Projektligji, procedurat e reja që duhet të ndjekin farmacitë për sigurimet shëndetësore
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë ka gati draftin që parashikon procedurat e reja që duhet të ndjekin farmacitë për sigurimet shëndetësore. Në këtë draft përcaktohet mënyra e re e financimit dhe identifikimit të të siguruarve si dhe rregullat e reja për lidhjen e kontratës. Për të shmangur në masë abuzimet Ministria propozon me anë të nenit 17 se identifikimi i sigurimit të personave të siguruar që drejtohen në farmaci, të bëhet nëpërmjet dokumentit të identifikimit të sigurimit shëndetësor të dhënë prej fondit. Ky dokument është i pazëvendësueshëm me asnjë lloj dokumenti tjetër identifikimi. Kështu, personi që nuk posedon dokumentin e identifikimit të sigurimit të kujdesit shëndetësor social, si person i siguruar, paguan çmimin e plotë të shërbimeve shëndetësore. Ndërkohë që drafti i ri parashikon lidhjen e kontratave për sigurimet shëndetësore, në të cilat fondi i paguan shërbimet ofruesve të shërbimit shëndetësor vetëm për mallrat dhe shërbimet e ofruara ndaj personit të siguruar dhe bazuar mbi termat dhe kushtet e kontratave respektive dhe anekseve të tyre. Nëpërmjet fondit lidhet kontratë vetëm me dhënësit e shërbimit shëndetësor, të cilët janë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, bazuar në nevojat e kujdesit shëndetësor për popullatën.
Kontratat
Procedurat për lidhjen e kontratave të reja dhe financimin që bëhet nga Fondi për Sigurimet Shëndetësore janë të vendosura me kushte reciproke. Kështu, Fondi paguan shërbimet ofruesve të shërbimit shëndetësor vetëm për mallrat dhe shërbimet e ofruara ndaj personit të siguruar dhe bazuar mbi termat dhe kushtet e kontratave respektive dhe anekseve te tyre. Njëkohësisht, Fondi lidh kontratë vetëm me dhënësit e shërbimit shëndetësor, të cilët janë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, bazuar në nevojat e kujdesit shëndetësor për popullatën. Ndërsa Këshilli Administrativ përdor procedura për lidhjen e kontratave dhe për pagesat, duke synuar në stimulimin e aksesit ndaj shërbimeve, efektivitetit të kostos dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve të ofruara prej tyre ndaj komunitetit. Fondi krijon një Regjistër të Furnitorëve të Zgjedhur, publikë dhe privatë, bazuar mbi informacionin e ofruar prej furnitorëve, të cilët u përgjigjen kërkesave të parapërcaktuara nga Fondi, të cilat janë subjekt verifikimi prej tij. Kontratat lidhen nga Fondi bazuar mbi konkurrencën dhe vetëm me furnitorët e kujdesit shëndetësor të regjistruar në Regjistër. Fondi nuk ka asnjë detyrim për të dhënë kontrata ndaj furnitorëve, të cilët nuk janë të regjistruar në Regjistër. Ndërsa në rastet ku nuk ka konkurrencë prej furnitorëve, Fondi krijon një Regjistër të Burimit të Vetëm të Furnitorëve.
Neni 19
Pagesat
Këshilli Administrativ përcakton dhe vendos mbi format e ndryshme të pagesave ndaj ofruesve të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe institucioneve të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë, midis të tjerave, pagat, detyrimet, forma të ndryshme të pagesës për shërbim, buxhete të përgjithshme, pagesa në bazë të performancës, siç janë format e grupeve të diagnozave të përafërta. Fondi paguan furnitorë të kontraktuar për shërbime dhe mallra shëndetësore të përfshira në paketën shëndetësore të detyrueshme të dhënë në përputhje me termat dhe kushtet e kontratave të nënshkruara si dhe anekset e tyre, me Fondin. Nëpërmjet Fondit rimbursohen personat e siguruar, të cilët marrin shërbime prej ofruesve të kujdesit shëndetësor, dhe të cilët nuk kanë një kontratë me Fondin, vetëm në rastin kur nuk ka ofrues të kujdesit shëndetësor të kontraktuar pas një verifikimi të duhur prej Fondit. Këshilli Administrativ specifikon rastet e rimbursimit për personat e siguruar. Fondi për sigurimet shëndetësore ka të drejtën të verifikojë çdo pagesë të dhënë konform termave dhe kushteve të kontratave dhe të refuzojë pagesa bazuar në Rregullore Financiare të adoptuara prej Këshillit Administrativ.
Përfitimi
Të gjithë personat që paguajnë sigurimet shëndetësore kanë një sërë përfitimesh, të cilat mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë.
Kështu, një i siguruar përfiton shërbimin shëndetësor falas te mjeku i përgjithshëm dhe i familjes, si dhe shërbimin shëndetësor falas te mjeku specialist. Pacientët përfitojnë shërbimin shëndetësor falas në shtëpi, poliklinikë dhe spital, si dhe ekzaminimet laboratorike dhe radiologjike falas, ekzaminimet unikale terciare me rimbursim në masën 90% dhe bashkë pagesë nga personat e siguruar 10%. Ata përfitojnë falas barnat e listës së rimbursuar për fëmijë 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët. Përfitohen të gjitha barnat falas për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës, si dhe për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, Sklerozë multiple, talasemia major. Ndërsa, barna me rimbursim të pjesshëm përfitohen për të gjitha kategoritë e tjera të popullsisë, në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50% nga barnat e listës, kundrejt recetës me rimbursim, të lëshuar nga mjeku i përgjithshëm. Lista e barnave, e cila përmban dhe çmimin e pacientit, disponohet nga të gjitha farmacitë dhe vihet në dispozicion të çdo personi të interesuar.
Luhatja e temperaturave shton virozat stinore te fëmijët
Temperaturat e ulëta që kanë kapur rajonin ditët e fundit bënë që të shtohet numri i fëmijëve në Pediatri për shkak të virozave. Mjekët pediatër presin një shtim të fluksit të fëmijëve me viroza, për shkak të luhatjes së temperaturave. Sipas specialistëve, koha e ndërrimit të stinëve dhe agjentët atmosferikë kanë ndikuar në shfaqjen e sëmundjeve të lehta stinore në rrugët e frymëmarrjes, kryesisht tek të vegjlit. Në virozat stinore përfshihet ftohja, kolla, gripi dhe alergjitë. “Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, por edhe alergjitë e stinës janë shqetësimet kryesore të fëmijëve që paraqiten në urgjencën e spitalit civil. Fluksi mesatar është 100 fëmijë në ditë që kërkojnë ndihmën mjekësore, por ndryshimi i temperaturave dhe niveli i lagështisë në ajër, ndikon në përkeqësimin e shëndetit”,- u shpreh Edmond Pistuli, mjek në Urgjencën e Pediatrisë. Për kurimin e sëmundjeve të stinës, mjekët këshillojnë përdorimin e lëngjeve të ngrohta dhe qëndrimin në ambiente me temperaturë normale, ndërsa për kurimin e alergjive duhen evituar daljet në ambientet e jashtme në orët e para të mëngjesit dhe ato të mbrëmjes.
Ndërron jetë në Itali një nga të plagosurit e Gërdecit
Shtohet numri i viktimave nga shpërthimi i ndodhur dhjetë ditë më parë në Gërdec. Një nga 16 të plagosurit e transportuar në Itali, ndërroi jetë të martën, duke e çuar në tre numrin e personave që humbën jetën, pasi u transportuan jashtë vendit për trajtim më të specializuar mjekësor. Ndërkohë që në spitalet italiane po trajtohen edhe 13 të tjerë. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur emrin e pacientes, e cila quhet Kore Deliu, 48 vjeçe, që ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në trup. Familja Deliu është më e prekura nga kjo tragjedi, nga e cila kanë humbur jetën 11 pjesëtarë të saj. Ajo u transportua në Itali më datë 17 mars së bashku me 10 pacientë të tjerë. Dy pacientët e parë që humbën jetën në Itali, janë Azem Ameliu, 46 vjeç, i cili ndërroi jetë më datë 17 mars dhe Nafie Laçi, 37 vjeçe, që humbi jetën më 23 mars.
26 Mars 2008