E Diel, 1 Nëntor 2026

5 mars 2008 - Topalli: Çdo grua është një histori suksesi. Të gjitha së bashku ne do të bëjmë historinë e madhe të suksesit të shoqërisë.

Fjala e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Vlorë.

Unë kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të jem me ju sot, me ju që jeni modeli më i mirë i kurajos, modeli më i mirë i arritjeve, modeli më i mirë i rezultatit, që vjen nga energjia dhe mençuria e gruas.

Ne jemi së bashku këtu sepse, koncepti i demokracisë nuk mund të marrë kuptimin e plotë dhe të vërtetë kur reformat poltike, apo legjislative nuk ndërmerren bashkarisht nga gratë dhe burrat në interes të të dy gjysmave të popullsisë

Në Shqipëri ka shumë gra që kanë pasur kuajon për tu marrë me politikë, apo biznes dhe për të qenë të sukseshme. Kryesisht këto janë të përqendruara në Tiranë, por nuk mungojnë, në numër të konsiderueshëm, edhe në Vlorë, në Shkodër, në Korçë,  Elbasan, Fier, apo në Durrës.

Po cili është problemi i gruas sot? Cili është problemi i lirisë së saj? Çfarë duhet bërë? Cfarë do të bëjmë? Unë do ta përmblidhja kështu: Së bashku le të krijojmë një botë ku gruaja të ndiehet një qenie njerëzore, me të gjitha shanset për të ushtruar të gjitha dhuntitë e saj në të gjitha mënyrat, në të gjitha fushat.

Dhe e dyta, nëse ato zgjedhin të ushtrojnë detyrën e nënës, le të njihet botërisht se edhe kjo është një punë e nderuar, madje edhe e shpërblyer nga shteti dhe jo të mbetet plotësisht në varësi ekonomike të bashkëshortit.

Megjithatë, të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm se nuk është thjesht çështje ekonomike, por mbi të gjitha shpirtërore. Pra, nuk mund të krijojmë lirinë për gratë vetëm duke u dhënë atyre lirinë ekonomike.
Ajo që ne do të bëjmë është krijimi i  kushteve të duhura që një shpirt i lirë gruaje, të lindë e të rritet i lirë.
Liri për të vendosur për jetën e saj, punën të cilën dëshiron të bëjë dhe një pavarësi ekonomike për gratë. Si do ta arrijmë këtë objektiv?

Së pari, duke rrëzuar të gjithë barrierat e mbetura. Ne kemi nisur të ndërtojmë një legjislacion të ri, që do ti krijojë gruas mundësi të zgjedhë e të konkurojë, të jetë e suksesshme në të gjitha profesionet.

Së dyti ne kemi nisur e do të vijojmë një revolucion në edukimin e djemve dhe vajzave, pra të kapim problemin që në rrënjë. Dhe këtu bashkëpunimi i mësuesve është thelbësor.

Para pak ditësh zhvillova në Kuvend një takim mbi edukimin, me rreth 300 mësues të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme, nën moton: E ardhmja që ne besojmë.
Diskutuam gjatë me ta për sfidat e edukimit të fëmijëve tanë. Diskutuam që të gjithë së  bashku, politikanë, mësues, prindër, punonjës socialë, psikologë e  mjekë me qëllim që të bashkrendojmë angazhimin tonë që të fitojmë sfidën e edukimit të fëmijëve tanë për të ndërtuar një shkollë të qytetërimit, të respektit, të kulturës.

Është një  çështje femërore ashtu edhe  mashkullore të përballosh jetën, të varesh prej shpatullave të tua. Është  si femërore dhe mashkullore të mësosh të gatuash apo të kujdesesh për veten dhe fëmijët e tu.

Ky është vërtet një revolucion i vështirë dhe jo vetëm në Shqipëri.
Meshkujt nuk dorëzojnë lehtë privilegjet e tyre. Dhe jo të gjithë e pranojnë se kjo është, në fund të fundit, paftësi e tyre.

Por, pse ndodh kjo? Mendoj se në një farë mënyre kjo është përgjegjësi edhe e  nënave, apo mësueseve, sepse që të vegjël djemtë, të përkëdhelur nga nënat,  fillojnë të kuptojnë  faktin se të mos bësh dot punë shtëpie është një privilegj. Ky koncept ka nisur të ndryshojë sot në botë dhe jam e bindur se do të ndryshojë edhe në Shqipëri.

Duke filluar që nga unë, një nënë që ka një vajzë e një dialë, për ti rritur ata me konceptin e punës, pa dallim gjinor. Kjo jo për ti bërë burrat gra dhe gratë burra, por për tu mësuar atyre se jeta është një kontribut i të dy gjinive pa kufij të ndarë dhe pa formula të gatshme matematike.

Besoj se të gjithëve na u duk fillimish e çuditshme kur vende të ndryshme të botës aplikuan lejen e lindjes për meshkujt. Ky është një revolucion, dhe si i tillë do kohën e vet për tu pranuar mbarë botërisht.

Si mund ta ndryshojmë këtë realitet?
Do të doja shumë që zgjidhja  të ishte e thjeshtë: të ndryshojmë ligjet. Por nuk besoj se është thjesht çështje ligjore, të cilat ne po i bëjmë. Është çështje koncepti. Ajo që ne do të bëjmë është ndryshimi i  konceptit,  si te gratë ashtu edhe te burrat dhe kjo vjen më së shumti prej edukimit të nënave, baballarëve, mësuesve.

Unë jam e ndërgjegjshme se duhet të humanizojmë politikën dhe ne do ta realizojmë këtë sfidë, sepse jemi të ndërgjegjshëm se shteti duhet të ndihmojë kryefamiljaret, duhet të ndihmojë nënat, që zgjedhin si punë të tyre të nderuar, rritjen e fëmijëve. Përgjigjia nuk duhet të jetë thjesht planifikimi familjar. Pushteti lokal ka filluar të angazhohet për të ndërtuar çerdhe e shkolla dhe do të vazhdojë të krijojë mundësi që një grua në karrierë, një grua kampione  të mos e ndërpresë karrierën e saj nëse sjell në jetë një fëmijë.

Megjithatë, pavarësisht nga dukja e një vendi tradicional, në Shqipëri opinini publik nuk ka vështirësi në pranimin e grave në vendimmarrje, përfshi këtu edhe në politikë. Në të gjjithë botën gratë përballen me pengesa në pjesëmarrjen e tyre në politikë.
Por, po ashtu besoj se, si për çdo grua tjetër në çdo vend të botës, kur ato arrijnë në pozicione kyçe, ato  kanë hapur në këtë rast një portë shumë të rëndësishme për çdo grua tjetër që sheh një mundësi për të matur forcat e veta. 

Unë jam e bindur se ju nuk e shihni veten në vështirësi të përballeni me gratë e tjera në Europë.
Sot, në Shqipëri ka pak gra në politikë dhe sistemi i kutave do të ishte një zgjidhje. Ndoshta jo zgjidhja më e mirë dhe më e preferuar, por mund të shihet si një fillim për gratë që duan të nisin karrierën politike e më pas t'u nënshtrohen rregullave të konkurimit, për të gjetur veten nëse janë vërtet të  lindura dhe të përkushtuara për të ecur më tej ose jo. Unë besoj se një gjë e tillë nuk është e pamundur, por nuk duhet të jemi artificialë, pasi jo gjithçka ka të bëjë me numrat. Edhe pse një  grup i rëndësishëm grash është i nevojshëm për të siguruar përfaqësimin e tyre, cilësia e përfaqësimit është po aq e rëndësishme.

Kemi të ardhmen përpara. Ajo nuk do të ndryshojë nëse ne do të presim që këtë ta bëjë brezi tjetër. Ndryshimi është proces që do kohën e vet. Askush më shumë se gratë e suksesshme nuk do të sjellin ndryshimin për më shumë dinjitet, më shumë respekt, më shumë mundësi për femrat. Kështu do të kemi edhe familje më të forta.

Historia e grave nuk do të jetë më një film pa zë. Ne të gjitha së bashku, politikane, mësuese, nëna, mjeke, avokate, biznesmene, artise e sportiste, së bashku me meshkujt e emancipuar, duhet të bëjmë që ky zë të dëgjohet.

Gratë e suksesshme janë shembulli më i mirë që do të sjellë ndryshimin.

Çdo grua, në fshat apo qytet, biznesemene, apo nënë, politikane, apo mësuese, artiste, apo sportise është një histori suksesi. Të gjitha së bashku ne do të bëjmë historinë e madhe të suksesit të shoqërisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›