KESH: Në maj do të nisë projekti për ruajtjen e digave mbi Drin dhe Mat
Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare do të prezantojë në muajin maj studimin mbi projektin për sigurinë e digave në hidrocentralet kryesore të vendit mbi lumenjtë Drin dhe Mat, me vlerë 28 milionë euro. "Zbatimi i këtij projekti që pritet të fillojë në 6 mujorin e dytë të këtij viti do të përfundojë brenda 2 viteve", bëri të ditur nëndrejtori i KESH-it, Muharrem Stojku. Sipas tij, projekti që do të garantojë siguri maksimale, do të përfshijë edhe monitorimin e hidrocentralit të Ulzës dhe Shkopetit. Nëndrejtori i KESH-it, Stojku shprehet se, "studimi i fizibilitetit për sigurinë e digave në kaskadat e Drinit dhe Matit është mjaft i rëndësishëm". Siguria e digave mbetet një problem shqetësues për KESH-in, pasi që nga koha e ndërtimit të HEC-eve mbi Drin, investimet për këtë qëllim, kanë qenë minimale. Këto diga kanë një rëndësi mjaft të madhe për KESH-in, pasi aty prodhohet pjesa më e madhe e energjisë. Vetëm HEC-i, i Fierzës, hidrocentrali më i madh në vend, ka një kapacitet energjetik prej 500 mijë kë/orë dhe një kapacitet ujëmbajtës prej 3,2 miliard m3 ujë.
27 Prill 2009