Ballsh, kapet duke vjedhur naftë polici
Një polic i Komisariatit të Mallakastrës është arrestuar dje, pasi është kapur duke vjedhur karburant në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës (KPTHN) në Ballsh. Vilson Prifti, 42 vjeç, efektiv policie prej 17 vjetësh, kishte për detyrë të ruante ambientet e KPTHN-së, por dje në orët e para të mëngjesit është kapur duke bërë vetë rolin e hajdutit. Ai është ndaluar rreth orës 01.00, duke gdhirë e premtja, me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se gjatë kohës që ka qenë duke kryer shërbimin, polici 42 vjeç është kapur duke vjedhur naftë në tubacionet e qarkullimit të naftës brenda kombinatit. Mësohet se ai ka qenë nën vëzhgimin policor prej fillimit të muajit mars, pas disa informacioneve në lidhje me të dhe aktivitetin e jashtëligjshëm. Polici kishte më shumë se 1 vit që punonte pranë KPTHN-së.