është një ditë e veçantë dhe unë do të dëshiroja që këtë takim ta konsideronim një festë të përbashkët për ngjarjen më të jashtëzakonshme që na ka bërë të lumtur, për marrjen e ftesës në NATO.
Është një ditë e veçantë për mbështetjen që një ndër samitet më të mëdha të vetë Nato-s , presidenti i SHBA dhe krejt vendet anëtare dhanë për Shqipërinë, për të vlerësuar dhe përpjekjet e shqiptarëve , të prindërve tuaj, baballarëve, nënave tuja në përpjekjet 17 vjeçare, duke bërë të mundur që Shqipëria të reshtohet përherë të parë në historinë e saj pranë fuqive të mëdha globale , në Aleancën e lirisë, në Aleancën e të mirës.
Këtu doja të theksoja faktin se në NATO, së bashku me Asamblenë e Përgjithshme, ka patur një Asamble shumë të veçantë, Asambleja e Atlantikut të të Rinjve.
Ndaj dhe unë jam sot këtu, që së bashku me iniciativën e Parlamentit Rinor, tju bëj thirrje që të bëheni pjesë e ndërtimit të një Networku Atlantik të të Rinjve.
Në këtë mënyrë do të bëni të mundur që në diskutimet periodike me liderët e partive, politikanë, parlamentarë të ndryshëm si dhe me institucione të shtetit, të kuptoni me çfarë sfidash, Shqipëria duhet të përballet, në këtë shekull të ri.
Në qoftë se ju vërtetë angazhoheni dhe bëheni pjesë e këtij networku, unë jam e sigurt se disa prej jush mund të jenë realisht liderët e rinj, liderët e së ardhmes të NATO-s.
Edhe njëherë shpreh atë që çdo shqiptar ndjen, përjeton dhe projekton për të ardhmen.
Është hera e parë që Shqipëria projekton në mënyrë të sigurt të ardhmen.
Marrja e ftesës në NATO do të thotë siguri më e madhe për vendin, do të thotë stabilitet më i madh për rajonin, do të thotë investime të huaja, rritje ekonomike. Por, njëherësh, do të thotë një axhendë e re reformash, axhendë e cila, do të fillojë për tu avancuar e progresuar më tej, që ditën e hënë në parlament.
Kjo të thotë reforma në institucione të sigurisë, kjo do të thotë reforma të mëdha të ndërtimit të një shteti modern, tha Kryetarja Topalli.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave pas takimit me të rinjtë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha:
Marrja e ftesës na bën të reflektojmë për emergjencën e reformave shtetërore dhe kjo reformë nënkupton, reformë në drejtësi, në institucionet e sigurisë, në reformën zgjedhore dhe në fushat e tjera. Sigurisht reformat janë një emergjencë dhe do ngjallin edhe debate, por ato janë një domosdoshmëri.
Asnjë hap përpara në konsolidimin e institucioneve nuk mund të realizohet pa një vullnet të fortë dhe bashkëpunim të forcave politike kryesore dhe të të gjitha forcave parlamentare.
Natyrisht që kjo kërkon liderë të fortë, që guxojnë të ndërmarrin këto reforma
Kërkohet një bashkëpunim i fortë midis atyre që realisht besojnë në integrimin në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Takimi i sotëm ishte një rast për të bashkëbiseduar me të rinjtë, që të fillojnë që në gjimnaz për të punuar në ndërtimin e network-ut të atlantistëve të rinj, sikurse bëjnë të gjithë të rinjtë, dhe studentët e vendeve anëtare të NATO-s.
Pyetjes nëse protestat e opozitë cënojnë procesin e konsensusit për reforma, Kryetarja e Kuvendit u përgjigj:
Forcat politike janë aq serioze për të kuptuar obligimin që ato kanë për të vazhduar rrugën e reformimit të institucioneve shtetërore dhe në kontributin për ndërtimin e shtetit modern shqiptar.