Si u çlirua Skrapari nga çeta e Gjin Markut dhe Mestan Ujanikut
Në dhjetor të vitit 1941 Gjin Marku caktohet me detyrë për ngritjen e njësive guerile antifashiste dhe orientimin e qartë të veprimtarisë antifashiste të çetave për çlirimin e atdheut. Kjo veprimtari organizative e luftës kryengritëse antifashiste e Gjin Markut përfshiu në fillim territoret e Lushnjës, Fierit, Mallakastrës, Beratit e deri në Skrapar e më gjerë. Kur shkoi në Berat, Gjini u takua fillimisht me Kristaq Capon, Kristo Isaku, Kristaq Tutulanin etj. Bazat e para të organizimit të luftës u hodhën pikërisht në qytet. Puna u fillua shpejt, me aktivizimin e intelektualëve, të të rinjve të Beratit si dhe formimin e celulave komuniste dhe të njësiteve guerile. “Në fillimin e shkurtit 1942, në lagjen “Mangalem” u formua e para celulë partie për qarkun e Beratit. Në të morën pjesë Gjin Marku, i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë, Kristaq Capo, Kristo Isaku, Nure Dobruzha e Xhoxhi Bojaxhi. Pak më vonë u kooptuan dhe dy shokë të tjerë: Vasil Lacka dhe Thoma Bello. Për drejtimin e celulës u caktua Kristo Isak. Pas transferimit të Kristos në Korçë, në vend të tij u zgjodh Kristaq Capo. Përveç kësaj celule u formuan dhe celula të tjera, si në Murat Çelepi, me sekretar Iliaz Sevranin. Ndërsa celula e tretë qe ajo e Gorricës, me sekretar Kristaq Tutulanin. Për suksesin e aktivitetit antifashist në këtë qytet, por dhe në të gjithë qarkun e Beratit, pati një rëndësi vendimtare caktimi nga Gjini dhe bashkëpunëtorët e tij të disa bazave ilegale ku do të bëheshin takime, mbledhje dhe plane operacionale në kuadër të luftës antifashiste. Këto natyrisht u caktuan pranë familjeve të aktivistëve më të besuar dhe më të devotshëm. Në qytetin e Beratit deri në shtatorin e vitit 1943 numëroheshin mbi 30 baza ilegale. Disa nga familjet e para që shërbyen si baza ilegale që në fundin e dhjetorit 1941 dhe janar-shkurt 1942 kanë qenë:
- Në Kala: shtëpia e Kristaq Capos, Cac Dollanit, Vasil Sallabandës, Koço dhe Dhimitër Briskut etj.
- Në “Përrua”: shtëpia e Argjiro Lekës, Jani Gjecit, Muhamet Meqemesë etj.
- Në Mangalem: shtëpia e Kristaq Priftit, Kol Myzeqarit etj.
- Në Gorricë: shtëpia e Kristaq e Margarita Tutulanit, Nikollaq Sallabandës, Pali Pacukës etj.
- Në Murat Çelepia ishin shtëpitë e Orhan Frashërit, Ejet Xhindollit dhe të Luan Qafzezit.
Njohja me Mestan Ujanikun
Pas kësaj veprimtarie fillestare, por themelore, që do t’i shërbente për gjithë kohën suksesit të veprimtarisë antifashiste në qarkun e Beratit e më gjerë, Gjin Marku e shtriu këtë veprimtari edhe në zonat e fshatrave në të gjithë qarkun. Kjo veprimtari ka të bëjë me ngritjen e njësive luftarake legale si çeta partizane, batalione, grupe e deri në formimin e Brigadës VII Sulmuese në fillim të vitit 1944. Siç do të shohim, epiqendra e kësaj veprimtarie jo vetëm për qarkun, por për gjithë Shqipërinë, do të bëhet Skrapari me zonat përreth tij si Gramshi, Frashëri e Dangëllia, Gorë-Opari, Kuçova, Dumreja etj.
Në Berat Gjini u njoh edhe me situatën dhe gjendjen në Skrapar, duke u orientuar shpejt në planin organizativ në të gjithë rajonin. Nëpërmjet Kristo Isakut dhe dy arsimtarëve nga Skrapari, Nuro Dobruzha dhe Tajar Grepcka, Gjin Marku u njoh me çetën e Mestan Ujanikut, një grupim territorial kaçakësh, e cila ishte e tillë deri në mars të vitit 1942.
Që në bisedën e parë ku u fol për transformimin nga një çetë territoriale në një organizatë me program antifashist, komandant Mestani e shikoi me shumë simpati Gjin Markun për frymën antifashiste dhe atdhetare që manifestonte dhe sidomos për shkak të një mënyre komunikimi shumë interesante që kishte i ngarkuari nga qendra.
Pas këtij momenti, më 14 mars 1942, çeta u transformua nga çetë territoriale, në çetë patriotike-partizane, komandant i së cilës do të ishte deri në fund Mestan Ujaniku, ndërsa komisar Gjin Marku.
Me formën e re që mori çeta, me flamur në dorë shëtitën në shumë fshatra të Skraparit. Gjatë këtyre lëvizjeve Gjin Marku përcillte mesazhe antifashiste e patriotike, ndërsa mënyra e komunikimit tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e atij populli trim e bujar. Në lidhje me këtë marrëdhënie shumë të çuditshme të Gjinit me popullin e Skraparit, Skënder Malindi thotë: “Kjo, ndër të tjera, ndodhi edhe për arsyen se dy trevat, Skrapari e Mirdita, ngjasojnë në shumë gjëra, zakone e tradita me njëra-tjetrën. Për një kohë shumë të shkurtër Gjini fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe në këtë kuptim fjala e tij ishte ligj”.
Ky autoritet dhe gatishmëria e atij populli (Skraparit) për t’iu përgjigjur thirrjeve dhe udhëzimeve antifashiste të Gjin Markut, organizimi i njësive luftarake antifashiste etj., përbënin tashmë një shqetësim, jo vetëm për komandot e njësitë ushtarake fashiste në Çorovodë e Berat, por një shqetësim serioz për autoritetet fashiste italiane deri në Tiranë.
Veprimtaria organizuese, me frymë dhe karakter antifashist e Gjin Markut u shtri jo vetëm në qarkun e Beratit që përfshinte zonën nga Skrapari e deri në Lushnjë-Fier-Mallakastër, por dhe jashtë tij, si: në Vlorë, Tiranë etj. Këtë veprimtari e faktojnë edhe dokumentet e asaj kohe. Kështu, në një letër të Guiseppe Paglierit, gjeneral brigade, komandant epror, që i dërgon Ministrisë së Brendshme, thuhet: “Kallëzohet se nuk është e pamundur që në rrethanën e krijuar… katundarët, të nxitur nga turbullonjës, të bëjnë një demonstratë kundra regjimit shqiptar dhe Italisë. U muarn masat e vëzhgimit”.
Çlirimi i Skraparit
Në këtë situatë, për goditjen e bazave tashmë të rëndësishme në Skrapar, komanda fashiste nga Tirana planifikojnë dhe dërgojnë njësi milicësh të armatosur të inkuadruar në një kompani prej 63 vetash. Filluan reprezaljet kundër këtyre bazave partizane, dogjën shumë shtëpi, mes tyre dhe shtëpinë e komandantit të çetës së Skraparit, Mestan Ujanikut. Pastaj kompania e milicisë fashiste u përqendrua në fshatin Mëlovë, me synimin që më vonë të rrethohej dhe të asgjësohej çeta dhe drejtuesi i saj, Gjin Marku. Por si kundërpërgjigje ai mobilizoi çetën dhe fshatarët e asaj zone dhe ishte ai që e futi në rrethim kompaninë e milicisë fashiste. Në mëngjesin e një fund-gushti të vitit 1942, kompania fashiste, e gjendur mes krismave dhe e rrethuar nga të gjitha anët prej forcave të njësitit, u detyrua që të dorëzohej. Gjini në këto kushte i mblodhi fashistët mes fshatit dhe u mori armët. Ata nuk u pushkatuan. Nuk u mori as para e as plaçkë. Atyre iu përcoll mesazhi se “ne luftojmë për liri. Ju o të mashtruar nuk duhet t’i shërbeni më fashizmit, pasi herë tjetër nuk ju falim”.
Alarmi në Tiranë
Pas këtij momenti, alarmi në Tiranë u bë akoma më i madh, pasi jo vetëm nuk e çarmatosën çetën, por u çarmatosën prej saj. Pas kësaj situate të re, Gjini nuk ndenji duarkryq, por mori masa duke i organizuar skraparllinjtë dhe duke sulmuar Çorovodën tashmë, qendrën e Skraparit. Pas disa luftimeve autoritetet fashiste (numri i forcave fashiste i kalonte 600) të shpartalluar, e dorëzojnë Çorovodën me 5 shtator 1942, duke shënuar në këtë mënyrë një eveniment të rëndësishëm të Luftës sonë Antifashiste, pasi çlirimi i Skraparit shënonte dhe zonën e parë të çliruar nga fashizmi në Shqipëri.
Kjo qe ngjarja më e madhe e luftës për vitin 1942 në Shqipëri. Edhe mëkëmbësi fashist në Shqipëri, Jakomoni, në shënimet e tij përmendte se “gjendjen më të vështirë Italia e kishte në Skrapar”. Të njëjtën gjë thotë edhe komandanti i Përgjithshëm i Karabinierisë fashiste në Shqipëri, gjeneral Volante. Të njëjtën gjë thotë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Italisë në Romë, gjeneral Kavalero. Duke iu referuar të dhënave të tilla, në nëntor 1942 foli dhe Radio Londra, duke bërë të ditur se në Shqipëri ka veprime luftarake kundër regjimit fashist italian etj.
Shqipëria, aleate kundër fashizmit
Si konkluzion mund të themi se fjalët e këtyre eksponentëve të fashizmit, pa dashje popullarizuan dhe bënë të njohur luftën tonë edhe jashtë Shqipërisë, luftë e cila tashmë ishte futur në një fazë të re, më intensive dhe më interesante. Pas çlirimit të Çorovodës, çeta e Skraparit bëhet shumë aktive duke vepruar tashmë dhe jashtë Skraparit si në Berat, në Kolonjë, ku shkatërroi postën e karabinierisë. Po kështu, në Cesarakë e Barmash të Kolonjës, në Frashër të Përmetit etj. Më 28 nëntor 1942 rreth 100 partizanë të Skraparit, nën frymën dhe udhëheqjen e Gjin Markut dhe me komandantin Gjelal Staravecka, që drejtonte një çetë tjetër të rëndësishme në Skrapar; sulmohet Përmeti, një nga bazat më të rëndësishme të fashizmit në Shqipëri. Inkursioni partizan drejt Përmetit, pavarësisht se nuk solli çlirimin e tij, pati një jehonë edhe jashtë vendit. Kështu, deri në fund të vitit 1942, në gjithë Jugun, komandant me famë ishte Mestan Ujaniku, ndërsa komisar ishte Gjin Marku. “Do të kalonte edhe ca kohë pastaj të njiheshin persona të tjerë drejtues të luftës si, Hysni Kapo, Mehmet Shehu etj.”, - kujton veterani Skënder Malindi. Ngjarjet e vitit 1942, sidomos çlirimi i Skraparit dhe sulmi partizan mbi Përmet, ndryshuan gjithë mendimin tek aleatët se Shqipëria nuk ishte vendi që përdorej nga fashistët për të sulmuar fqinjët, por se shqiptarët ishin rreshtuar në luftë kundër tij. Për këtë arsye, në dhjetor të vitit 1942, ministri Jashtëm i Anglisë, Eden, sekretari amerikan i Shtetit, Hill dhe ministri i Jashtëm sovjetik, Molotov, njohën luftën që bëhej kundër fashizmit në Shqipëri dhe projektuan idenë se Shqipëria pas luftës do të njihej nga aleatët. (Këto fakte përmenden edhe në kujtimet e oficerëve anglezë që patën ardhur më vonë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare).
Në pikëpamjen strategjike ushtarake, rëndësinë më të madhe çlirimi i Skraparit e pati të lidhur me faktin se u krijua një territor i lirë, që do të ishte baza më e rëndësishme strategjike e forcave antifashiste të Shqipërisë. Nga kjo trevë e lirë e patriotike do të kishte më vonë inkursione të forcave partizane drejt Përmetit, Korçës, Beratit, Mallakastrës, Fierit, Lushnjës etj. Ndikimi i skraparllinjve dhe i Gjin Markut në formimin e Brigadës I, Brigadës VII, por dhe e shumë formacioneve të tjera antifashiste, do të ishte përcaktues. Në këtë pikqpamje në qoftë se themi se kemi pasur një luftë antifashiste shqiptare, e themi pa hezitim se “djepi” ku lindi kjo lëvizje është Skrapari. Natyrshëm, më vonë kjo lëvizje çlirimtare zhvillohet dhe merr përmasa edhe jashtë Skraparit, sidomos në vitin 1943 e në vazhdim.
Në numrin e së enjtes do të lexoni:
Gjin Marku dënohet me vdekje nga pushtuesit fashistë
26 Mars 2008