E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria komuniste: “Ja kundërshtitë për politikën e bashkekzistencës”

Gazeta “Zëri i popullit” citon deklaratën e Hrushovit për lidhjet me SHBA-të. Si konceptoheshin nga Tirana zyrtare raportet mes komunizmit e kapitalizmit

Nikita Hrushovi flet shumë për bashkekzistencën paqësore, për kuptimin e saj leninist, për zbatimin në praktikë sipas konkluzioneve të Deklaratave të Moskës. Bile, për të qenë brenda, kohët e fundit thekson se bashkekzistenca presupozon luftën e pandërprerë ideologjike, politike dhe ekonomike midis dy sistemeve shoqërore, luftën klasore të punonjësve brenda vendeve të sistemit kapitalist, duke përfshirë luftën e armatosur, kur popujt e konsiderojnë atë të domosdoshme, zhvillimin e vazhdueshëm të lëvizjes nacional-çlirimtare të popujve të vendeve koloniale e të varura. Por sa larg është në të vërtetë Nikita Hrushovi nga këto teza! Në qoftë se ai e koncepton kështu bashkekzistencën paqësore, atëherë pse i akuzon Partinë e Punës së Shqipërisë dhe partitë e tjera motra, të cilat u përmbahen me konsekuencë konkluzioneve të Deklaratës së Moskës lidhur me këtë çështje, se gjoja ato janë kundër bashkekzistencës paqësore? Nikita Hrushovi, në fakt, edhe në këtë rast bën demagogji, lojë fjalësh, sepse megjithëse e pranon me fjalë se “bashkekzistencë paqësore nuk do të thotë pajtim i ideologjisë socialiste me atë borgjeze”, ai mendon se kontradiktat ideologjike midis dy sistemeve do të zgjidhen jo me anën e revolucionit për fitoren e socializmit në vendet e ndryshme, por nëpërmjet garës ekonomike paqësore midis dy sistemeve. Kështu, në intervistën dhënë gazetarëve brazilianë më 5 dhjetor 1957, Nikita Hrushovi ka thënë: “Në qoftë se të gjitha çështjet e pazgjidhura do të zgjidhen me anën e bisedimeve dhe kontradiktat ideologjike midis sistemit socialist dhe atij kapitalist me anë të garës paqësore në zhvillimin e ekonomisë, kulturës dhe në plotësimin e kërkesave materiale e kulturore të njerëzve, mund të themi me bindje se për njerëzimin do të sigurohet një periudhë e gjatë paqeje”. Megjithëse me fjalë pranon se bashkekzistenca paqësore nënkupton luftën politike midis dy sistemeve, Nikita Hrushovi në fakt ka hequr dorë nga kjo luftë dhe, në vend të demaskimit të politikës agresive e luftënxitëse të imperializmit me atë amerikan në krye, përhap, siç e theksuam më sipër, gjithfarë iluzionesh pacifiste për imperialistët dhe u thur lëvdata krerëve të tij. ”Duhet të bëjmë që lufta e pashmangshme ndërmjet dy sistemeve, - ka thënë Nikita Hrushovi, - të shkrihet pa përjashtim në luftën midis ideologjisë dhe në garën paqësore, në konkurrencën, në qoftë se mund të flitet në një gjuhë më të kuptueshme për kapitalistët”. Dhe pikërisht bashkekzistencën paqësore, të kuptuar në këtë mënyrë, sekretari i sotëm i KQ të PK të BS, B. Ponomarjev, e ka quajtur formën më të lartë të luftës së klasës ndërmjet dy sistemeve të kundërta - socializmit dhe kapitalizmit”. Megjithëse me fjalë pranojnë se bashkekzistenca paqësore nuk përjashton, por e presupoon luftën e klasave dhe Luftën Nacional-Çlirimtare, Nikita Hrushovi dhe grupi i tij në të vërtetë i përmbahen pikëpamjes së bashkekzistencës paqësore dhe gara ekonomike midis dy sistemeve janë mjeti kryesor e më efektiv për çlirimin kombëtar e shoqëror të popujve. Bashkekzistenca paqësore dhe vetëm ajo, - ka thënë anëtari i KQ të PK të BS A. Rumjancev, - është rruga më e mirë dhe e vetmja rrugë e pranueshme për zgjidhjen e problemeve me rëndësi jetike që qëndrojnë para shoqërisë”. Me koncepte të tilla antimarksiste grupi i Nikita Hrushovit në të vërtetë e ka shtrembëruar konceptin marksist-leninist të bashkekzistencës paqësore, nga njëra anë, duke e shpallur atë “vijë të përgjithshme të politikës së jashtme” të vendeve socialiste, ndërsa nga ana tjetër, duke u përpjekur t’ia imponojë atë si vijë të përgjithshme tërë lëvizjes revolucionare e çlirimtare botërore, me qëllim që t’i detyrojë popujt të heqin dorë nga lufta e tyre revolucionare e çlirimtare. Nikita Hrushovi ia kundërvë luftën për paqe dhe për bashkekzistencë paqësore lëvizjes revolucionare e çlirimtare botërore. Ai propagandon me të madhe se lufta për paqe është bërë kushti më i rëndësishëm i luftës për socializëm, se asnjë problem i lëvizjes revolucionare të klasës punëtore dhe i lëvizjes nacional-çlirimtare nuk mund të shqyrtohet tani pa u lidhur me luftën për paqe, për shmangien e luftës termobërthamore”. Propagandistët e tij kanë arritur bile deri atje sa ta quajnë çarmatimin faktorin më të rëndësishëm për çlirimin e popujve kolonialë, sa të thonë se çarmatimi është qëllimi kryesor i popujve që luftojnë për çlirimin kombëtar. ǒkuptim tjetër kanë fjalët e Nikita Hrushovit se çdo luftë lokale mund të shndërrohet sot në luftë botërore, se nga çdo shkëndijë mund të ndizet zjarri botëror, përveçse që popujt duhet të heqin dorë nga lufta e tyre revolucionare e çlirimtare dhe të pranojnë si qëllimin më të lartë të luftës së tyre paqen dhe bashkekzistencën paqësore? Po në këtë frymë Nikita Hrushovi ka thënë se çarmatimi i plotë e i përgjithshëm do të krijonte mundësi të reja për t’u dhënë ndihmë shteteve ekonomia e të cilave në kohën e tanishme është akoma e dobët dhe ka nevojë për ndihmë nga ana e shteteve më të zhvilluara, se një ndihmë e tillë do të mund të hapte një epokë të re në zhvillimin ekonomik të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 18 prill 1963
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›