E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamjaftueshmëria e patriotizmit për të fituar

Në vorbullën thithëse të kësaj fushate të çmendur zgjedhjesh, që vetëm në Shqipëri mund të ngjasë kësisoj dhe ku duket se një nga gënjeshtrat më të vogla të partive do të jetë ajo e zbritjes së qiellit në tokë pas 23 qershorit, (kuptohet, nëse atyre do t’u jepej vota!), nuk mund të bënte përjashtim edhe mjedisi i ndeshjes së javës së kaluar, kur u ballafaquam me futbollin norvegjez. Sikur të ishte një takim me elektoratin nëpër mitingje, kështu u bë edhe me futbollistët e Kombëtares, të cilëve iu premtuan shpërblime të majme, ndërkohë që tribunat e stadiumit u mbushën me qeveritarë e përfaqësues të partive të ndryshme, të cilët me praninë e tyre kërkonin të përfitonin një copëz suksesi nga ajo ç’ka mund të arrinte atë ditë ekipi ynë. Me këtë psikologji mashtruese, për atë që s’kanë bërë deri tani dhe që gjoja do ta bëjnë më vonë për këtë futboll të dalë boje, u shfaqën edhe drejtuesit e federatës përkatëse që, të ngrefosur në tribunë si pronarë të një çifligu, nuk donin t’ia dinin aspak për atë pazar biletash e çmimesh të sajuar prej tyre, që lanë jashtë dyerve të stadiumit edhe grupe tifozësh norvegjezë!? Por ky ishte prologu, sepse ajo që tërhiqte vëmendjen më shumë n’atë mbrëmje, madje edhe se vetë ndeshja, ishte i ashtuquajturi “peizazh patriotik”, i shfaqur nëpër tribunat e spektatorëve, aq sa edhe regjisori i transmetimit të saj televiziv, për mungesë aftësisë profesionale apo nuk e di se çfarë, hutohej deri n’atë masë sa t’i kalonte kamerat më shpesh atje se sa tek fusha e lojës, duke i dhënë gjithë kësaj shfaqjeje futbollistike ngjyrat e një mitingu, nga këto të shumtët e fushatës elektorale të këtyre ditëve! Portrete të Skënderbeut e të Adem Jasharit, parulla e pankarta ku shkruhej e bëhej thirrje për të drejtat e mohuara të çamëve nga grekët apo për bashkimin në një të trojeve etnike shqiptare, e gjithfarëlloj emërtime tifozerish nacionaliste, balliste e kuqezinjsh, ishin pamjet më të spikatura që përbënin atë peizazh, që vetëm me sportin nuk kishte të bënte! A thua se vetëm shqiptarët qenkan më patriotët e kësaj bote dhe s’paska të tjerë, të cilët, përkundrazi, mjedise të tillë i kthejnë në festivë nëpërmjet këngëve, thirrjeve entuziaste dhe parullave e portreteve kushtuar protagonistëve të lojës, futbollistëve, që për ta janë idhujt dhe heronjtë e tyre. Shembulli i një pankarte në ndeshjet e kampionatit italian që shihet thuajse sa herë luan ekipi i Romës dhe ku shkruhet: No Totti, no party, shoqëruar kjo edhe me portretin e futbollistit në fjalë, është nga ata të shumtët ku dashamirësit e tifozët e futbollit dinë të shprehin sa dhe si duhet ndjenjat e simpatitë e tyre, larg elementeve të tjerë, që përkundrazi ta bëjnë jetën më të vështirë dhe aspak të natyrshme.
Edhe në mbrëmjen e 7 qershorit, kur në qiell bashkë me tullumbacet u ngritën edhe portretet e ish-titullarëve të Kombëtares sonë, Altin Lala dhe Ervin Skela, u pa një shkëndijë kulture sportive, larg asaj “fryme” folklorike-patriotike që shihet rregullisht nëpër tribunat e stadiumit “Qemal Stafa”, por ajo shfaqje i takonte një ceremonie të caktuar dhe nuk përbënte atë që për ne do të ishte modeli më i mirë për ta pasur të pranishëm në çdo ndeshje ndërkombëtare. E gjithë ajo që pashë më 7 qershor e që më ngacmoi për ta shprehur këtu, edhe pse e di fort mirë që mund të ndeshem me kundërshtimet e disa prej fanatikëve më të ethshëm të kësaj ideje, që kujtojnë se identitetin e Shqipërisë e përbëjnë ata, madje edhe me këtë lloj filozofie të paraqitur nëpër stadiume, ka të bëjë pikërisht me pamjaftueshmërinë e patriotizmit për të fituar, jo me një ndeshje futbolli, por edhe të tjera në fusha të ndryshme të jetës. Kjo ka ndodhur edhe më parë, por po shihet edhe tani, si me ndeshjen në fjalë ku nuk shkuam më shumë se barazimi, por dhe në mënyrën se si po zhvillohet fushata elektorale, ku vetë partitë i kanë zëvendësuar parullat për patriotizëm me mjete të tjera më pragmatiste, prej të cilave mendojnë se mund t’i shkojnë më pranë fitores së këtyre zgjedhjeve. Dhurimi i një lope për familjet fshatare në nevojë, shtrimi me asfalt i një rruge apo rrugice, ndërtimi i një ujësjellësi apo i një shtëpie, e të tjera si këto, janë ca mekanizma që po zënë tani vend më shumë se sa shfaqjet e patriotizmit, të cilat edhe partitë makiaveliste po i shohin si të pamjaftueshme për të fituar, ndërkohë që ato po na bëhen dekori më i pëlqyeshëm nëpër mjediset tona sportive! Tejkalimet janë gjithmonë të rrezikshme, ç’ka është vënë re edhe në disa ndeshje, ku për hir të patriotizmit të shtirë ka pasur raste që njerëzit tanë të një gjaku, të cilët kanë zgjedhur një vend tjetër për të jetuar e punuar, t’i quajmë pa pikë turpi, “tradhtarë”, edhe pse ata mund ta duan Shqipërinë më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë!   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›