24 projekte, KE-ja i jep Shqipërisë 60.917 milionë euro
KE-Shqiperi, marrëveshje per rindërtimin e Gërdecit
Bregu dhe Lohani nënshkruajnë grantin e alokuar
Komisioni Evropian i jep Shqipërisë mbështetje financiare përmes një granti prej 60.917 milion eurosh të cilat do të përdoren për 24 projektet e programit IPA 2008. Janë 10 milionë lekë që KE-ja jep më tepër se në vitin 2007. Kjo mbështetje konsiston në përmbushjen e kërkesave politike dhe atyre social-ekonomike, rritjen e aftësisë për të përballuar detyrimet e anëtarësimit, si dhe për pjesëmarrjen në programet komunitare. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan, nënshkruan dje grantin e dytë alokuar vendit tonë në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit IPA, si dhe marrëveshjen e financimit për projektin prej 3.1 milionë për rigjallërimin dhe rikthimin e normalitetit në fshatin e Gërdecit. 19 milion euro nga buxheti total do të mbështesin kryesisht reformën aktuale të administratës publike, nëpërmjet mbështetjes për departamentin e Administratës Publike, si dhe me qëllim përmirësimin e kapaciteteve administrative të Shqipërisë; do t’u jepet asistencë për menaxhimin e procesit të zbatimit të MSA-së strukturave të koordinimit të përgjithshëm, si Ministrisë së Integrimit Evropian, Këshillit të Ministrave dhe Ministrive të Linjës. 22 milionë euro prej buxhetit total i dedikohet vazhdimit të mbështetjes për reformat strukturore në vend, nëpërmjet aktiviteteve për zhvillimin rajonal, si dhe mbështetjes për përmirësimin e menaxhimit dhe kushteve e rrugëve sekondare dhe lokale, për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Arsimin, duke i kushtuar vëmendje të veçantë forcimit të shkollave të formimit profesional. IPA 2008 kontribuon edhe për harmonizimin e procedurave doganore me standardet e BE-së si dhe do të mbështetet sistemi gjyqësor nëpërmjet ndërtimit të një qendre paraburgimi në Shkodër. Asistenca e mëtejshme do të mbështesë masat anti-korrupsion dhe forcimin e menaxhimit financiar publik, veçanërisht të sistemit të thesarit dhe prokurimit publik. 24 milionë euro shkojnë për përmirësimin e aftësive të kapaciteteve administrative dhe respektimin e kërkesave të MSA-së në lidhje me të drejtën e autorit, metrologjinë, konkurrencën, ndihmën mjekësore dhe aviacionin civil. Nën këtë kriter, IPA do të mbështesë gjithashtu edhe krijimin e një strategjie të zhvillimit rural dhe të strukturave përkatëse, sistemin e monitorimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes (peshkimi), edhe në fushën e transportit: rrugët interurbane transurbane dhe porti i Shëngjinit. Në lidhje me pjesëmarrjen në programet komunitare CIP, FP7 dhe Evropa për Qytetarët, Shqipëria do të mbështetet me rreth 1.2 milion euro nga buxheti total i programit IPA 2008. Qeveria shqiptare në marrëveshje me delegacionin e Komisionit vendosi të alokonte një shumë totale prej 3.120 milionë eurosh për “Projektin për rigjallërimin e infrastrukturës së Gërdecit”, me qëllim rigjallërimin e zonës së Gërdecit, nëpërmjet ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturës, të situatës në shkolla dhe atë mjedisore, duke siguruar lehtësirat e nevojshme për këtë zonë të dëmtuar. Kjo ndërhyrje komunitare bazohet në dokumentin harmonizues për rindërtimin e zonës së Gërdecit, të hartuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë, me qëllim harmonizimin e donacioneve komunitare për të lehtësuar situatën. Për këtë projekt nuk parashikohet bashkëfinancim, meqenëse qeveria shqiptare si reagim ndaj emergjencës së jashtëzakonshme filloi menjëherë, me burimet e saj, të rindërtonte një pjesë të zonës së prekur.