21-vjeçari plagoset me armë zjarri, ende nuk janë gjetur autorët e ngjarjes
Shkodër - Në fshatin Kir të Dukagjinit është plagosur me armë zjarri 21-vjeçari Valentin M., lindur e banues në po këtë fshat, për arsye ende të pazbuluara nga ana e policisë. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore rezulton se i lartpërmenduri është plagosur lehtë në këmbë me armë zjarri, brenda në banesën e tij, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Forcat e policisë po punojnë për dokumentimin e plotë ligjor dhe zbardhjen e rrethanave e motiveve të kësaj ngjarjeje.
Kalonte pikën e kufirit me armë të fshehur në makinë, ndalohet 23-vjeçari
Gjirokastër – Forcat e Policisë së Gjirokastrës kanë arrestuar në flagrancë 23-vjeçarin Spiro Ziu, lindur dhe banues në Selenicë të Vlorës, pasi duke kaluar pikën kufitare të Kakavijës, me automjetin e tij “Ford Rio”, gjatë kontrollit të ushtruar në të, iu gjet një armë zjarri automatike model 56 e tipit kallashnikov. Sipas të dhënave të policisë, arma ishte fshehur në pjesën e pasme të motorit, poshtë baterisë së makinës. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe specialistët e Parandalimit të Krimit, të cilët kanë bërë shoqërimin e tij për në Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe arrestimin në flagrancë të tij për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe automjeti me të cilin udhëtonte ky shtetas. Bëhet e ditur se ai po udhëtonte së bashku me K. V., nga Kreta, të cilën e kishte të njohurën e vet dhe e kishte marrë për vizitë në Shqipëri. Ajo, pas deklarimeve të dhëna, është lënë e lirë.
Lazaratasi, sherr me forcat e policisë pas një debati për një karambol makinash
Gjirokastër – Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë arrestuar në flagrancë 46-vjeçarin Shamet Aliko, banues në fshatin Lazarat, pasi pas një konflikti me A. B., për një problem të vjetër karamboli makinash, ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë. Bëhet e ditur se këta të fundit kishin shkuar në vendin e ngjarjes, në bazë të një telefonate të bërë për këtë konflikt, për t’i shoqëruar në komisariat të dyja palët, me qëllim zgjidhjen e tij. Por kundërshtimi ndaj tyre bëri që Aliko të përfundojë si i arrestuar në flagrancë. Ai do të hetohet për veprën penale të “kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë”.
27 Prill 2009