E Diel, 1 Nëntor 2026

22 gjykata rrethesh pa kryetarë

Procesi i ndryshimit të kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të Apelit, i ndërmarrë prej pak kohësh nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duket se ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kandidaturave fituese. Në mbledhjen e djeshme KLD-ja ka miratuar vendimin lidhur me funksionet drejtuese në gjykatat e shkallës së parë dhe të Apelit të Republikës së Shqipërisë, duke premtuar më shumë transparencë gjatë këtij procesi. "Ky vendim synon të thellojë transparencën në vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke garantuar vendosjen e rregullave procedurale transparente dhe të barabartë, gjatë procesit të shqyrtimit të kandidaturave dhe të emërimit të kryetarit të gjykatës", deklaroi për mediat pas mbledhjes nënkryetari i këtij organizmi.

Burimet zyrtare thanë se pas vendimit të KLD-së për kufizimin e mandateve të kryetarëve të gjykatave, numri i drejtuesve që tashmë janë larguar nga këto pozicione është 19, por brenda pak muajsh ai pritet të shkojë në 22. Konkretisht, në muajin maj të këtij viti përfundon mandati i kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Z. Rasim Doda, të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Z. Artur Malaj, si dhe kryetarit të Gjykatës për Krime të Rënda, Z. Sandër Simoni. Si rrjedhojë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi shpalljen e vendeve vakante në gjykatat e sipërcituara duke ftuar të gjithë gjyqtarët të cilët plotësojnë kriteret ligjore të kandidojnë për kryetarë të këtyre 3 gjykatave.

Nënkryetari i KLD-së, premtoi dje se ky institucion do të fillojë të aplikojë debatin, transparencën dhe motivimin e vendimeve të veta, nëpërmjet vendimeve të arsyetuara dhe të shkruara për emërimet e kryetarëve të gjykatave. "Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjykon se vetëm votimi është i pamjaftueshëm për një proces transparent nëse nuk ka vendime të motivuara dhe të arsyetuara për shkaqet e këtyre përzgjedhjeve", tha ai. Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme, këshilli ka diskutuar edhe për zbatimin e ligjit të ri "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë". Për këtë qëllim është vendosur ngritja e grupit të punës për të hartuar rregullat në lidhje me zbatimin e dispozitave respektive ligjore, lidhur me suprimimin e Gjykatës Ushtarake dhe për gjetjen e zgjidhjes për sistemimin e gjyqtarëve të kësaj gjykate.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›