E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, nis procesi ndaj Afrim Hasanit



Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda ka nisur dje procesin gjyqësor në ngarkim të Afrim Hasanit, i akuzuar për vrasjen e dy punonjësve të policisë në Kukës. Por, seanca e parashikuar për t'u zhvilluar, ku prokurorët e çështjes do të lexonin kërkesën për gjykimin e Hasanit, nuk u realizua për shkak të mungesës së përfaqësuese të mbrojtjes ligjore të tij. Afrim Hasani akuzohet për vrasjen me armë zjarri të punonjësve të policisë Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila në muajin mars të këtij viti në fshatin Shën Mëri të Kukësit. I dyshuari si autor i krimit u arrestua nga forcat speciale të policisë pak orë pas ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, hetimet ndaj tij u realizuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas të dhënave hetimore, mendohet se “shkak për ngjarjen të jetë bërë hakmarrja e Afrim Hasanit ndaj dy punonjësve të policisë, të cilët kishin ngritur ndaj tij një padi penale, për dëmtim të pronës së një qytetari dhe kundërshtim të forcave të rendit".

Banda e Lushnjës, “dështon” procesi, mungojnë avokatët
Tiranë - Procesi ndaj bandës së Lushnjës nuk ka mundur dot të zhvillohej dje. Mungesa e avokatëve ka qenë sërish shkak për shtyrjen e seancës së radhës. Dje pritej të dëshmonin dëshmitarë të thirrur nga akuza, mirëpo iu duhet të paraqiten seancën e ardhshme. Me cilësinë e të pandehurit në këtë proces janë Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stregu, Agur Musaku dhe Erion Cici, të cilët akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe vrasje të ndodhura vite më parë në Lushnjë. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Aldo Bare, i cili po ashtu është në proces gjykimi në këtë Gjykatë, por në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë. Organi i akuzës ka grumbulluar prova për vrasjet e Nimet Zenelit, Masar Aliu, Idajet Beqiri, Luan Bilbili, Xhevet Demiri, që kanë ndodhur gjatë vitit 1997-1998. Pikërisht më 13 shkurt të vitit 1998 u ekzekutua Nimet Zeneli, e vetëm 9 ditë më vonë të po atij viti u ekzekutuan Mazar Aliu dhe Idajet Beqiri. Këto vrasje u shoqëruan me atë të Luan Bilbili pikërisht më 18 gusht 1988.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›