“Vendos me ne, për një Shqipëri më të mirë”, slogani i PDS-së në zgjedhje
Partia Demokracia Sociale mblodhi Komitetin Drejtues Kombëtar për të diskutuar strategjinë e fushatës për zgjedhjet e qershorit. Në këtë mbledhje kryetari i Partisë, Paskal Milo, prezantoi sloganin e PDS-së, i cili do të jetë ”Vendos me ne, për një Shqipëri më të mirë”. Ai deklaroi se zgjedhjet janë jetike për vendin. Milo akuzoi kryeministrin Berisha se po u bën presione institucioneve të Drejtësisë si Prokurorisë, KLD-së dje Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, këto institucione nuk kanë mundur t’u bëjnë ballë presioneve politike dhe janë stepur. Milo komentoi edhe takimin e kryeministrit Berisha me presidentin francez, Sarkozi. “Berisha u mundua më kot t’i shkëpusë ndonjë fjalë presidentit francez për aplikimin e Shqipërisë në NATO sepse dyert e BE-së janë të hapura për Ballkanin, por komuniteti europian kërkon më parë përmbushjen e kritereve”,- tha kreu i PDS-së. Milo kërkoi angazhim më të madh të strukturave për fushatën zgjedhore, që pritet të nisë më 15 maj.
Gjinushi: “Koalicioni i Berishës, i bazuar mbi krimin dhe korrupsionin”
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, e quajti koalicionin e djathtë si një bashkim pa dallim krahu, klani, krimi, korrupsioni. Gjinushi u shpreh se në marrëveshjen që ka lidhur Berisha me Cekën, me Xhuvelin dhe me ministrin e Gërdecit, janë gjithë përfaqësuesit më të akuzuar nga Berisha, për bëmat e gjëmat më të mëdha në Shqipëri, duke filluar nga gjenerali i ’97-s, peshkaqeni i Zemunit dhe ministri i Gërdecit, urdhëruesi dhe zbatuesi i këtij krimi shtetëror. Kreu socialdemokrat tha se Tirana është bastion i fitores të së majtës. Sipas tij, Berisha e di, prandaj ka zgjedhur si kalë beteje përsëri komisionet hetimore ndaj Edi Ramës. “Komisioni hetimor për leje ndërtimi nuk mund të mbulojë as Durrës-Kukësin me një dëm ekonomik prej 300 milionë euro, nuk mund të mbulojë as Gërdecin, as Fazlliçin, as Jalën, as Plazhin e Gjeneralit dhe dhjetëra skandale që ndodhin çdo muaj me këtë qeveri”, - u shpreh Gjinushi. Kryetari i PSD-së u shpreh se lufta ndaj korrupsionit është dështimi më i madh i kësaj qeverie. Konferenca PSD-së për Tiranën rizgjodhi si kryetar të saj Petraq Simon.
Luis Tanushi
27 Prill 2009