E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, Dhoma e Tregtisë kërkesë qeverisë për të ulur taksat dhe tatimet

Biznesi kërkon të ulet në një tryezë me përfaqësuesit e qeverisë. Në paketën antikrizë kërkohet ulje taksash dhe rritje të kreditimit

Ervin KOÇI

Përfaqësuesit e biznesit në vend kanë rritur presionin e tyre ndaj qeverisë duke i kërkuar asj që të ulet në bisedime me ta dhe të pranojë kushtet e paketës antikrizë. Në kushtet kur ka mungesë likuiditeti në treg dhe ulje të remitancave, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i kërkon qeverisë të ulet në një tryezë të përbashkët me biznesin për t’i paraprirë me masa konkrete krizës ekonomike. Kërkesat dhe kushtet e biznesit vendas ndaj qeverisë i ka shprehur dje kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjok Uldedaj, i cili propozoi që qeveria të ulet sa më parë në një tryezë të gjerë me biznesin për të diskutuar masat konkrete rreth krizës që kërcënon Shqipërinë. Ai kërkoi nga qeveria ndërmarrjen e stimujve fiskalë për lehtësimin e bizneseve. Sipas përfaqësuesve të biznesit vendas, ekonomia shqiptare po preket gradualisht e tëra nga kriza dhe sipërmarrjet e tyre po shkojhnë drejt falimentimit. Nisur nga kjo, ata kanë kërkuar sa më parë marrjen e masave konkrete që duhet të nisin fillimisht nga lehtësirat në taksa dhe tatime, deri tek ndërhyrjet për dhënien e kredive dhe ndihmave të tjera me qëllim që situata të mos përkeqësohet.

Paketa antikrizë

Uldedaj bëri të ditur dje se Dhoma e Tregtisë ka përgatitur një paketë të plotë antikrizë me qëllim mbrojtjen e nivelit të punësimit dhe fuqisë blerëse në një afat të shkurtër. "Një pjesë e propozimeve tona, kanë të bëjnë me legalizimin e aseteve tregtare, si një masë që do t’i injektojë ekonomisë vlera të mëdha e të rëndësishme, që sot qëndrojnë jashtë sistemit të ekonomisë formale"- deklaroi Uldedaj. Në paketën antikrizë propozohet: "heqja e TVSH-së për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore; të paguhet TVSH-ja vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive. Të ulet TVSH-ja për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj takse të paguhet me këste të zgjatura, si dhe heqjen e pagave të referencës për sektorët e ndërtimit, të prodhimit dhe për biznesin e vogël (sh.p.k. ose person fizik)". Sipas tij, këto janë programe realiste që ndihmojnë konkretisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe masa konkrete për promovimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale shqiptare. Duke vlerësuar masat që ka marrë qeveria në mbështetje të biznesit të vogël, Uldedaj, kërkoi që kjo mbështetje të vijohet më tej në këtë drejtim. "Të gjitha këto masa,- nënvizoi kreu i biznesit,- që duhet të ndërmerren në këto kohë të vështira, nuk duhet të përkthehen kurrsesi si një alarm, por një sinjal në kohë”. Sipas Dhomës së Tregtisë, Shqipëria nuk është në krizë, por marrja e masave nuk duhet të neglizhohet.

Tryeza me qeverinë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare, i kërkon qeverisë Shqiptare që të institucionalizojë një tryezë të përbashkët qeveri-biznes për të paraprirë efektet negative të krizës. Kryetari Uldedaj, tha se, kriza ndërkombëtare tashmë po përbën një shqetësim real për komunitetin e biznesit. "Hapja e ekonomisë sonë, orientimi i shkëmbimeve tregtare me vendet që janë në krizë natyrisht që ka efekte të reflektimit të saj dhe në Shqipëri"-tha ai. Sipas tij, për fat të mirë vendi ynë nuk është përfshirë plotësisht nga kjo krizë, por gjithësesi qeveria dhe biznesi duhet të diskutojnë për rrugët konkrete në marrjen e masave të duhura për këtë situatë. Uldedaj tha se, "biznesi nuk mund të jetë më i qetë kur sheh se bankat janë gjithnjë e më dorështrënguara në kreditimin e biznesit, kur tregut ka filluar ti mungojë likuiditeti, apo kur remitancat që janë burim konsumi dhe investimi kryesisht për biznesin e vogël, po bien". Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, ka marrë në vijimësi dhe i ka vlerësuar me seriozitetin maksimal shqetësimet që i vijnë nga anëtarët e saj. “Po kontaktojmë pa ndërprerë me institucionet e vendit për ti përcjellë shqetësimet”- tha Uldedaj.

27 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›