E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për kolonelin nuk ka kush të flasë

01-05-2013 / Nga Rexhep Kastrati

Deklarata e paradoditshme e Adem Demaçit, sipas së cilës kolobel Tahir Zemaj ka qenë trafikant droge, është deklarata më e rëndë që është bërë kundër tij nga një personalitet publik. Edhe pse ka patur deklarata, insinuata dhe shpifje të ndryshme për kolonelin, dhe jo vetëm për të, megjithatë kjo e Adem Demaçit është më e hapur, më e drejtpërdrejtë dhe e një niveli kaq të lartë. Në anën tjetër, ka një heshtje nga ish-ushtarët e kolonelit, nga ish-bashkëpunëtorët e tij, nga LDK si parti dhe nga gjithë njerëzit që nuk do të duhej të heshtnin. Dhe me të drejtëkjo heshtje ka ngjallë reagimin e njerëzve, të cilët kanë pritur që ish-strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe drejtuesit e LDK-së të dilnin në mbrojtje të kolonelit. Deri më tash vetëm Armend Zemaj është deklaruar në emër të familjarëve, e që rrezikon që çështjen e vrasjes së kolonelit ta ulë në nivele të shqetësimeve private, familjare,  ejo politike, institucionale dhe publike. Dhe nga deklarata e Armend Zemajt, përveç të tjerash, duhet veçuar theksimin që ia bën ai faktit se vrasja e kolonelit nuk është zbardhur ende, pra si çështje kriminale dhe penale nuk është ndriçuar dhe zyrtarisht nuk dihet se kush kush janë vrasësit e tij dhe të birit të tij.
Pse e veçoj këtë?
Këtë e bëj për një arsye shumë të thjeshtë se është një vullnet politik që këto vrasje të mos zbardhen, edhe pse nga zyrtarë të LDK-së është deklaruar më shumë për të larë gojën, sesa për seriozisht, se kur të vijë LDK në pushtet, do të zbardhë të gjitha rastet e vrasjeve politike. Them sa për të larë gojën, pasi që rastet e vrasjeve dhe të akteve të tjera kriminale politike kanë qenë të zbardhura edhe në kohën kur në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë kanë qenë zyrtarë të saj, por nuk ka bërë asgjë që ato raste të çohen në gjykatë. Se këto raste janë të zbardhura nga ana e policisë, këtë e ka thënë edhe ish-shefi i policisë së UNMIK-ut, Christopher Albiston, i cili u pat shprehë se të gjitha rastet e vrasjeve politike janë të zbardhura, por presim dritën jeshile nga politika për të proceduar. Kjo do të thotë se qysh moti UNMIK-u nuk ka qenë i interesuar për t’u proceduar rastet e tilla, edhe për shkak të peshës politike që kishin,  e rrjedhimisht edhe të pasojave politike që do të kishin. Mbjatja në sirtarë e rasteve të vrasjeve politike dhe të akteve të tjera të dhunës politike, në fakt, është trashëguar edhe më pastaj, dhe sot këto paraqesin pjesën më të vështirë të jetës politiko-juridike të Kosovës. Dhe këtu bëhet fjalë për mungesë të vullnetit politik që këto vrasje të zbardhen, baza e të cilit duhet kërkuar te ndërlikuehsmëria e këtyre rasteve, si dhe implikimi i shumë faktorëve në to.
Është koha për të theksuar se në vrasjet politike dhe në aktet tjera kriminale politike janë të implikuar shumë palë. Implikimi i shumë palëve është i drejtpërdrejtë, por më tepër është joidrejtpërdrejtë. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se nëse ka ekzistuar një palë që ka kryer krime, e që kryesisht është menduar për SHIK-un e Kadri Veselit, ka pasur edhe agjenci të tjera inteligjente, të cilat kanë qenë në dijeni të vrasjeve dhe të krimeve të planifikuara, por që nuk i kanë penguar, por në raste të caktuara edhe i kanë mbështetur. Mirëpo,  e keqja më e madhe ka qenë se individë, ose struktura të identifikuara si individë brenda LDK-së, apo edhe jashtë saj, por që kanë qenë të lidhur me individë brenda saj, si dhe individë nga ish-strukturat e Ministrisë së Mbrojtes së Republikës së Kosovës, kanë pasur një bashkëpunim të madh qoftë me SHIK-un e Kadri Veselit, qoftë me agjenci të tjera inteligjente, por edhe me grupe të tjera që formalisht kanë qenë jashtë strukturave të SHIK-ut, edhe në vrasjet e personaliteteve publike, politike e ushtarake të Kosovës. Ky bashkëpunim ka qenë i shumëllojshëm, por kryesisht në dhënie informacioni, mospengimi të vrasjeve dhe të akteve të tjera kriminale politike dhe mosinformim të të shënjestruarve për rreziqet që u kanoseshin.  Dhe për shkak të këtij bashkëpunimi, të gjitha palët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të interesuara që vrasjet politike dhe aktet tjera të dhunshme të mos zbardhen përfundmisht. Dhe për këtë arsye rasti i komandant “Drinit” u komprometua, kurse rasti i Xhemail Mustafës po shkon drejt komprometimit ende pa filluar.
Në këtë kontekst, edhe Adem Demaçi nuk e ka pasur për gjë edhe cilësimin e kolonel Tahir Zemajt si trafikant droge, sepse ai ka pritur një heshtje të ish-strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës në radhë të parë, dhe të LDK-së në radhë të dytë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›