E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 vjet, për 77 vetë

Vrasësi, Anders Behring Breivik, është dënuar të premten në Oslo me 21 vjet burgim. Në korrik të vitit 2011, në kryeqytetin norvegjez dhe në ishullin Utoya, ai vrau 77 njerëz - kryesisht të rinj.

Gjykata e Oslos shpalli të premten se, 33-vjeçari Breivik është mendërisht i shëndoshë, dhe se në momentin e kryerjes së krimit - më të madh në Norvegji që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore – ishte plotësisht i vetëdijshëm për aktin që po bënte. Si rrjedhojë, gjykata vendosi që Breivik të dënohet me dënim maksimal, me mundësi të zgjatjes.

I akuzuari Breivik aktvendimin gjyqësor e dëgjoi me buzëqeshje në fytyrë. Derisa po hynte në gjykatore ai nuk harroi që publikun ta përshëndes me gjestin karakteristik të së djathtës ekstreme - me dorën e ngritur lartë e me grusht të mbyllur.

Derisa po lexonte aktgjykimin, gjykatësja, Wenche Elisabeth Arntzen, mes tjerash, u shpreh se “me vendim unanim... gjykata e dënon të akuzuarin me 21 vjet burg preventiv”.

Sipas ligjit të Norvegjisë, dënimet e kësaj natyre mund edhe të zgjaten, po qe se i burgosuri konsiderohet i rrezikshëm. Sipas ekspertëve, ka gjasa reale që pjesën e mbetur të jetës Breivik ta kalojë prapa grilave. Përndryshe, në Norvegji nuk ekziston dënimi me vdekje.

Prokurorët kishin kërkuar që Breivik të shpallej i sëmurë mendërisht, një kërkesë të cilën Breivik e kishte cilësuar si “më të keqe se vdekjen”, përderisa shumica e viktimave të tij – që shpëtuan pa u ekzekutuar – pohuan se vetëm një njeri plotësisht i vetëdijshëm ka mundur të kryej një sulm aq kompleks.

Ndryshe, më 22 korrik të vitit 2011, Anders Behring Breivik vrau 77 persona. Ai fillimisht vendosi një bombë në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Norvegjisë, e pastaj, i veshur me uniformë policore, u nis drejt ishullit të afërm Utoya, ku filloi të shtinte në pjesëmarrësit e kampit veror të laburistëve të rinj norvegjezë.

Gjykimi i Breivik filloi më 16 prill 2012. Disa ditë pas fillimit të gjykimit, 33-vjeçari Breivik filloi me përshkrimin pa emocione, por tejet detajuar të ngjarjes në Utoya, kur brenda vetëm 75 minutave vrau disa dhjetëra laburistë të rinj.

Çështja e shëndetit mendor të Breivik ishte pothuajse tema kryesore gjatë gjithë kohës së gjykimit, ndërkohë që avokati i tij, Geir Lippestad, pohonte se klienti i tij do të pranonte dënimin me burg, dhe se do të ankohej vetëm në rast se gjykata vendosë ta dërgojë për shërim psikiatrik.

Në bazë të aktgjykimit, është paraparë që vrasësi masiv norvegjez dënimin ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë, i cili është rinovuar enkas për të.

Breivik, i cili veten e quan “nacionalist militant”, gjatë gjykimit thoshte se dërgimi i tij në ndonjë institucion mendor do të ishte përfundimi më i keq që mund t’i ndodhte, ndërkohë që institucionet norvegjeze i akuzonte se po mundohen ta paraqesin si njeri të sëmurë, me qëllim të zhvlerësimit të akteve dhe qëndrimeve të tij politike.

Ky reagim i tij ishte pasojë e kërkesës së prokurorëve, të cilët kërkonin që ai të shpallej i sëmurë mendërisht, dhe që dënimin ta vuante në ndonjë institucion psikiatrik. Është interesante se në fjalën e tij përfundimtare, avokati i tij nuk kërkoi zyrtarisht lirimin e klientit të tij nga akuzat, gjë që e shtyri Breivikun të reagonte ashpër dhe të kërkonte lirimin nga akuzat, megjithëse tek pasi që kjo pyetje iu adresua nga gjykatësja Arntzen.

"Shikuar nga aspekti ligjor, ai, teorikisht, vërtet do të mund të lirohej nga burgu pas disa viteve. Mirëpo, realisht, ai do mbetet në burg, ndoshta gjatë tërë jetës së tij”, i tha agjencisë AP, kryeprokurori, Lasse Qvigstad, pak para shpalljes së aktgjykimit.

Derisa po e përshkruante ftohtë ngjarjen tragjike në ishullin Utoya, Breivik, mes tjerash, vlerësoi se viktimat e tij ishin “një cak legjitim”, meqenëse ishin pjesëtarë të një organizate politike që, siç theksoi, shoqërinë norvegjeze e ekspozoi ndaj islamit dhe multikulturalizmit.

Profili i Breivik u "zbulua" menjëherë pas sulmeve, sepse norvegjezi biond e sykaltër në web-faqen e tij kishte shkruar se është i krishterë dhe konservator, se jetonte i vetëm, se kishte interesim për gjueti, dhe se i pëlqenin lojërat kompjuterike - si “World of Warcraft i Modern Warfare 2 (Luftërat Moderne). Shumë shpesh merret pjesë në forumet ku shpreheshin qëndrime fundamentaliste, dhe ku sulmoheshin multikulturalizmi dhe islami. Duke u bazuar në një dokument elektronik, me 1,500 faqe, autor i të cilit është Breivik, del se sulmet në Norvegji ishin përgatitur që nga vjeshta e vitit 2009.

Aty, Breivik sqaron edhe atë se, që nga vjeshta e para tri viteve, ai kishte filluar të merrej edhe me bujqësi, për shkak se kjo lëmi i ndihmonte në përgatitjen e sulmeve.

"Vendosa të merresha me bujqësi në mënyrë që të kisha një mbulesë bindëse nëse do të më arrestonin, për shkak të blerjes dhe kontrabandimit të eksplozivit dhe të pjesëve përbërëse të tij – plehrave”, thuhet në tekst.

"Do të më shpallin për monstrumin më të madh (nazist) pas Luftës së Dytë Botërore”, thoshte ai tutje.

Porosinë e fundit e kishte publikuar vetëm një ditë para sulmeve.

"Mendoj se ky do të jetë postimi im i fundit. Sot është e premte, 22 korrik, ora 12:51. Kalorës komandues të Justiciar, kalorës Tamplierë të Europës dhe kalorës Tamplierë të Norvegjisë, ju përshëndet përzemërsisht, Andrew Breivik".

( AP,Reuters)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›