E Shtunë, 31 Tetor 2026

25 mijë kopjet e Blushit, rekord unikal

Autori i Lajmit: Denisa Kona
“Ky ka qenë një vit i veçantë për shtëpinë botuese TOENA për faktin se kemi kthyer vëmendjen totalisht ndaj letërsisë kombëtare, autorëve shqiptarë, fatkeqësisht të harruar nga të gjitha strukturat e administratës shtetërore në 20 vjet. Këtë vit, 90% e botimeve të Toenës është me autorë shqiptarë dhe vetëm 10% janë përkthime. Do të filloja me Fatos Kongolin me “Bolero në vilën e pleqve”, një roman mjaft i suskesshëm i botuar në shkurt të këtij viti. Pastaj, Bashkim Shehu, me romanin “Moxart me vonësë”, që për 20 ditë u shit mbi 1000 kopje, gjë e rrallë për tregun shqiptar. Është bërë një promocion me shumë interes, i shkruar ndoshta pak ndryshe nga stili hermetik i Bashkimit, duke gjetur kontaktin me lexuesin. Duke kaluar tek Blushi, “Të jetosh në ishull”, 25 mijë kopje të shitura.dhe “Otello, Arapi i Vlorës” që i ka kaluar 7000 kopje. Po e them paraprakisht, si paradhënie, që Blushi është kandidatura më potenciale për të marrë çmimin e këtij panairi (Intervista është dhënë natën e parafundit të panairit), si shkrimtar i vitit, çmim që e jep shoqata e botuesve. Diana Çuli është prej vitesh autore ekskluzive e jona me një sërë librash. “Engjëj të armatosur”, është një botim i suksesshëm në Itali, që ne e botojmë shqip për herë të parë. Diana ka shkruar një nga historitë më të dhimbshme të Luftës së Dytë Botërore, historinë e dashurisë gjatë luftës të Zaho Kokës me Ramize Gjebrenë, një histori e famshme. Diana ka disa romane për fatin e femrës, përdhunimin, mentalitetin maskilist, prostitucionin...është një shkrimtare që me shumë guxim ka trajtuar edhe temën e ditës që shumë shkrimtarë i shmangen. Flutura Açka, dhe pse është vetë botuese, preferon që disa vepra ti botojë tek ne dhe ne e pranojmë me kënaqësi. Ajo është ndër shkrimtaret femra më potenciale që ka letërsia shqipe e viteve të fundit. Ajo ka botuar dy vëllime me poezi dhe një vëllim me kolanën e zgjedhur të poezisë shqipe. Dhe ka romanin e tretë “Ku je?”. Kemi Agron Tufën me të cilën më në fund realizuam një marrëveshje ekskluzive. Ai vjen tek Toena me dy libra, një ribotim “Mërkuna e zezë” dhe me një roman të ri, që ka vetëm 5 ditë që ka dalë: “Tenxherja” që me siguri do të ngjallë vëmendjen. Me këtë roman Tufa është më afër lexuesit duke thjeshtuar gjuhën. Besnik Mustafaj është një shkrimtar që lë politikën për tiu rikthyer letërsisë. Duhet të themi që në Shqipëri, pas 90-s shumë njerëz të letrave, shkrimtarë, përkthyes, profesorë, i lanë letrat dhe iu futën politikës, por tani po ndodh edhe e kundërta. Kemi tri ribotime të Mustafajt që prej vitesh nuk ekzistonin në tregun e librit shqip: “Fletore rezervat”, “Refleksione mbi politikën shqiptare” dhe një përkthim nga poezia turke. Lajmi më i mirë për lexuesin shqiptar është që ky shkrimtar i konsoliduar i ka gjithë dhuntitë e njeriut që shkruan letërsi, i përkthyer në Francë, i suksesshëm atje, i përkthyer edhe në gjuhë të tjera. Letërsia shqipe, e harruar në njëfarë mënyre, që të matet me atë botërore ka nevojë për mbështetje dhe ne kemi marrë një nismë që TOENA, (që tani ka marrë statusin e një Instituti të Librit dhe të Promocionit), të jetë një shtëpi e këtyre shkrimtarëve në të ardhmen. Puna më e rëndësishme e Toenës do të jetë promocioni, vendosja e raporteve me lexuesin, kritikën, mediat etj. “

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›