3 prill 2008 - Shqipëria merr ftesën për anëtarësim në NATO
Kuvendi përcjell drejtpërdrejt punimet e Samitit të NATO-s që zhvillon punimet në Bukuresht të Rumanisë
Kuvendi u mblodh në një seancë të veçantë ditën e enjte, më 3 prill 2008, ora 10:00, ku u përcoll drejtpërdrejt nga Bukureshti marrja nga Shqipëria e ftesës për anëtarësim në NATO në samitin e radhës që po zhvillon punimet në kryeqytetin rumun.
Në fjalën e saj përpara deputetëve, Kryetarja Topalli e cilësoi këtë si një ditë
historike për Shqipërinë e popullin shqiptar dhe, marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, si një përgjigje të progresit, angazhimit, përkushtimit, seriozitetit dhe rezultateve në reforma.
"Kjo është koha e ngjarjeve të mëdha për kombin shqiptar. Është koha e sukseseve të mëdha, koha e datave historike.
Nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Europian, nisja e negociatave për liberalizimin e vizave, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe sot marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, janë ngjarje të përcjella me emocion nga kjo sallë.
Nëse viti '90 shënoi ndarjen nga diktatura, dita e sotme shënon ndarjen nga tranzicioni politik dhe nisjen e nje etape të re," tha ndër të tjera Kryetarja e Kuvendit.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarja Topalli falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në arritjen e kësaj dite, miqtë e Shqipërisë dhe veçanërisht Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, ushtrinë shqiptare e cila lufton përkrah forcave aleate kundër terrorizmit, si dhe të gjithë patriotët që në breza e kohë të ndryshme kanë mbrojtur kombin shqiptar e lirinë e tij.
"Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është ngjarje e jashtëzakonshme që kërkon nga të gjithë ne një përgjigje të jashtëzakonshme, një angazhim e seriozitet të jashtëzakonshëm," tha Kryetarja Topalli.
Marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO e përshëndetën edhe përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare, të cilët u shprehën se ky është realizimi i një ëndrre.
Në emër të Grupit Parlamentar LSI+PDS, kreu i këtij grupi, Pëllumb Xhufi tha se kjo është një ditë e madhe dhe historike për Shqipërinë, e cila lidh një nyje të fuqishme me botën perëndimore. Z. Xhufi uroi që deri në anëtarësimin e plotë në NATO klasa politike të mund të plotësojë ato angazhime dhe detyrime që kanë të bëjnë luftën kundër korrupsionit dhe realizimin e reformës në drejtësi dhe reformës zgjedhore.
Në emër të Grupit Parlamentar Qendra Demokrate, deputeti Spiro Peçi u shpreh se kjo është një ditë e shënuar, që meriton të festohet. Z. Peçi përshëndeti të gjithë shqiptarët të cilët kanë treguar me vendosmëri se dëshirojnë të ecin me hapa të sigurtë e të shpejtë drejt strukturave euroatlantike.
Në emër të Grupit Parlamentar, Qendra Liberaldemokrate, z. Neritan Ceka u shpreh se klasa politike ndodhet në prag të realizimit të premtimit të bërë 18 vjet më parë për një Shqipëri si e gjithë Europa. Z. Ceka uroi që në Parlament, i cili është tempulli i politikës, të tregohet vullneti për të bashkëpunuar dhe për t'i shërbyer më mirë zgjedhësve.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Kristiandemokrate, deputeti Jak Ndokaj shprehu urimet për këtë ngjarje historike, e cila, siç vuri në dukje z. Ndokaj, është sukses i të gjithë shoqërisë shqiptare. Z. Ndokaj vlerësoi veçanërisht ish-të përndjekurit politikë të cilët sakrifikuan jetën dhe familjet për një të ardhme europiane, studentët e lëvizjes së dhjetorit, të cilët krijuan mundësinë e ndryshimit të shoqërisë, si dhe ushtrinë shqiptare, që ka përballuar me sukses reformat e kërkuara.
Deputetja Diana Çuli, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, e konsideroi ftesën për anëtarësim në NATO si një meritë të popullit shqiptar. Znj. Çuli vuri në dukje se Shqipëria ka treguar gjithnjë një rol stabilizues në rajon, ndërsa theksoi se progresi në reforma mbetet kusht vendimtar për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar Demokrat Reformator, deputeti Trian Shehu u shpreh se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO përmbush një nga aspiratat e mëdha kombëtare. Z. Shehu tha se kjo ngjarje na bën të aspirojmë dhe të mendojmë se shpejt do të vijë edhe anëtarësimi në Bashkimin Europian, ku Shqipëria e ka vendin.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, z. Fatmir Mediu tha se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është një arritje e përbashkët dhe për këtë arsye të gjithë shqiptarët duhet të festojnë së bashku. Z. Mediu u shpreh se ky është rezultat i një procesi të gjatë reformash dhe fryt i gjykimit properëndimor, duke nënvizuar mbështetjen që vendet anëtare të NATO-s, veçanërisht Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Erion Braçe theksoi se ky është një moment kur duhet vlerësuar populli shqiptar dhe vokacioni i tij properëndimor. Z. Braçe tha se shqiptarët kanë luftuar historikisht për ato vlera që sot qëndrojnë në themel të NATO-s. Duke e konsideruar anëtarësimin në NATO dhe BE si një mision të të gjithë klasës politike, z. Braçe shprehu vullnetin e opozitës për të çuar përpara reformat.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputeti Ilir Bano tha se marrja e ftesës në samitin e Bukureshtit, është kurorëzimi i përpjekjeve shumëvjeçare për një demokraci funksionale dhe shtet ligjor. Duke e cilësuar këtë moment si realizimin e një ëndrre, z. Bano u shpreh se ftesa për anëtarësim në NATO është vlerësim i hapave të ndërmarrë, si dhe një ftesë për të gjitha forcat politike që të plotësojnë standardet perëndimore.
Më pas, në sallën e Kuvendit u përcoll drejtpërdrejt konferenca për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, I cili njoftoi se gjatë punimeve të samitit Shqipërisë dhe Kroacisë I është ofruar ftesa për anëtarësim në NATO.
Në mbyllje të kësaj seance të veçantë, Kryetarja Topalli uroi edhe njëherë të gjithë shqiptarët për këtë ngjarje historike.