E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa, Berisha: PD, e hapur për dialog e kompromis

TIRANË Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë fjalës së mbajtur në 21-vjetorin e themelimit të PD-së, se forca që ai drejton mbetet e hapur për dialog dhe kompromis në interesin më të mirë të vendit. ”Në 21 vite, Partia Demokratike e Shqipërisë e dëshmoi veten si parti e vlerave të paqes, tolerancës, mirëkuptimit. Në këto 21 vite të jetës së saj politike, partia e idealeve të dhjetorit dhe në kohërat më të vështira të saj, kur anëtarët, simpatizantët e saj u ekzekutuan nga falangat e krimit shtetëror, qëndroi e pamposhtur në vlerat e paqes, mirëkuptimit, tolerancës. Unë jam sot këtu për të garantuar shqiptarët se Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet parti e hapur e dialogut, debatit, mirëkuptimit, e respektit dhe e gatshme për kompromis në interesin më të mirë të vendit dhe të kombit”, - tha ai. Kryeministri Berisha shtoi se viti ‘90 nuk ishte vetëm viti i themelimit të një partie, por viti i një mrekullie të vërtetë të Shqipërisë. “Diktatura hoxhiste kishte zhytur Shqipërinë në izolimin më të thellë, kishte rrethuar atë me tela me gjemba, kishte ngujuar kombin dhe vendin në bunkerin e harresës njerëzore. Ne shqiptarët erdhëm në dhjetorin e vitit ’90 si kombi dhe vendi i një izolimi që nuk ishte njohur kurrë më parë në historinë tonë, si vendi dhe kombi që sipas diktatorit paranojak nuk ishte as lindje, as perëndim, por të gjitha këto nuk kishin arritur kurrë të shuanin në shpirtin e shqiptarëve vokacionin e tyre perëndimor, vetëdijen më të thellë të identitetit dhe të përkatësisë së tyre kulturore, perëndimore”, - tha ai. Kryeministri shtoi se PD-ja vjen në këtë përvjetor më e vendosur se kurrë për të bërë gjithçka për integrimin e vendit në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›