E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen dy punonjës të tavernës, nuk kallëzuan krimin në polici

Një ngjarje kriminale në vendin e tyre të punës u kushtoi prangat. Korab Çejku u plagos me armë zjarri në një tavernë në Rrugën e Durrësit

Tiranë – Policia arrestoi dje dy punonjës të një taverne në kryeqytet, pasi nuk dhanë shpjegime për një plagosje që ndodhi në vendin e tyre të punës. Ngjarja, e cila ka çuar në qeli 26-vjeçarin Adriatik Qarri dhe 40-vjeçaren Mimoza Sukaj, ndodhi në orët e para të ditës së djeshme, kur në tavernën ku ata punojnë, te Rruga e Durrësit në Tiranë, u plagos me pistoletë 26-vjeçari Korab Çejku.
Hetimi
Burime zyrtare nga policia thanë se nga hetimet rezulton se i dëmtuari ka qenë në tavernë deri në orët e para të mëngjesit dhe për motive të dobëta, në gjendje të dehur, ka debatuar me disa persona, mes të cilëve edhe me 32-vjeçarin Martin Gjinaj. Dyshohet se Gjinaj e ka qëlluar me pistoletë 26-vjeçarin Çejku, duke e plagosur rëndë në trup dhe më pas është larguar. Oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve në policinë e kryeqytetit mbërritën menjëherë në tavernë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke marrë në pyetje dëshmitarët. Por mësohet se policia është përballur me kundërshtimin e punonjësve të tavernës, të cilët nuk kanë dhënë shpjegime për ngjarje, gjë që u ka kushtuar atyre prangat, pasi akuzohen për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes, Martin Gjinaj, i cili akuzohet për veprat penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve”.
Rastet
Policia ka operuar në të njëjtën mënyrë në disa raste të vitit të kaluar. Një nga rastet që është çuar për gjykim për moskallëzim në cilësinë e të pandehurit është ai i shefit të klinikës “ABC”, Guy Eshelman, që firmosi për impotencën e David Braunit, britanikut të akuzuar për pedofili dhe fshehu abuzimet seksuale që kryheshin ndaj të miturve. Më 14 nëntor 2008 mjekut i është komunikuar akuza e “moskallëzimit të krimit”. Nga hetimet disamujore prokuroria ka arritur në konkluzionin se Eshelman ka pasur dijeni për abuzimet seksuale që kryheshin me fëmijët e strehuar në qendrën “Fëmijët e tij”. Një rast tjetër i takon 11 shkurtit po të vitit të kaluar, kur u aksidentuan rëndë 2 fëmijë në rrethrrotullimin pranë Doganës së Tiranës. Bashkë me drejtuesin adoleshent të mjetit përfunduan në qeli për moskallëzim krimi edhe Erjon Hoti dhe Armando Zhegu. Në të njëjtin status ka qenë edhe tatimori Aurel Cenolli, i cili u la në arrest shtëpie për moskallëzim krimi gjatë arrestimit dhe gjykimit të dosjes së 4 tatimorëve të arrestuar për korrupsion fillimin e vitit 2008.

27 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›