E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Xholi nuk është në grupin hetimor të çështjes “Gërdeci”



TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme njoftoi dje se prokurori i Tiranës, Genti Xholi, nuk është anëtar i grupit hetimor për hetimin e çështjes së Gërdecit.
Sqarimi
Organi i akuzës sqaroi në një njoftim për shtyp se prokurori Xholi ka qenë pjesë vetëm kur janë kryer veprimet e para pas ngjarjes së Gërdecit për mbledhjen e informacionit dhe të dhënave të para për të nisur hetimin e ngjarjes. Hetimi i çështjes po ndiqet nga një grup prokurorësh të tjerë, ndërsa Xholi nuk ka lidhje me hetimin e çështjes që po hetohet. Aktualisht, grupi i prokurorëve udhëhiqet nga Genci Qano zëvendësprokuror i Tiranës dhe prokurorët Arben Dollapi, Petrit Bici dhe Etien Kapo. Reagimi erdhi pas publikimit të lajmit se Gent Xholi, një nga prokurorët e çështjes “Gërdeci”, ka qenë jurist i “MEICO”-s.
Deklarata
Xholi ka kryer për rreth dy vjet detyrën e juristit pranë kompanisë “MEICO”, drejtuesi i së cilës akuzohet si një nga përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën më shumë se 20 veta dhe u plagosën qindra të tjerë. I kontaktuar nga mediat, Xholi vetë ka shpjeguar pozicionin e tij kur punonte si jurist i “MEICO”-s në vitet 1997 – 1999. Prokurori i Tiranës, Gent Xholi, ka deklaruar se ka qenë jurist i kompanisë “MEICO” nga muaji maj 1997 deri në maj të vitit 1999, në kohën kur këtë kompani e kanë drejtuar dy drejtorë të tjerë, Bardhyl Rrapi e Pirro Ymeri dhe jo Ylli Pinari, njëri prej të pandehurve të kësaj ngjarjeje. Ai ka theksuar se fakti që ka qenë jurist i “MEICO-s” në ato vite nuk përbën kundërshtim me ligjin përsa u përket hetimeve të ngjarjes së Gërdecit. Në dy vitet kur pranë kësaj firme ka punuar si jurist prokurori Xholi, firma drejtohej nga një tjetër person. Me këtë rast, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se nuk ka konstatuar shkaqe njëanshmërie nga ky fakt. Reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme erdhi një ditë pas pretendimeve në media se prokurori Xholi nuk mund të udhëhiqte grupin hetimor të çështjes “Gërdeci”, pasi mes tre të arrestuarve është edhe Ylli Pinari, drejtues i firmës “MEICO”, ku Xholi kishte punuar për dy vjet si jurist.

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›