E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama padi në Kushtetuese për komisionin hetimor

Drejtoresha Juridike: ”I propozova kryebashkiakut t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”. Ligji, nuk ka komisione hetimore gjatë 4 muajve të mbarimit të mandatit të Kuvendit

Emanuela Sako

Edi Rama, Kryebashkiaku i Tiranës do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që ta quajë të pavlefshëm vendimin e mazhorancës për ngritjen e Komisionit hetimor. Ky sugjerim i është bërë dje nga Drejtoresha juridike e Bashkisë së Tiranës e cila ka bërë dhe publike nismën ligjore që do të ndërmerret prej tyre. Drejtoresha Juridike e Bashkisë, Migena Vishka deklaroi dje se i kishte propozuar kryetarit Rama që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin e kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën. “Pasi kam shqyrtuar me kujdes të gjitha dispozitat ligjore dhe kushtetuese, më rezulton se Komisioni Hetimor është i jashtëligjshëm, ndaj nuk mund të prodhojë asnjë pasojë ligjore. Në të njëjtën kohë, i kam propozuar Kryetarit të Bashkisë, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese (si garantuese e respektimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë), për ta shpallur antikushtetues këtë komision hetimor dhe shfuqizuar këtë vendim, si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe njëkohësisht për të marrë masën e pezullimit të zbatimit të tij, deri në shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese”,- u shpreh Drejtoresha Vishka.
Ligji
Vishka paraqiti rastet ku vendimi i Kuvendit të Shqipërisë bie ndesh me ligjet në fuqi. Specialistët e Bashkisë së Tiranës kanë shqyrtuar ligjet në fuqi, mbi të cilën ngrihen dhe funksionojnë komisionet hetimore parlamentare, rezulton se komisioni i ngritur me datë 23.04.2009, është i jashtëligjshëm dhe antikushtetues.
Sipas saj, komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Për këtë arsye, ky komision hetimor është vlerësuar se është miratuar në kundërshtim flagrant me ligjin dhe detyrimisht nuk mund të prodhojë asnjë pasojë ligjore. “Ngritja e komisionit vjen në kundërshtim të plotë me nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 për “Organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, i cili përcakton se: “Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Aktualisht jemi në muajin e fundit të mbarimit të mandatit të Kuvendit”, - u shpreh Drejtoresha Juridike në Bashkinë e Tiranës.
Sipas ligjit, komisionet hetimore të Kuvendit ngrihen dhe funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe rregullave të përcaktuara në këtë ligj. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese përkatëse shprehen qartazi se parlamenti i Shqipërisë nuk mund të hetojë një pushtet të pavarur si pushteti lokal.
Vendimi
Partia Demokratike miratoi gjatë parlamentare të ditës së enjte për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për Kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Pas kërkesës së firmosur nga 40 deputetë të kësaj partie dhe me votat e tyre në seancë, kuvendi votoi për hetimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Rama. Komisioni Parlamentar përbëhet nga 9 anëtarë, ku 5 do të jenë të mazhorancës bashkë me kryetarin dhe katër të opozitës, njëri prej të cilëve do të mbajë postin e nënkryetarit. Afati i hetimit do të zgjasë vetëm 3 javë dhe qëllimi është hetimi i procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit nga Rama. Anëtarët e PD-së në komision janë, Ferdinand Xhaferraj, Edi Paloka, Aldo Bumçi, Gjokë Vuksani si dhe Lajla Pernaska. Ndërsa opozita pritet të mos marrë pjesë në mbledhjet e këtij komisioni. Komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit, që pretendohet të jenë dhënë në mënyrë abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës. Kjo është e dyta herë që për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kërkohet një hetim parlamentar. Në vitin 2003, kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.

27 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›