E Diel, 1 Nëntor 2026

Botuesi Fatmir Toçi tregon planin për shndërrimin e Toenës në shtëpinë e shkrimtarëve shqiptarë

Autori i Lajmit: Denisa Kona
-Në cilësinë e botuesit të shtëpisë Dituria, mund të na thoni një pasqyrë të botimeve të reja nga letërsia shqipe
Ne përgjithësisht botojmë pak letërsi shqipe, thjesht për faktin se letërsia shqipe është provinciale dhe dihet kjo tashmë, përjashtuar Ismailin dhe pak të tjerë. Kemi botuar pak e saktë.
-Kur botoni, a është kriter për ju fakti, që dikush është në gjendje financiarisht që të botojë?
Jo, absolutisht, nuk është kriter. Ne shtëpinë botuese e mbajmë me libra të suksesshëm, me bashkëpunëtorë të mirë. Natyrisht që kemi nga letërsia jonë autorë të traditës, kemi studiues, edhe autorë të rinj, por i zgjedhim me kujdes.

-A ishte për ju ky panair, një garë e shtëpive botuese apo e autorëve?

Nuk ishte garë, ishte një paraqitje që i bëri punës së tij secili botues në harkun e një viti dhe një kontakt më i gjerë e më i besueshëm me autorët, me përkthyesit, me lexuesit .Ky panair në një kuptim tjetër ishte një librari e madhe, meqenëse Tirana nuk ka librari të mëdha. Kudo në botë, në librari të mëdha, lexuesit i jepet kjo mundësi që tek ne ia jep panairi. Lexuesi ulet, e merr dhe e shfleton librin, madje edhe e lexon disa faqe nga 2-3 orë.
-Si botues, sa interes keni shfaqur për gjendjen e kritikës letrare?

Nuk kemi fare kritikë letrare. Sepse kritika letrare që patëm deri në fund të 80-s e fillimi i 90-s ishte ashtu e formatuar sipas sistemit. Ajo mori dërrmën, tepruan disa nga ata, duke u përpjekur me paterica të vazhdojnë, por është një gjë e vdekur. Kjo punë nuk bëhet në mënyrë të pavarur. Shteti duhet të japë bursa studimi për studiues jashtë vendit, djem e vajza të rinj të vijnë të përgatitur nga jashtë, se këtu nuk ka kush i mëson. Kështu që duhet të përgatitet një brez kritikësh, pasi këtu, edhe ata që janë, janë konformistë, pastaj është një punë që nuk të jep bukë, nuk është një punë e paguar. Në të gjithë botën ka edhe revista të specializuara, që botojnë klasifikimin e librave sipas vlerave.

-E kujt rëndësie është paraqitja grafike e librave, luksoziteti?

Kopertina ka rëndësinë e saj, por tek ne ka edhe një tendëncë që nuk është e bukur, ekzagjerohet me kopertina joshëse. Kopertina duhet të jetë e thjeshtë. Ne kemi një ide prej 2 vitesh për të bërë panaire libri nëpër qytetet universitare, mirëpo nuk kemi gjetur mbështetje. Duam të bëjmë në Shkodër, në Korçë, Elbasan. Kemi një ide në prill-maj në ditën ndërkombëtare të librit, për të ngritur një panel.

Në torbën e lexuesve

Ja dhe panairi i librit mbaroi. Mbaroi me keqardhjen time, se nuk do ta shoh më nesër, lumin e njerëzve që derdhej nëpër bulevard me qese librash. Çfarë titujsh kishin futur në torbat me libra? I pyeta e nisur nga kureshtia. Nuk prisja që pas kësaj, të nxirrja ndonjë përfundim si ai i sondazheve se “njerëzit kanë blerë filan autor e filan autor dhe këta janë më të preferuarit. Apo se kaq % e blerësve i takonin shtëpisë botuese X e kaq Y”. Nuk do të bija në këtë lloji kurthi fiktiv e provokativ. Ajo që doja të mësoja, ishte diçka tjetër. Nga se nisej një lexues, kur zgjidhte një libër: Nga emri i autorit (pra, opinioni i ngulitur), nga reklama, nga emri i shtëpisë botuese, nga sugjerimet e miqve, apo nga interesat dhe shijet personale? Konkluzioni: Emri i autorit dhe interesat personale të lexuesit. Edhe pse lexues të veçantë shprehën opinione për shtëpi botuese, të tjerë nuk mbanin mend se të cilës shtëpi ishin librat e përzgjedhur. U duhej ti nxirrnin nga çantat që ti rikujtonin. Ishte megjithatë një element me efektin e tij edhe kopertina e librit. “Ne duam të kemi në shtëpi libra të mirë, por të kenë edhe sy, -thotë Tatjana,- punonjëse në një prej ministrive. -Kopertina është një kënaqësi për syrin, i jep dinjitet librit.” Midis vizitorëve të panairit, kishte nga ata që vinin prej Kosove e Maqedonie. Vinin të blinin jo përkthimin, por librin shqip. Sejfadin Haruni, i ardhur enkas nga Gostivari për këtë panair, thotë: “Panair shumë i mirë. Vizitorë plot. Kishte libra të dëshirueshëm. Por ulja ishte pak e vogël, 10%!...Bleva kompletin e librave të Faik Konicës” thotë ai .
Edhe fëmijët ishin vizitorë të këtij panairi. Llastoheshin, kërkonin këtë e atë si në dyqanin e ëmbëlsirave. Kopertina të bukura, shumë shtëpi botuese të interesuara për këtë lloj letërsie, që është më e shitura. Por çe do! Kudo të njëjtët tituj të përsëritur. Dhe ajo që është më e keqja, kryeveprat e kësaj letërsie vinin si ribotime të shkurtuara nga origjinali. “Piten Pan”, “Tom Sojeri”, “Pinoku” etj. vinin si librushka. Dikush nga botuesit shfajësohet: “Janë më të përmbledhura se janë përshtatur për fëmijë” “Po pse, autori që i ka shkruar, a nuk i ka shkruar për fëmijë?!” Dhe nuk është fjala për revistat e më të vegjëlve, ku pranohet përshtatshmëria.
Librat e ndaluar: Libra shqiptarë të ribotuar, por që kanë qenë të ndaluar në kohën kur janë shkruar si dhe libra të tjerë, të përkthyer, që kanë ngjallur debate në qarqe të ndryshme nëpër botë, janë dy prej kategorive grishëse. Lexuesit thonë se pasthëniet ose shënimet në kopertinë i kanë nxitur për ti blerë. Një studente pohon se e ka blerë “Xhevahirin e Medinës” vetëm se është censuruar në SHBA dhe ndaluar nga fondamentalistët. Po ashtu, një cikël librash mbi masonerinë edhe për shkak të kopertinave luksoze, i gjetëm në duart e lexuesve. “Kemi kuriozitet, është një njohuri që na ka munguar”, thotë Mirjana Zeneli. Ndërkohë, klasikët-rusë e francezë si dhe bestsellerët vazhdojnë të ruajnë një interes konstant.
Interes i shtuar për letërsinë shqipe: Këtë e gjetëm në torbën e lexuesve. “Duam kryesisht letërsi shqipe, mirëpo është shumë e vështirë të zgjedhësh, pasi mungon kritika”; “Kemi më shumë interes, por letërsia jonë është ca e kufizuar”; “Kërkuam edhe librin “Gruaja haluçinante” të Mimoza Ahmetit dhe nuk e kemi gjetur asgjëkundi. Ajo i ka bërë shumë publicitet, mirëpo nuk gjendet”; Nga letërsia shqipe, vetëm Kadare mund të lexohet.” Këto ishin disa nga shprehjet e lexuesve që takuam.

Opinione lexuesish

Kur niseni të blini një libër, niseni nga emri i autorit, nga emri i shtëpisë botuese, nga reklama apo nga interesat tuaja?

-Kryesisht nga emri i autorit. Por këto janë edhe të lidhura, sepse një shtëpi prestigjioze mund të ketë edhe autorë që janë të njohur dhe kështu vendoset lidhja (Ilda Koçi)
-Nisemi edhe nga emri i autorit, edhe nga interesi ynë. Nga shtëpia botuese jo edhe aq. Kryesisht nisemi nga ajo që ne kemi nevojë të gjejmë në një libër.
-Reklama apo jehona që i është bërë një libri të ri apo koha se kur një libër del, nuk përbën interes. Nuk ndikohemi nga ajo që bëhet modë. Ne mund të blejmë një libër që ka shumë vite. Përshembull, kemi marrë një libër të Wilbur Smith të vitit 82. Shkurt, nuk ka gënjen reklama ( Skerdilajdi).
-Nisemi nga nga opinioni që kemi krijuar në vite, edhe nga shtëpia botuese. Por unë u nisa këtë herë nga shfletimi. Përshembull kam blerë Rregulla e katrës, nuk kisha dëgjuar asgjë më parë, më intrigoi pasthënia mbi kapak.
-Mungesa e kritikës serioze bën të nisemi nga disa të dhëna të tjera. Kur e lexon, pastaj e kupton nëse ke zgjedhur drejt apo jo. Por panairi të jep mundësinë të shohësh nga afër librin. Media duhet të na ndihmojë në këtë drejtim.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›