E Shtunë, 31 Tetor 2026

23 qershori, kë mbështet Kosova?

Politikanët kosovarë nuk janë më indiferentë për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, tani kur gara ka hyrë në javën vendimtare. Këtë të diel, më 23 qershor, shqiptarët do të vendosin nëse do t’ia vazhdojnë mandatin Partisë Demokratike të Sali Berishës apo do të vendosin që katër vitet e ardhshme të udhëhiqen nga Edi Rama i Partisë Socialiste.
Gazeta “Express” ka kontaktuar deputetët e grupeve kryesore parlamentare në Kosovë dhe shumë prej tyre nuk kanë hezituar t’i shfaqin preferencat politike për zgjedhjet e 23 qershorit.
Kështu, Berat Buzhala i PDK-së uron që zgjedhjet t’i fitojë Edi Rama; Arben Gashi i LDK-së dhe Burim Ramadani i AAK-së preferojnë Sali Berishën, kurse të matur shfaqen Nait Hasani i PDK-së, Alma Lama e Vetëvendosjes dhe Myzejene Selmani e AKR-së.
“Duke çmuar lart kontributin e Sali Berishës në ndërtimin e Rrugës së Kombit, megjithatë konsideroj se në interesin e Shqipërisë do të ishte një rotacion i pushtetit. Për këtë arsye, jam i bindur dhe do të dëshiroja që zgjedhjet e 23 qershorit t’i fitonte Edi Rama”, - ka thënë Buzhala për “Express”, të hënën.
Kolegu i tij në parti, Nait Hasani, ndërkaq, jep një përgjigje klishe kur pyetet për atë se kush dëshiron t’i fitojë zgjedhjet në Tiranë.
“Unë favorizoj Shqipërinë”, - tha ai.
“Mendoj që partitë që kanë konkurruar, kanë gjasë që, sikurse në zgjedhjet e kaluara, të kenë afërsisht numrin e njëjtë të deputetëve”, - konstaton Hasani. “Besoj që kjo do të ndikojë që edhe partitë e vogla të krijojnë koalicionin.”
Arben Gashi i LDK-së vlerëson se rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri do të jetë i ngushtë.
“Atje me sa duket partitë janë të barabarta. Do të jetë rezultat shumë i ngushtë për mendimin tim, por presim që partia e djathtë të fitojë”, - tha Gashi.
“Mund të them që, besoj se Partia Demokratike do të vazhdojë qeverisjen në Shqipëri me Kryeministrin Sali Berisha”, - shprehet ndërkaq, Burim Ramadani i AAK-së.
Më pak të interesuar për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri u treguan zyrtarë të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, e cila proklamon bashkimin kombëtar në programin e saj.
Deputetja Alma Lama tha vetëm se uron që në Shqipëri të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe të respektohet vullneti i sovranit.
Ndërsa për Myzejene Selmanin e AKR-së, cilado parti që vjen në pushtet në Shqipëri, në raport me Kosovën mbetet e njëjtë.
“Mbetet në të ardhmen të shihen se cilat janë raportet me shtetin shqiptar, sepse deri tani kemi pasur pengesa, sidomos në fushën e doganave, por po shpresoj që do të ndryshojë në të ardhmen”, - tha Selmani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›