Mashtrimi me kredinë, tre në pranga
Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre persona, të cilët kanë nxjerrë kredi kundrejt mashtrimit dhe korrupsionit. Deklarata zyrtare e Drejtorisë së Policisë së Tiranës tha se bëhet fjalë për arrestimin e avokatit Artan Gjuzi, arrestimin e ish-oficeres së kredisë pranë bankës "Partneri Shqiptar i Kredive", Eli Agaj, dhe arrestimin e Ardi Agollit. Tre personat e lartpërmendur, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin dyshohen se kanë nxjerrë kredi me vlerë deri në 1200000 lekë, kundrejt përfitimit të tyre të paligjshëm të shumave deri në 200000 lekë për çdo rast të nxjerrjes së kredisë. Operacioni i koduar "Gërshërët e ligjit 2" është realizuar në orët e vona duke u gdhirë dita e djeshme nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, "ndaj të arrestuarve janë përdorur të gjitha metodat speciale të hetimit, ku falë tyre u mundësua dokumentimi i plotë i veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë nxjerrë kredi me vlerë nga 400000 deri në 1200000 lekësh, kundrejt përfitimit të tyre, të paligjshëm, duke variuar nga 50000 deri në 200000 lekësh, për çdo rast të nxjerrjes së kredisë, të shtetasve të ndryshëm". Ndërkohë, njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka marrë në dorë hetimet, tha se falë të këtij investigimi u konkludua se Gjuzi, Agaj dhe Agolli përpilonin praktika të marrjes së kredive me dokumentacion të falsifikuar. Burimet thanë se për shtetasin Artan Gjuzi, me profesion jurist, dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash nga familjar të personave të arrestuar, duke u premtuar se do t‘u mundësonte lirimin e tyre nga vendi i vuajtjes së dënimit, këto të fundit të akuzuar për vepra të ndryshme penale. "Aktualisht, vazhdon puna për thellimin e hetimeve në bashkëpunim me prokurorinë, për implikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal", thanë burimet policore. Operacioni "Gërshërët e ligjit 2" është vazhdimi i operacionit me të njëjtin emër që ka kryer Prokuroria e Tiranës disa muaj më parë, falë të cilit dy anëtarë të komisionit të patentave, një pronar autoshkolle në kryeqytet, njëkohësisht oficer policie në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe dy instruktorë, janë vënë në pranga pas disa muaj hetimesh për korrupsion aktiv e pasiv dhe falsifikim dokumentacionesh. Të ndaluarit janë Emiljano Kahu, 31 vjeç dhe Sokol Breca nga Tirana. Në pranga janë vënë dhe pronari i autoshkollës "Univers Vip", Kadri Dajci, si dhe dy instruktorët Jonuz Meshi dhe Qazim Hoxha. Akuzat e ngritura nga policia dhe prokuroria janë "korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike", "korrupsionit pasiv dhe aktiv në sektorin privat", si dhe të "falsifikimit të dokumenteve zyrtare në bashkëpunim".