E Hënë, 2 Nëntor 2026

21-vjetori i themelimit të PD-së, mungon Topi, merr pjesë Ndoka

TIRANË Ndryshe nga viti i kaluar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk mori pjesë në ceremoninë e djeshme të organizuar nga Partia Demokratike me rastin e 21-vjetorit të themelimit të saj. Ai nuk iu përgjigj ftesës për shkak të impenjimeve të tjera, por edhe për faktin se pjesëmarrja e tij një vit më parë lidhej me përvjetorin e themelimit të kësaj force politike ku ai ka aderuar prej vitesh. Në ceremoninë e djeshme mungoi edhe ish-kryeministri i PD-së, Aleksandër Meksi, si dhe themelues të tjerë të kësaj force politike. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm të gjithë aleatët e PD-së, përfshi edhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, i cili shoqërohej nga Lefter Koka, Vangjel Tavo dhe Edmond Haxhinasto. Në ceremoninë e djeshme ra në sy edhe pjesëmarrja e kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, për të cilin kohët e fundit po qarkullon mundësia e rikthimit të tij në koalicion me mazhorancën. Në këtë ceremoni nuk kanë munguar edhe përfaqësues ndërkombëtarë, si ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dhe ai i OSBE-së, Eugen Ëolfarth. Në koktejlin e djeshëm nuk mungonte edhe Princi Leka II, ndërsa nuk është parë asnjë prej përfaqësuesve të PS-së apo drejtues të partive opozitare të majta. Në ceremoninë e djeshme mungonte edhe ish-kryeministri Fatos Nano, edhe pse ndaj këtij të fundit kishte pasur një ftesë zyrtare. Dy ditë më parë në një intervistë televizive, Nano deklaroi se oferta e tij për t’u bërë president qëndronte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›