E Diel, 1 Nëntor 2026

22 Marsi mbledh shqiptarët në SHBA te varri i Nolit

Gjenia e Peshkop Fan Nolit me meshërimet kishtare në gjuhën shqipe. Para 100 vjetësh në “Knights of Honor” u mbajt mesha e parë në shqip

Nga Bostoni, Beqir SINA
Kurdoherë do të kujtojmë me nderim e respekt Imzot Nolin, si një patriot të madh e klerik largpamës, që bëri të mundur krijimin e Kishës Autoqefale Shqiptare, me bindjen se ne jemi të gjithë, pa dallim feje, motra e vëllezër. Historia e Bostonit nuk mund të shkruhet pa historinë e emigracionit shqiptar në këtë qytet. Në këtë histori tashmë zënë vend edhe disa nga ngjarjet shpirtërore të kombit tonë. Dhe si të tilla janë tre ngjarjet më të rëndësishme të muajit mars. Pikërisht data të tilla bëjnë që këtu në Boston, këtë muaj ta pagëzojmë si “Marsi Nolian”. Përvjetorët e Nolit kremtohen nga Kisha shqiptare Ortodokse në SHBA e gjithashtu, nga komuniteti shqiptar në Amerikë. Janë pikërisht tre përvjetorët historikë që mbledhin rreth vetes jo vetëm besimtarët ortodoksë, por edhe vatranët e kulluar, patriotet e atdhetarët shqiptarë. Është 8 Marsi 1908, i cili përkon këtë vit me 100-vjetorin e dorëzimit të Fan Nolit në prift, gjë që shënon dhe ringritjen e Kishës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po në atë vit, më 22 mars 1908, është 100-vjetori i së parës Liturgji Hyjnore në gjuhën shqipe nga At Theofan Stilian Noli, gjë që shënoi themelimin e Kishës shqiptare të Shën Gjergjit në Boston. Ndërsa po në mars (13 mars 1965) në Florida, do të mbyllë sytë përgjithmonë Theofan Stilian Noli. Më 22 mars 2008, në orën 1 pasdite, grupe emigrantësh shqiptarë të Amerikës u mblodhën e bënë homazhe te varri i Fan Nolit. Me këtë rast ata kujtuan 22 marsin dhe festuan së bashku 100-vjetorin e meshës së parë në gjuhen shqipe. Ceremonia filloi me një lutje fetare të bërë prej kancelarit të Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare me qendër në Boston, At Arthur Liolini. Më pas ceremonia u shoqërua me fjalime dhe buqeta e kurora me lule të freskëta që janë vendosur pranë varrit të Fan Nolit. Kjo ditë përkoi me atë ditë kur 100 vjet më parë, në 22 mars 1908, Fan Noli festoi meshën e parë në gjuhën shqipe te salla “Knights of Honor” në Boston. Akti i 22 marsit 1908, në vetvete përbënte jo vetëm hapin e parë drejt krijimit dhe njohjes se Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, por pati edhe një domethënie shumë më të madhe për të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, krahine e ideje.
Ceremonia e 22 marsit, 100-vjetori i meshës së parë në gjuhën shqipe, u mbajt te varrezat qytetare “Forest Hills Cemetery” në rrugën “Forest Hills Avenue”, në qytetin bregdetar Boston të Massachusetts, aty ku ndodhet varri i Nolit, (Seksionin 36 në Redeood Avenue). Me këtë rast ishin mbledhur besimtarë, njerëz të artit dhe intelektualë shqiptarë të emigruar në SHBA. Në kujtim të 22 marsit 1908 erdhën edhe shoqatat e organizatat e komunitetit, përfshirë zv.ambasadorin e Republikës të Shqipërisë në Uashington D.C. Kreshnik Çollaku. Për të kujtuar këtë ditë të madhe, udhëtuan posaçërisht nga Nju Jorku edhe një përfaqësi vatranësh, me në krye z. Agim Karagjozi, sekretarin z. Naum Prifti etj. Organizatore kryesore e kësaj ceremonie ishte shoqata shqiptaro-amerikane e Bostonit, “MassBesa”.
Znj. Albana Orgocka, bashkëkryetarja e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Masaçusetsit - Boston, “MassBesa” në çelje të ceremonisë së rastit kujtoi se “kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme te ne. Po festojmë sot 100-vjetorin e meshës së parë në gjuhën shqipe, në Amerikë, pasi kjo nuk ishte një ngjarje e rëndësishme vetëm për Kishën Autoqefale Shqiptare në Amerikë, por për të gjithë shqiptarët pa dallim feje. Sepse, ajo kishë më pas do të ishte vendi që do të mblidhte të gjithë shqiptarët, duke i mbajtur të bashkuar dhe të mbrojtur nga asimilimi i tyre.
Edhe sekretari i Vatrës, z. Naum Prifti, përmendi mes fjalëve të tij sesi njëqind vjet më parë, më 22 mars 1908, Fan Noli mbante meshën e parë shqipe në Amerikë, duke çelur rrugën e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga kthetrat e Patrikanës së Stambollit pas trembëdhjetë shekujsh. “Prandaj jemi mbledhur këtu, të përulemi me nderim para varrit të njeriut të madh të kombit, që gjithë talentin dhe forcat e tij mendore ia kushtoi atdheut. Homazhet e sotme, - ka thënë ai, - janë mirënjohje për meshtarin, dijetarin, historianin, diplomatin, kompozitorin, përkthyesin, kryetarin shpirtëror të gjithë shqiptarëve, Imzot Fan Nolin”. Edhe përfaqësuesi i shtetit shqiptar, zv.ambasadori Kreshnik Çollaku, tha se “ndodhemi pas një shekulli në një klasë tjetër, Zoti na ka bërë edhe më të lumtur. Gjysma e popullit shqiptar të shumëvuajtur sot është më e lirë dhe ëndrra e shqiptarëve për Kosovën e lirë e të pavarur u bë realitet. Shqiptarët sot, kudo, janë shumë më të zhvilluar në të gjitha fushat e jetës. Jemi para një ngjarjeje shumë të rëndësishme për kombin tonë, pas dy javësh gjysma e kombit shqiptar, pra Shqipëria nënë, pret ftesën për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Ajo pret të marrë ftesën e Aleancës më të madhe, të NATO-s, duke mbyllur kështu përfundimisht të keqen e madhe që u erdhi shqiptarëve për 50 vjet të sundimit komunist”.
Ndërkaq, nuk mund të lëmë pa cituar At Artur Liolinin, i cili mes të tjerash u shpreh: “Jemi këtu para varrit të Imzot Fan Nolit, për ta kujtuar atë ditë të veçantë e jo vetëm kaq. Nderojmë të gjitha veprat e tij të jashtëzakonshme në të gjitha fushat dhe shembullin e tij gjatë evoluimit të jetës. Sepse ai për ne mbetet gjithmonë i pavdekshëm. Imazh dhe ikonë e kombit tonë. Ka dhe shumë mësime që duhen përmendur sot dhe që kam detyrë e dëshirë t’i shpreh...”. Më tej At Liolini vijoi se “në botën dhe kohën që ne jetojmë duhet kuptuar fort mirë që dialogu, ndjesa, mirësjellja, autokritika dhe gjakftohtësia janë shumë të rëndësishme për vetë njeriun. Jo vetëm fetare, shpirtërore e hipotetikisht kanë edhe rezonanca vitale në shoqëri e në qeverisje. Shërimi që vjen me përulësi ndihmon jo vetëm kur falet tjetri, por forcon urtësinë për të tjerët, i jep njeriut perspektivë për të ardhmen”.

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›