E Diel, 1 Nëntor 2026

Librazhd, pronarja e truallit mbyll shkollën

Plot 40 nxënës të një fshati në rrethin e Librazhdit që prej dhjetë ditësh kanë mbetur pa mësim. Pronarja e truallit në të cilën është ndërtuar shkolla ka kyçur godinën mësimore, pasi shteti nuk i ka likuiduar 15 mijë dollarë si kompensim me vendim gjykate. Sipas informacioneve, brenda zyrës arsimore të rrethit të Librazhdit mësohet se 40 fëmijë në shkollën 9-vjeçare të fshatit Stravaj, rreth 40 kilometra larg qytetit, kanë mbetur pa mësim që nga 10 marsi i këtij viti. Arsyeja e vetme mbetet se pronarja e truallit të shkollës, Liri Leka, i ka vënë kyçin shkollës, pasi shteti nuk i ka paguar qiranë e truallit, ku është ndërtuar shkolla. Sipas pretendimeve të Lekës, shteti i detyrohet që prej pesë vjetësh 15 mijë dollarë dhe përderisa nuk ia ka dhënë qiranë e përvitshme, ajo e ka fituar këtë të drejtë me vendim të Gjykatës së Rrethit të Librazhdit. Ndërkohë, kreu i arsimit për rrethin e Librazhdit, Ferit Hysa, shpjegon se "mbyllja e shkollës nga poseduesja e truallit është vepër penale dhe duhet të dënohet me ligj, pasi ndalon 40 fëmijë të bëjnë mësim. Paratë e truallit, sipas ligjit duhet t‘i japë vetë Komuna e Stravajt dhe konflikti mbetet mes komunës dhe personit që ka kryer një veprim të dënueshëm në rastin konkret me vënien e kyçit në këtë shkollë". Sipas tij, Liri Leka, në pamundësi për t‘u përballur me instancat vendore, ka gjetur mënyrën më të thjeshtë, por që ligji duhet të veprojë. Ai sqaron se "kam kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve të komunës dhe atyre të policisë, por ata ende nuk kanë vepruar me forcën e ligjit". Ndërsa, 40 nxënës në Stravaj rrezikojnë të mbyllin vitin shkollor, përderisa pronarja e truallit, në pamundësi t‘i marrë paratë komunës, kyç shkollën e fshatit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›