Flaku poshtë urës thesin me 5 kg drogë në kurriz kur pa se po e ndiqnin
Gjirokastër – Po transportonte në krahë në mes të natës një thes me lëndë narkotike, por sa e nuhati që po ndiqej nga forcat e policisë, e hodhi menjëherë poshtë urës. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të fshatit Gorricë të rrethit Gjirokastër dhe sipas të dhënave të policisë është bërë ndjekja, por ende nuk është bërë e mundur kapja e autorit të saj. Burimet tregojnë se si lënda narkotike, pas hetimeve, rezultoi të ishte marijuanë dhe se autori i ngjarjes e ka hedhur atë poshtë urës, midis fshatit Terihat dhe Gorricë, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Ai, duke përfituar nga errësira, është larguar me shpejtësi, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë, por këto të fundit kanë bërë të mundur gjithsesi identifikimin e tij. Në vendngjarje shkoi grupi hetimor, ku ka konstatuar se në thes kishte 5 pako një-kilogramëshe, të mbështjella më letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë.
Operacioni, bllokohet në ujërat e Sarandës skafi me 300 kilogramë kanabis
Sarandë – Plot 300 kilogramë lëndë narkotike, e cilësuar si kanabis, po transportohej në orët e para të mëngjesit me një skaf përmes ujërave të Sarandës në drejtim të Greqisë. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga burime policore, të cilat sqarojnë se sekuestrimi i kësaj sasie të konsiderueshme lënde narkotike u bë i mundur falë një operacioni të mirorganizuar prej tyre. Të dhënat paraprake tregojnë se skafi ka qenë 5 metra i gjatë dhe është bllokuar nga forcat e policisë dhe të antidrogës në vendin e quajtur “Pema e thatë”. Në momentin e operacionit në skaf ndodheshin dy persona dhe policia bën të ditur se ka arritur të kapë njërin prej tyre, ndërsa tjetri është larguar për momentin në drejtim të paditur. Ende nuk jepen të dhëna për identitetin e personit të ndaluar, ndërsa mendohet se persona të tjerë fshihen pas këtij trafiku. Kjo është sasia e dytë e madhe që kapet në Sarandë pas operacionit në nëntor të vitit të kaluar kur policia e këtij qyteti sekuestroi po 300 kg kanabis në Delvinë.
27 Prill 2009