8 mars 2008 - Topalli takon në Kuvend artiste, juriste, gazetare, biznesmene, pedagoge, mjeke në Ditën Ndërkombëtare të Gruas
Nga ana e saj, zonja Topalli tha se: Gratë, por edhe e gjithë shoqëria shqiptare duhet të punojë, jo vetëm për gra të lumtura, por për gra të realizuara në jetë! Le të drejtojë, kjo ditë simbol gjithë axhendën e shoqërisë shqiptare.
Kryetarja Topalli priti fillimisht, në hollin e Kryesisë së Kuvendit, një grup fëmijësh nga disa kopshte të Tiranës me edukatoret e tyre, të cilët improvizuan një spektakël, ku ndërthureshin vjershat për nënën me kërkesat për të drejtat e fëmijëve.
Më tej, Kryetarja e Kuvendit priti një grup artistesh, mes të cilave aktore të njohura të Teatrit Kombëtar si E. Luarasi, M.Ljarja, R. Bulku, E.Anda, etj., valltare, muzikante dhe soprano të Teatrit të Operas dhe Baletit si E. Mihali, M. Leka, I. Qirjako, si dhe gra profesioniste të arteve pamore si A. Zajmi e S. Varvarica.
Kryetarja e Kuvendit takoi shkrimtare,poete e gazetare si: N. Lako, E. Kadare, Sh. Vreto, E. Ballauri, B. Mema e F. Rama, si dhe pedagoget e universiteteve të Tiranës, mjeke e gra biznesmene, të cilat kishin ardhur me këtë rast edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë për të vizituar Kuvendin dhe për t'i uruar Kryetares së Kuvendit, 8 Marsin.
Gjithashtu, Kryetarja Topalli u takua me gra të thjeshta, të cilat iu përgjigjën me kënaqësi ftesës publike bërë nga zonja Topalli.
Në këto takime, Kryetarja Topalli vlerësoi jetik kontributin që këto gra japin në familje dhe shoqëri si gra dhe nëna të përkushtuara.
Gjatë takimeve gratë falënderuan dhe vlerësuan rolin e Kryetares në përmirësimin e legjislacionit në mbështetje të të drejtave të grave,pozicionit të tyre në familje e shoqëri, si dhe për fushatat e saj ndërgjegjësuese në mbrojtje të shëndetit të gruas.
Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.