Meta e Koçi, thirrje majtistëve: Braktisni PS-në e Ramës
Brenda së majtës krijohet koalicioni Meta-Koçi
Socialistët e Vërtetë, koalicion me LSI-në
Brenda së majtës, krijohet koalicioni Meta-Koçi, të cilët u drejtohen majtistëve me thirrjen që të braktisin PS-në e Edi Ramës dhe t’u bashkohen socialistëve të vërtetë. Socialistët e Vërtetë të drejtuar nga Petro Koçi (PSV’91) nënshkruan dje një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila synon një aleancë të përbashkët për zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi gjatë nënshkrimit se ky do të jetë koalicioni fitues i së majtës ndaj dhe ftoi votuesit e majtë të votojnë këtë koalicion. Sipas Metës dhe Koçit, të majtët e vendit do të gjejnë përfaqësimin real në këtë bashkim mes të majtëve të vërtetë. Ata u bënë thirrje votuesve të majtë të hedhin votën për të majtën e vërtetë dhe jo për PS-në e drejtuar nga Edi Rama. “Firmosja është një garanci shumë e rëndësishme për fitoren e koalicionit tonë në zgjedhjet e ardhshme për triumfin e zgjedhjeve progresiste dhe për garantimin e një qeverisjeje të majtë dhe progresiste pas 28 qershorit”, - tha Meta. Kurse z. Koçi vuri në dukje se “kjo është një marrëveshje e cila garanton qeverisjen e të majtëve pas zgjedhjeve të këtij viti”. Si Meta, ashtu dhe Koçi, zbardhën pikat ku bazohet platforma e tyre, duke pohuar se koalicioni mes LSI-së dhe PSV-së, ka në bazë shtresat sociale të vendit dhe t’i integrojë shqiptarët. “Qeverisja jonë do të jetë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe do të ketë në themelet e veta politika ekonomike dhe sidomos sociale, të cilat do të integrojnë shqiptarët në jetën sociale e ekonomike dhe jo t’i përjashtojë ata”, - tha Meta, duke shtuar: “Njëkohësisht, kjo marrëveshje është një garanci shumë e rëndësishme për fitoren tonë më 28 qershor”. Petro Koçi u bëri thirrje të gjithë votuesve shqiptarë të majtë të braktisin siglën tradicionale të PS-së dhe të votojnë atë që, sipas tij, është e majta e vërtetë. “Ne nga kjo tribunë bashkëpunimi u bëjmë thirrje të gjithë të majtëve, të gjithë socialistëve të vërtetë kudo që të jenë, që në 28 qershor t’u drejtohen pa ngurrim kutive të votimit, për të fituar zgjedhjet, sepse zgjedhjet do t’i fitojë ai bllok politik i cili tërheq në procesin e votimit më shumë mbështetës sesa blloku tjetër”, - tha Koçi.
Marrëveshja
Pikat kryesore të marrëveshjes për koalicionin zgjedhor në mes LSI-së dhe Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 kanë të bëjnë me angazhimin e të dyja partive të majta brenda një koalicioni. Të dyja subjektet do të konkurrojnë me kandidatin e tyre si dhe me siglën përkatëse për të mbledhur votat e majta. Marrëveshja e lidhur dje për pjesëmarrjen në koalicion zgjedhor të zgjedhjeve të 28 qershorit midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste të Vërtetë ’91 synon që së pari të realizojë një konkurrim në një koalicion të përbashkët zgjedhor, me lista të veçanta për secilin subjekt politik të kandidatëve për deputetë. Së dyti, koalicioni do të ketë një program të përbashkët zgjedhor dhe qeverisës, i cili do të integrojë prioritetet politike të të dyja partive. Pika e tretë ka të bëjë me atë që kjo marrëveshje ka vlerë edhe për angazhimin paszgjedhor të dy forcave politike në bashkëqeverisjen e ardhshme