Shqipëria në BE, Berisha: Brenda qershorit, kërkesa për status
“Kemi marrë dritën jeshile nga presidenca çeke”
“Më 28 qershor merr fund manipulimi i zgjedhjeve”
Pavarësisht ngurrimit të BE-së për shkak të krizës globale, Shqipëria është e vendosur të paraqesë statusin e kandidatit brenda muajit qershor 2009. Këtë e bëri dje të ditur Kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste dhënë për “AFP”. Sipas tij, Shqipëria parashikon të paraqesë kandidaturën për në BE deri në fund të qershorit, edhe pse kriza ekonomike dhe të panjohurat rreth ratifikimit të traktatit të Lisbonës nuk janë të favorshme për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Z. Berisha pranon se kriza aktuale, e karakterizuar nga rritja e papunësisë, mund "të krijojë një ndjenjë ngurrimi" tek evropianët. Një ngadalësim i vrullit të zgjerimit "rrezikon të shkurajojë opinionin publik" që në Shqipëri është shprehur në shumicën dërrmuese për anëtarësimin në BE, theksoi Kryeministri, drejtuar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Berisha vuri në dukje se Shqipëria mori dritën jeshile "në parim" nga presidenca çeke e Bashkimit Evropian për gjashtëmujorin e parë të vitit për të paraqitur kandidaturën e saj deri në fund të qershorit, por ende nuk ka një datë të caktuar. Për “AFP-në” në frëngjisht Kryeministri përmendi se disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian e shohin me ngurrim paraqitjen e kandidaturave të reja në BE, ndërkohë që kriza institucionale e Bashkimit Evropian me ratifikimin që po i bëhet traktatit të Lisbonës dhe që u ndërpre me referendumin e Irlandës, nuk është zgjidhur ende. Paraqitja e kandidaturës është vetëm hapi i parë drejt sigurimit të statusit të vendit kandidat, që mund të zgjasë shumë dhe që sigurisht kërkon miratimin e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Opozita e majtë shqiptare e ka kapur këtë argument duke këmbëngulur në paraqitjen e kandidaturës pas zgjedhjeve legjislative. Një paraqitje e tillë rrezikon, sipas saj, të mbetet pa efekt për shumë kohë. Me paraqitjen e kandidaturës së vendit të tij në Bashkimin Evropian, Berisha ka si pikësynim zgjedhjet legjislative të 28 qershorit, duke shpresuar që të përfitojë nga kjo nismë përpara shqiptarëve. Kreu i qeverisë solli në vëmendje se komisioneri evropian për Zgjerimin, Oli Ren, deklaroi së fundi përpara disa mediave shqiptare se zhvillimi i mbarë i këtyre zgjedhjeve, sipas standardeve evropiane, ishte për Brukselin thelbësor dhe prioritar, përpara se Shqipëria të përparojë drejt perspektivave të saj evropiane, e thënë ndryshe, me paraqitjen e kandidaturës për statusin e vendit kandidat të BE-së. Berisha pohoi se zgjedhjet në Shqipëri, që prej rënies së komunizmit në fillim të viteve '90, gjithmonë kanë lënë vend për kontestime dhe incidente mes grupimeve politike rivale. Megjithatë, Shqipëria ka miratuar së fundi një ligj të ri elektoral që pritet të bëjë të mundur shmangien e manipulimeve të ndryshme. “Unë kam besim se BE-ja do të dijë të vlerësojë përpjekjet tona, veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2005, "ky vend mbizotërohej nga krimi i organizuar. Qytete, fshatra, rrethe të tëra ishin një lloj protektorati i krimit të organizuar. Ky i fundit kontrollonte doganat, pikat e kalimit kufitar, portet", - theksoi ai. “Sot, - shtoi ai, - më tepër se një mijë kriminelë, që fshiheshin "jo vetëm në Shqipëri, por edhe në hotelet me pesë yje në metropolet evropiane i janë dërguar drejtësisë”, - shtoi Berisha, duke premtuar një "tolerancë zero" kundër krimit të organizuar. Në fund, Berisha shprehu kënaqësinë e thellë për anëtarësimin së afërmi të vendit të tij në NATO, në muajin prill, duke e vlerësuar këtë si "ngjarjen më të madhe për vendin tim pas pavarësisë" nga Perandoria Otomane, në vitin 1912. "Është një ëndërr që po bëhet realitet", - theksoi Kryeministri duke siguruar se vendi i tij ishte "i hapur" për çdo gjë që mund t'i kërkonte Aleanca Atlantike.