“23 qershori, dita e ecjes së sigurt drejt statusit të vendit kandidat”
Kryeministri, takim me të rinjtë e Beratit
“Mbështetja juaj vjen si një vokacion i juaj shpirtëror për lirinë dhe vlerat e saj”, u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha për të rinjtë e Beratit, mbështetës të Partisë Demokratike, në një takim të shkurtër që zhvilloi me disa prej tyre, në zyrën elektorale të PD, në qendër të qytetit.
Kryeministri i vlerësoi ata si njerëz me vlera qytetare të shkëlqyera, me besueshmëri të lartë, mision të qartë dhe energji të mëdha. Kryeministri kërkoi nga këta të rinj që të japin kontributin e tyre për të qartësuar mendimin se përse njerëzit duhet të votojnë për Partinë Demokratike.
Duke renditur një sërë arritjesh të Qeverisë demokratike, kryeministri theksoi se qytetarët e Beratit dhe të gjithë Shqipërisë duhet të votojnë për të vazhduar më tej ndryshimet epokale, si dhe për një integrim të mëtejshëm në Bashkimin Europian.
Kryeministri shprehu besimin se njerëzit do të na votojnë ne, për ato që do të bëjmë në 4 vitet që do të vijnë.
Ai u shpreh se Berati do të ecë si një trashëgimi botërore. “Në qoftë se në Shqipëri turizmi në tërësi do të rritet nga 4.7 milionë në 7 milionë, në Berat turizmi së paku do të katërfishohet. Në Berat, ne do të bëjmë gjithçka për nxitjen e investimeve të beratasve dhe të huajve, për të mbështetur fermerët e mrekullueshëm të Beratit, të cilët janë ndër njerëzit më punëtorë të Shqipërisë”, tha Kryeministri. Ai shprehu bindjen se, “qytetarët duhet të na votojnë, sepse ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO; ne që hoqëm vizat për shqiptarët; ne që bëmë që 201 ditë më parë Komisioni Evropian të deklarojë se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat me kusht që të votojë 3 ligjet, të cilat shoku Rama i bllokoi në mënyrë të paimagjinueshme, ne 23 qershorin e kemi ditën, në të cilën ecim të sigurt 100 për qind drejt statusit të vendit kandidat”.