E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiqiri Cena: “Në Gërdec mund të kenë shpërthyer edhe raketa”

Gjenerali, me eksperiencë 27-vjeçare në ushtri, mendon se në ngjarjen tragjike nuk kemi të bëjmë thjesht me predha 7.56, 12.7, 14.5, 60, 75, 120, 150 mm apo me municione xheniere, përfshi tritolin, por me diçka edhe më të madhe

Një gjeneral nuk mund të jetë rob i politikës, pasi ai ka bërë një betim. Madje, natyra prej ushtaraku i jep kurajën të thotë mendimin e tij. Nisur nga eksperienca e gjatë e punës nën uniformë, ai flet gjatë për tragjedinë “Gërdeci”, atje ku është ndalur ora e progresit të këtij vendi. Fiqiri Cena, ish-komandant i Divizioneve në Elbasan dhe Shkodër deri në vitin e mbrapshtë 1997, dhe ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit të Republikës Rexhep Meidani, është shprehur se shpërthimi, nga forma e kërpudhës së tij, e paraqitur në ekranet televizive, i ngjan një eksplozioni që mund të shkaktohet nga raketat, gjë që nuk është thënë nga askush deri tani. Zbuluesi profesionist analizon situatën e krijuar dhe madje përcakton se kush mban përgjegjësi dhe përplasjen mes Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Cilët duhet të jepnin informacion për atë që bëhej në Gërdec dhe mbi kë bien përgjegjësitë direkte tashmë që ndodhi tragjedia.

Tragjedia e Gërdecit solli përplasje mes Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Cilat janë përgjegjësitë e ushtrisë dhe të politikës në këtë rast?

Shqipëria në vite, sidomos pas 1990-ës, po ballafaqohet me vështirësi ekonomike dhe politike. Ky është një tregues i qartë i nivelit dhe qëllimeve të atyre që morën mbi shpatulla përgjegjësinë e rëndë për të drejtuar kombin shqiptar. Praktika e deritanishme tregoi atë që këta të quajturit intelektualë dhe politikanë nuk kanë konceptin minimal të ndërtimit të shoqërisë kapitaliste. Praktika e deritanishme tregon se mënyra se si e marrin, organizojnë, drejtojnë dhe funksionon pushteti, ka në themel dhe mbi gjithçka interesat e fuqizimit personal, fisnor, klanor, që në vlerësimin e tërësisë së tyre, bazuar edhe në historinë e popullit tonë, mund të quhet shtet primitiv që drejtohet në bazën e fiseve. Me bazë ligjore, kanunet ose sot në kohët moderne të shekullit të ri, shtet mafioz, ku gjithçka organizohet, drejtohet dhe kontrollohet me qark të mbyllur nga njerëzit më të besuar të atyre që drejtojnë. Të gjitha tragjeditë dhe fatkeqësitë që kanë ndodhur në vendin tonë, në mënyrë të veçantë ajo që drejtuesit më të lartë e quajnë “Hiroshima shqiptare”, tregon më së miri jo vetëm rrjetin mafioz të organizimit dhe drejtimit të shtetit, por edhe nivelin e dobët, servilizmin dhe karrierizmin e sëmurë të atyre që kanë pranuar të punojnë dhe të propagandojnë politikën e shtetit aktual. Kjo vërtetohet edhe në qëndrimet dhe vlerësimet e sotme të politikanëve dhe të specialistëve në Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare. Nëse do të bëjmë një analizë gjakftohtë të qëndrimeve dhe reagimeve të ministrit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, mund të themi se kemi të bëjmë me një “lojë popullore” që ne veriorët e quajmë “Gilë”. E thënë më shkoqur, kush ia lë përgjegjësinë njëri-tjetrit. Me këtë, dua të them se janë tepër të vonuara reagimet e Shtabit të Përgjithshëm, aq më tepër kur dikush s’mendon se është drejtues i kësaj strukture, i cili nga ana ligjore ka lidhje direkt me komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Duke parë reagimet e tyre, të vjen keq dhe bie në një pesimizëm total se kush drejton ushtrinë shqiptare, por, nga ana tjetër, vërteton edhe një herë mënyrën se si njerëzit bëjnë karrierë dhe kuptohet qartë se në themel të marrëdhënieve të tyre janë metodat korruptive ose ajo e heshtjes përballë asaj që ndodh për të cilën janë bashkëpërgjegjës pasi janë specialistë të mirëfilltë.

Si e rregullon Kushtetuta raportin Ministri e Mbrojtjes – Shtabi i Përgjithshëm?

Duke iu referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe akteve të tjera nënligjore, dihet se ministri i Mbrojtjes është ndërlidhës kryesor i politikës me ushtrinë si një nga strukturat e sigurisë kombëtare. Mendoj se urdhrat që jepen nga titullari janë të kontrolluar dhe të zbatuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Këtu duhet parë mënyra se si ndërtohen dhe jepen këto urdhra, sepse kjo varet nga niveli i personave që merren me formulimin e urdhrave në ushtri. E parë në këtë prizëm, Ministria e Mbrojtjes lë shumë për të dëshiruar. Me këtë rast nuk dua të marr përsipër mbrojtjen e ministrit, pasi, për mendimin tim, ai është përgjegjësi kryesor si titullar i këtij dikasteri. Por, fakti se në urdhrat që bëhen prezent nëpërmjet shtypit dhe mediave, të cilat i falënderoj pa masë për kontributin që po japin në këtë situatë, konstatohet se në pika të ndryshme të këtij urdhri ku thuhet se ngarkohet Shtabi i Përgjithshëm për kontrollin e transportit, ruajtjes dhe demontimit të municioneve dhe armatimeve luftarake, tregon përgjegjësinë e pashmangshme të drejtuesve të këtij institucioni. Për mendimin tim, më e moralshme për këta drejtues është zhveshja nga imuniteti që u jep ligji duke dorëzuar detyrat dhe vënia në dispozicion të drejtësisë për të shpjeguar pozicionin e tyre dhe për të qenë të pastër moralisht përpara opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar për atë që ndodhi në Gërdec.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë në Gërdec, a mund të themi se jemi përballë një situate ku strukturat e posaçme kanë neglizhuar dhënien e informacionit?

Që të japësh një mendim të saktë mbi këtë pyetje duhet patjetër të dish praktikën e punës ose deklarimet e drejtuesve të institucioneve që merren me problemet e informacionit dhe kontrollit. Vetëm në këtë mënyrë mund të gjykosh më drejtë dhe të japësh mendime më të sakta lidhur me veprimtarinë e tyre. Pas kësaj, mund të arrish në konkluzione të sakta për shkallën e përgjegjësisë së tyre. Fakti që deri tani nuk ka asgjë të deklaruar nga të sipërpërmendurit tregon atë që kam thënë edhe më sipër se në krye të institucioneve janë vendosur njerëz për t’u gjetur punë dhe jo për t’i gjetur punës njeriun e duhur. Janë ata që në praktikën e punës së tyre hyjnë në zyrën e eprorit me ndihmën e tyre dhe dalin nga ata me urdhrin për të zbatuar vendimet e eprorit, pavarësisht se këto mund të bien në kundërshtim me ligjet dhe kërkesat kushtetuese. Kjo ka të bëjë me nivelin profesional dhe karakterin moral të këtyre kuadrove që u është besuar drejtimi i këtyre strukturave, që mesa jam i informuar si Shërbimi Informativ i Ushtrisë (SHIU), ashtu dhe Drejtoria e Inspektimit të Ministrit, drejtohen nga militantë partiakë dhe jo militantë të ushtrisë (jo specialistë të mirëfilltë). Ky është një tregues tjetër i qartë se partitë politike me marrjen e pushtetit kërkojnë të plotësojnë detyrimet që ato kanë ndaj militantëve ekstremistë pa u shqetësuar për interesat kombëtare, të popullit, që u besoi votën për të ardhur në pushtet. Këto fenomene, pavarësisht se në çfarë fushe ndodhen, në mbrojtje, arsim, kulturë, shëndetësi, etj., janë një zhgënjim i madh që ne e vuajmë në kurriz që nga viti 1992 e në vazhdim.

Janë hedhur dyshime se në Gërdec nuk kishte demontim, por një trafik të pastër ndërkombëtar të armatimit. Ju keni qenë gjeneral dhe këshilltar për Sigurinë Kombëtare pranë Presidentit të Republikës në vitet 1997-1998. Sipas jush, a qëndron ky variant, apo kemi të bëjmë vetëm me çmilitarizimin e municioneve luftarake?

Format dhe metodat praktike të përdorura për këtë qëllim tregojnë se ne kemi të bëjmë me veprime të pastra korruptive duke siguruar kushte, rrugë të paligjshme, për t’u pasuruar në tregtimin e paligjshëm të artikujve qofshin këto të armatim-municioneve apo të fushave të tjera që janë pjesë e pasurisë kombëtare. E them këtë sepse dokumentet që sillen sot nëpërmjet mediave tregojnë se nëse do të ishte zbatuar ligji për shitjen dhe tregtimin e këtyre artikujve, populli ynë nuk do të jetonte në këtë varfëri dhe mjerim ekstrem ekonomik dhe shpirtëror, por do të kishte një rritje të mirëqenies dhe një siguri të madhe për jetesë. Mënyrat e prokurimit dhe të shitjes së armatim - municionit, me firmat që u është besuar një aktivitet i tillë dhe atyre që kanë bashkëpunuar dhe kontrolluar aktivitetin e tyre duke pasur parasysh lidhjet farefisnore me pushtetarët e sotëm, tregojnë më tepër se çdo gjë tjetër se kemi të bëjmë me një trafik ndërkombëtar. Ky trafik ka nisur pas viteve ‘90-të, atëherë kur shteti dhe pushteti kishin në themel të tyre teorinë e Ramiz Alisë “funksionimin fshatçe” për zgjidhjen e problemeve që dolën në pah pas rrëzimit të sistemit monopartiak. E thënë më shkoqur, dëshiroj të theksoj se deri tani asnjë forcë politike që ka ardhur në pushtet nuk ka vërtetuar vendosmërinë e saj për përmbushjen e interesave kombëtare, por ata nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse kanë plotësuar interesat e grupeve të njerëzve klanorë dhe farefisnorë që kanë uzurpuar drejtimin e këtyre partive. Me keqardhje dua të them se Shqipëria, me aq sa e gjykoj unë, pas viteve ‘90, nuk ka pasur president, por precedentë, sepse personat e ulur në karrigen e presidentit, me aq sa kam kuptuar unë, nuk kanë pasur horizontin e mjaftueshëm ose nuk kanë dashur të ushtrojnë kompetencat e tyre për çështjet kombëtare. Ata punojnë dhe jetojnë në një rreth të mbyllur me mungesë të theksuar mendimi ndaj njerëzve me të cilët punojnë. Në shumë raste këshilltarët e tyre, përfshi edhe sot që po flas, nuk janë specialistë të mirëfilltë të fushave që ata mbulojnë, por janë specialistë të lidhjeve që ata kanë me politikën dhe drejtuesit e saj. Nuk ka se si të ketë informacion një president apo një kryeministër kur këshilltari që i mbulon këto probleme nuk është aspak ushtarak. Apo edhe nëse është, mund të jetë i specialiteteve logjistike, të cilët nuk kanë idenë se ç’është sigurimi kombëtar dhe cilat janë institucionet e përfshira në të. Këtu nuk e kam fjalën për ndonjë mendim negativ për njerëzit që sot janë në punë, por gjithsecili duhet të jetë kompetent për atë që ai di. Me keqardhje dua të them se për rreth 10 muaj në detyrën e këshilltarit të Presidentit, nuk kam arritur të kem në dorë asnjë lloj informacioni që kishte të bënte me sigurinë kombëtare. Nuk e di se kujt i kalonin për zbatim dhe ndjekje këto informacione atëherë. Midis të tjerash, kjo ishte dhe një nga arsyet që dhashë dorëheqjen nga detyra që më kishin ngarkuar. Përfundimisht, titullarët e lartë të shtetit mos të justifikohen nga inekzistenca e drejtuesve që u kanë besuar informacionin e sigurinë kombëtare, përfshi dhe këshilltarët e tyre për këtë problem, por të dalin përpara pasqyrës siç i ka mësuar udhëheqësi i tyre shpirtëror Enver Hoxha dhe të rrëfehen duke analizuar punën e tyre. Pra, me pak fjalë, të mbajnë përgjegjësi për atë që ndodhi në Gërdec.

Duke u nisur nga mënyra e shpërthimit, kërpudha që u krijua apo vala e goditëse në Gërdec, a mendoni se aty kishte vetëm municione të armëve të këmbësorisë apo dhe predha të kalibrave 60-150 mm?

Dua të theksoj që në fillim të përgjigjes sime se specialiteti im i mirëfilltë ushtarak është Zbulimi. Pra, unë jam një ushtarak gjitharmësh që do të thotë se përveç armëve dhe taktikës së këmbësorisë, ke njohuri për mënyrën e përdorimit dhe të komandimit të të gjitha llojeve të tjera të armëve dhe specialiteteve, të cilat në rast lufte vihen në shërbim dhe në plotësim të detyrave të forcës kryesore të ushtrisë që është këmbësoria. Duke analizuar mbi këtë bazë dhe në eksperiencën time 27-vjeçare në ushtri, këtu kam parasysh stërvitjet e zhvilluara, përfshi dhe qitjet luftarake, mendoj se kemi të bëjmë jo thjesht me predha 7.56, 12.7, 14.5, 75, 120, 150 mm apo me municionet xheniere, përfshi tritolin, por me diçka edhe më të madhe. Mendoj se mund të ketë pasur edhe raketa në atë shpërthim, duke parë mënyrën e shpërthimit, kërpudhën e krijuar dhe valën goditëse të saj. Të gjitha municionet e tjera, përjashto raketën, kanë forcë shpërthyese anësore, por jo lartësi aq të mëdha dhe nuk formojnë kurrë kërpudha të tilla siç u pa në Gërdec. Një gjë të tillë e pohojnë vetë zyrtarët e lartë, të cilët e quajtën shpërthim bërthamor ose nuklear, pa rrezatim veprues. Kjo shkaktohet veçse nga mbushjet raketore dhe nga asgjë tjetër. Megjithatë, kjo ngelet në ndërgjegjen e atyre që janë marrë me transportin dhe trafikimin e këtyre armatimeve dhe në vendosmërinë e drejtësisë e të organeve kompetente që kanë për detyrë për të hetuar dhe zbardhur këtë tragjedi. Por, nisur nga karriera, lidhjet dhe bashkëpunimin e mëparshëm të këtyre njerëzve me këta institucione që i emëruan dhe i vendosën në këto detyra, nuk besoj kurrë se e vërteta do të dalë në dritë ndonjëherë.

Nga eksperienca juaj, çfarë mund të na thoni në lidhje me mënyrën e ruajtjes, transportimit dhe demontimit të municioneve luftarake. Pra, a janë respektuar rregullat?

Dihet se ushtria ka pasur dhe ka ca rregulla strikte në aktivitetin dhe veprimtarinë e saj. Kjo është e bazuar në rëndësinë e madhe dhe rrezikshmërinë që ka armatimi dhe municioni në përdorim. Dihet që në prodhimin e armatimeve dhe municioneve ka elementë me përbërje të lartë kimike, të cilët kur vihen në përdorim nga ngacmimi i agjentëve të jashtëm atmosferikë apo njerëzor jo vetëm krijojnë shpërthime dhe valë të fuqishme tronditëse dhe vrasëse, por edhe vatra helmuese me pasoja për jetën e njerëzve. Nisur nga këto, kërkesat e rregulloreve, të urdhrave dhe urdhëresave, kanë qenë dhe mbeten të qarta në mënyrën e transportit, të ruajtjes, demontimit apo të përdorimit të tyre gjatë qitjeve luftarake. Në këto rregullore përcaktohen qartë struktura dhe personat e specializuar që njohin mirë të dhënat taktike-teknike të çdo lloj armatim-municioni gjatë kryerjes së veprimeve në përdorim të tyre. Mbetet për të theksuar se edhe kur urdhri jepet për t’i lëvizur, përqendruar në vende të tjera ose në poligone qitjeje, duhet që më parë me studim të veçantë të Shtabit të Përgjithshëm të miratohet nga qeveria për t’u njohur më pas si vend i sigurt i ruajtjes, përdorimit apo demontimit të tyre, ku ndër të tjera është kategorikisht e ndaluar kryerja e veprimeve në qendrat e banuara, siç ishte Gërdeci, një nyje tepër e afërt me objektet e rëndësisë së veçantë, si kryeqyteti i vendit, aeroporti ndërkombëtar dhe porti më i madh i vendit, Durrësi. Dhe nëse nuk ka ndodhur një fenomen i tillë, për mendimin tim janë dy arsye: e para, paaftësia dhe mungesa e kurajës profesionale në kryerjen e detyrës dhe joshja nga aferat korruptive që mund t’i jenë krijuar këtij apo atij titullari.

Cilat janë përgjegjësitë që mbajnë strukturat shtetërore në këtë ngjarje?

Nga analiza që i bëj asaj që ka ndodhur, nga veprimet dhe mosveprimet që çuan në këtë ngjarje duke pasur parasysh këtu strukturat direkt përgjegjëse që merren me sigurinë kombëtare, kam mendimin se përgjegjësit kryesorë janë ato institucione që merren me planifikimin, organizimin dhe kontrollin e zbatimit të detyrave që plotësojnë elementët e sigurimit kombëtar. Në rastin konkret të ngjarjes, del se këto hallka nuk kanë plotësuar detyrimet e tyre ligjore. Shkaqet që i kanë çuar në këtë nuk mund t’i gjykosh duke qenë jashtë këtyre strukturave, se mund të flasësh realitetin por kjo është e papërfillshme për ata që ndjekin zbatimin e ligjit, kuptohet këtu edhe lidhja dhe cenimi i interesave që mund të kenë mes tyre në raportet epror - vartës. Ajo çfarë duhet bërë tani është pritja e një reagimi të ndërgjegjes së këtyre personave për atë që kanë bërë dhe duhet të bënin. Ajo që mund të them me plot bindje, dhe për fat të mirë është pranuar që nga Presidenti edhe poshtë, është se këto hallka nuk kanë funksionuar në përputhje me ligjin dhe kompetencat që u jep funksioni që ata kryejnë. Se cilët janë këta, i kam përmendur më sipër dhe se cila do të jetë përgjegjësia e tyre i takon Presidentit të Republikës si Kryetar i Sigurisë Kombëtare të Republikës si dhe Prokurorit të Përgjithshëm të këtij vendi.

A mund të shmangej një tragjedi e tillë dhe si mund të realizohej kjo?

Që mund të kryhen veprime me armatim dhe municione, përfshi këtu edhe tregtimin e tyre në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, kjo në një formë apo në një tjetër është e pranueshme. Kjo do të varej nga mënyra e veprimit të organeve që ndjekin zbatimin e ligjeve kushtetuese. Këto veprime dhe praktika e punës për përmbushjen e tyre bazohet në urdhrat dhe urdhëresa të ligjshme apo të kundërligjshme që japin titullarët që drejtojnë institucionet qendrore ose që kanë idenë për të vepruar me materiale të tilla si armatim-municioni. Ajo që duhet theksuar është se titullarët e institucioneve vartëse të dikasterit qendror siç janë Shtabi i Përgjithshëm, si institucioni më i specializuar dhe përgjegjës për këto probleme, Struktura e Shërbimit Informativ Kombëtar që nga qendra e deri në bazë, strukturat e Ministrisë së Brendshme, që e kanë objekt të punës së tyre hetimin dhe kontrollin e këtyre veprimeve, deri dhe këshilltarët e Sigurisë kombëtare që nga ai i Presidentit, Kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes, të Brendshëm dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, janë ata që në përmbushje të detyrës së tyre do të kishin bërë të mundur parandalimin e tragjedisë së ndodhur apo atyre që mund të ndodhin. Nëse këta kanë vepruar, por nuk janë dëgjuar, për mendimin tim duhet të ishin larguar me nder nga detyra që u është besuar duke mos marrë përsipër përgjegjësi kaq të rënda e duke mos u bërë pjesë e veprimit të strukturave mafioze që mund të kenë kapur shtetin. Kjo është një nga kërkesat kryesore të kodit dhe të moralit të ushtarakut dhe intelektualit.

Duke pasur parasysh që Shqipëria nga deklarimet e zyrtarëve ka tepricë të madhe të municioneve, a ekziston mundësia që të ndodhë një tragjedi e dytë nga neglizhenca e ruajtjes dhe administrimit të tyre?

Nisur nga kalimi i vendit tonë nga një sistem totalitar komunist në një sistem liberal demokrat duke pasur parasysh potencialet e mëdha ushtarake në teknikë, armatim dhe municion dhe Lëndë Helmuese Luftarake, mënyrën se si u shpërbë shteti në vitin 1997, ka një rrezikshmëri të lartë në përsëritjen e tragjedive të tilla pa ditur përmasat që mund të kenë ato. E them këtë sepse kam parasysh sasinë e madhe të armatim municioneve që ka disponuar vendi dhe që sot pjesa dërrmuese e tyre janë në mëshirë të fatit, jashtë kontrollit dhe pa as më të voglën siguri në ruajtjen dhe administrimin e tyre. Pak kohë më parë, kam deklaruar se Shqipëria është një fushë e minuar, ku jeta e njerëzve çdo ditë është e kërcënuar. Këtu nuk kam parasysh vetëm rrezikshmërinë e armatimeve dhe municioneve, por edhe rrezikun që mbartin lëndët djegëse siç janë karburantet dhe lubrifikantët, ku vendet e tregtimit dhe të shitjes së tyre janë plotësisht jashtë rregullave, kontrollit dhe vëmendjes së shtetit. Këtu tek ne në qendër të kryeqytetit, kam parasysh lagjet dhe rrugët kryesore, ndodhen pika karburanti dhe cisternat e gazit të lëngshëm, që në rast të një pakujdesie sado të vogël shkaktojnë tragjedi jo të pakta në zonën dhe vendin ku ndodhen. Prandaj duhet të kihen në vëmendje dhe rreziqe të tilla që shkaktojnë të njëjtin dëm si edhe municionet.

Si e vlerësoni gatishmërinë e shtetit në një situatë të tillë?

Që të analizosh një fenomen të tillë, duhet të dish dhe të njohësh masat paraprake që planifikon shteti për t’u paraprirë situatave të tilla. Veprimet në një vatër të tillë, siç ishte Gërdeci, qenë tepër të ngadalta dhe të pafuqishme për t’iu përgjigjur menjëherë asaj që ndodhi. Kjo ndoshta jo vetëm për nivelin e dobët të përgatitjes dhe trajnimit të strukturave vepruese, mungesës së mjeteve të fuqishme dhe të sigurta për të depërtuar në zona të tilla mund t’i shtojmë edhe neglizhencën e shtetit për fenomene të tilla, pasi praktika e deritanishme tek ne vërteton se kur ndodhin ngjarjet zbulohet edhe paaftësia për të vepruar. E thënë troç, shteti ynë zihet në befasi dhe koha ka treguar se na ka ruajtur Zoti. Nisur nga kjo, dalim në konkluzionin se jo gjithçka e trashëguar nga regjimi komunist duhej të shkatërrohej. Në rastin konkret, masat e sigurisë dhe mjetet që përdoren në eliminimin apo uljen e shkallës së dëmit që sjellin situata të tilla. Dëshiroj të sjell vetëm një shembull të thjeshtë. Kam pasur fatin që në vitin 2001-2002 të kryeja detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Emergjencave Civile (5 muaj). Gjatë kësaj kohe më është dhënë rasti që të vizitoja Republikën Çeke për të parë nga afër organizimin dhe veprimin e strukturave shtetërore që merren me menaxhimin e fatkeqësive dhe tragjedive kombëtare. Dëshiroj të theksoj se populli çek prej 10 milionë banorësh dispononte 11 milionë komplete kimike dhe mjete të tjera për të vepruar në zona shpërthimi apo për të kaluar zonat e infektuara me lëndë helmuese luftarake. Vetëm në shkollat e ciklit të ulët, siç na informuan dhe pamë me sytë tanë, ndodheshin të paktën 300 komplete të tilla në rast emergjence. Kjo është e mjaftueshme besoj për të treguar atë se ku jemi katandisur ne nga ata që pretenduan të ndërtonin shtetin demokratik.

Intervistoi L. Kondi

Gjeneral Brigade Fiqiri Cena

Lindur më 15 prill 1950, në Gështenjë, Kalis, Kukës.
Arsimi i mesëm, “Shkolla Tregtare” Vlorë, 1967-1971
Arsimi ushtarak, “Shkolla e Bashkuar”, 1971-1973
Akademia Ushtarake, 1979-1981
Kurs specializimi, “Akademia e Shtabit të Përgjithshëm dhe e Luftës”, Stamboll 1995
Funksionet: 1973-1975 oficer drejtimi në Radio-Zbulim, Ministria e Mbrojtjes
1975-1979, Pukë, instruktor i Përgatitjes Taktike të Korpusit
1981-1985, Komandant i Shkollës së Përgatitjes së Kuadrove Rezervistë, Pukë
1985-1992, Komandant i Shkollës së Lirë, Maqellarë Peshkopi, shef i Përgatitjes së Kuadrove dhe Shtabeve, Divizioni i Këmbësorisë, Peshkopi
1992-1993, Komandant i Brigadës së Ndërhyrjes së Shpejtë të Ushtrisë, Yzberisht, Tiranë
1993-1995 Komandant i Divizionit të Këmbësorisë, Elbasan
1995-1997 Komandant i Divizionit të Këmbësorisë, Shkodër
1997-1998 Këshilltar i Sigurisë Kombëtare pranë Presidentit të Republikës
1998 e në vazhdim, i liruar nga detyra

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›